Banka e grabitur një javë më parë në Tiranë nuk ishte e para për Robert Dukën, alias Albert Duka. 50-vjeçari, tashmë i arrestuar, është identifikuar nga ‘blutë’ e Tiranës si autor i një tjetër vjedhjeje me armë, të kryer në qershor.

Ai hyri i maskuar me skafandër e kaskë në bankë, por policia e ka identifikuar përmes teknologjisë. Dukës i janë sekuestruar 8200 euro, veshjet dhe 2 celularë.

"Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera me metoda speciale, nga strukturat hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u finalizua operacioni policor i koduar “Gjuetari i Bankave”. Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasi R. D., alias A. D., 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të kryera më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy filiale bankare në Tiranë.

Identifikimi i tij u arrit falë punës profesionale hetimore, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë vjedhjeve.

 Gjatë kontrolleve u sekuestruan ;

- 8 200 euro,

- Veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale

- 2 aparate celularë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve", tha drejtuesi i Policisë Tiranë, Oliger Torba.


Lajmi kryesor:

Grabitja e 60 mijë € në bankën në Tiranë, arrestohet 50-vjeçari! Momenti kur Robert Duka hyn i maskuar dhe kërcënon me armë stafin! Në qershor vodhi një tjetër institucion financiar (VIDEO)