Grabitet Monumenti i Pavarësisë, Shima:
Rrezikohen gjithë veprat prej metali

Grabitet Monumenti i Pavarësisë, Shima:<br />Rrezikohen gjithë veprat prej metali
TIRANE - Monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë ka kushtuar rreth 355 mijë euro dhe tashmë nuk dihet se sa do të kushtojë, duke u shitur pjesët e tij për skrap. Rubens Shima, drejtori i Galerisë së Arteve, ka reaguar në intervistën e tij për “Shqiptarja.com” pas lajmit për vjedhjen e pjesëve metalike të Monumentit të Pavarësisë të vendosur në Parkun Rinia në Tiranë.

Pjesët metalike nga baza e monumentit janë shkulur, duke dëmtuar jo vetëm monumentin, por edhe sistemin e ndriçimit. Monumenti, i cili është i lartë 6.5 metra dhe 5.5 m i gjerë dhe peshon 15 ton, ka rënë pre e grabitësve të metaleve dhe tashmë disa pjesë të tij mungojnë. Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima thotë se rasti është i rëndë, por “nuk është hera e parë që vidhen vepra arti për skrap”.

Gjithashtu ai iu bën apel forcave të Rendit që të mundësojnë gjetjen e pjesëve sepse ribërja e tyre në Austri do të jetë shumë e kushtueshme, ku vetëm njëra nga pllakat, mes katër që mungojnë, kushton 300 euro. Pra bëhet fjalë për një dëm më shumë 1.200 euro duke llogaritur edhe dëmet në sistemin e ndriçimit. 

Zoti Shima, cili është reagimi juaj për aktin e grabitjes së monumentit të Pavarësisë?
Sigurisht që e konsideroj ngjarje të rëndë, shumë shqetësuese. Di që shkulja e pllakave të këtij monumenti nuk është një akt vandalizmi, por një akt i pastër vjedhjeje. Dhe mendoj se është një fillim pozitiv fakti që policia ka ndaluar vjedhësit. Vetëm se në këtë rast unë do të lutesha që ato struktura të policisë që merren me hetimin t’i gjejnë elementët e grabitur të monumentit dhe të mundësojnë kthimin me qëllim që të restaurohet dëmi.

Mendoj që të bëhet ç’është e mundur për këtë në rast, nëse pllakat nuk janë shkrirë ende për skrap. Kjo ngjarje më jep shkak t’ju kujtoj se nuk është hera e parë që vidhen vepra arti për skrap. Në këtë rast kemi të bëjmë me njerëz të dëshpëruar, që janë shumë të varfër dhe arrijnë të bëjnë gjithçka vetëm për të fituar ndonjë të ardhur të vogël.

Mendoni se grabitësit e metaleve për skrap i janë drejtuar monumentit të Pavarësisë, pasi kanë mësuar nga mediat që metali i tij është shumë i shtrenjtë?
Edhe kjo mund të ketë ndikuar. Por në Shqipëri nuk është hera e parë që veprat e artit grabiten për skrap. Janë grabitur disa skulptura të realizmit socialist të derdhura në metal, të cilat dihet që janë shitur dhe shkrirë për skrap.

Monumenti i Pavarësisë është i bërë me aliazhe të shtrenjta. Megjithatë, duke qenë në qendër të Tiranës ishte e vështirë që ta mendoje se do të grabitej. Mund të ketë ndikuar fakti që metali kushton, por unë ju kujtoj se në këtë kohë çdo monument që është i derdhur më material tregu për t’u ricikluar rrezikohet.

Ju thatë se ka mjaft raste të grabitjes dhe shkrirjes së skulpturave të realizmit socialist. Për cilat e kini fjalën konkretisht?
Po një rast janë heronjtë e vigut. Atyre u janë shkëputur gjymtyrët për skrap. Kemi rastin e skulpturave të Leninit dhe të Stalinit, të cilat arriti t’i shpëtonte Galeria e Arteve dhe megjithatë nga skulptura së Stalinit arritën të shkëputnin një dorë. Rasti i Monumentit të Pavarësisë është Flagrant, por për fat të keq të gjitha monumentet e derdhura në metal janë objektiva sulmesh.

Ju e dini, pak a shumë, vlerën e materialit të gjithë monumentit. Sa kanë kushtuar pllakat e grabitura?
Nëse nuk gjenden, nëse janë shkrirë dëmi është shumë i rëndë. Vetëm njëra nga pllakat kushton 300 euro. Pllakat  nuk janë të vogla, janë afërisht të përmasave 1.5 metra katrorë.

Por nëse ato janë shkrirë, çdo të bëhet?
Ministria e Kulturës do t’i dërgojë kompanisë austriake që të bashkëpunojë për derdhjen sërish të tyre.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës