TEPELENE – Tre persona janë arrestuar, rreth orës 02:30 të mëngjesit të sotëm, pasi akuzohen se nën kërcënimin e armës grabisnin pasagjerët në aksin rrugor Luzat-Tepelenë.

Sipas policisë, mendohet se njëri prej tyre do të jepte sinjal me pistoletë shenjëdhënëse dhe dy të tjerët do të realizonin grabitjen e automjeteve dhe pasagjerëve.

Policia bën të ditur se në momentin e arrestimit, autorët udhëtonin në një mjet tip Benz me targa të huaja nga Tepelena për në Gjirokastër, ndërsa seksioni i Parandalimit dhe Hetimit të Krimit në Tepelenë tha se ata ishin të armatosur me armë zjarri dhe mund të bënin grabitje të automjeteve në aksin rrugor Luzat-Tepelenë.

Automjeti drejtohej nga shtetasi Erson Kadilli 23 vjeç, ndërsa bashkë me të udhëtonin si pasagjerë, Arshi Dushi, 22 vjeç dhe Arton Lekaj, 24 vjeç, të tre lindur dhe banues në Tepelenë, të cilët u arrestuan në flagrancë.

Policia bën të ditur se në automjetin me të cilin udhëtonin tre autorët, u gjetën një armë zjarri automatike kallashnikov dhe dy krehra me fishekë luftarake model 56 , një armë speciale (pistoletë shenjëdhënëse ), si dhe dy doreza boksi kallçuku, mjete me të cilat të rinjtë kryenin grabitjen e pasagjerëve.

(gm/Shqiptarja.com)