TIRANË - Një nga punonjësit e policisë private në bankën e nivelit të dytë tek  Stacioni i Trenit ku në 13 shkurt të këtij viti u grabitën mbi 1 milionë euro, ka qenë me precedentë penalë. Këtë fakt e bëri të ditur Drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka i cili tha se duhet forcuar kontrolli ndaj këtyre punonjësve, dhe në rastet kur ka dyshime për pritje kriminale, t'i refuzohet certifikimi si policë privat të sigurisë. Gjatë një tryeze të rrumbullakët me përfaqësues të kompanive private të sigurisë fizike, Loka hodhi dyshime se edhe në grabitjen e 2.8 milionë eurove nga makina blind ku transportoheshin 3.8 milionë euro të një banke, faji të jetë i punonjësve të sigurisë.

Sipas tij Lokës besueshmëria e sigurisë dhe vlerave monetare nuk duhet lënë në duart e njerëzve me prirje kriminale..

"Kemi mbajt qëndrim ndaj punonjësve të policisë kryesisht specialistëve të krimeve të cilët vonojnë vërtetimet e besueshmërisë. Absolutisht i kemi dhënë me dhjetëra masa specialistëve të krimeve por dhe specialistëve tanë që i ndjekin vetëm për këtë fakt. Nuk jemi dhe për ata që këto vërtetime të bëhen shkel e shko sepse kemi pas rastin tek grabitja që u bë tek Stacioni i Trenit. Një ndër punonjësit e policisë që kishte "Euro Gjici" figuronte me probleme", - tha Loka.
 
Po ashtu Loka përmendi edhe rastin e grabitjes në segmentin rrugor Qafë Kashar-Rinas, kur pak javë më parë një furgon i blinduar që transportonte 3.8 milionë euro të një banke të nivelit të dytë u sulmua dhe u grabit nga persona të armatosur. Edhe pse personeli ishte i plotë paratë u grabitën, ka sipas tij lë vend për të dyshuar tek punonjësit e përzgjedhur.

"Kemi vënë kriter 5 veta shoqërimin e vlerave monetare, 5 veta kishte përsëri u vodhën lekët para disa ditësh në Qafë-Kashar në mes të ditës, në rrugën nacionale aty ku çdo 30 sekonda kalon një automjet mos të them më shpejt.", tha Loka.

Sipas Lokës, integriteti i këtyre punonjësve duhet të jetë i lartë që ata të ofrojnë besim tek publiku. 

Arjan Dyrimish ekspert i çështjeve të Sigurisë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, thotë se veç integritetit dhe besueshmërisë së tyre kjo kategori, duhet vlerësuar edhe financiarisht nga kompanitë që marrin përsipër shërbime të tilla.
 
Pak muaj më parë ka hyrë në fuqi edhe ligji i ri shoqërive private të sigurisë fizike i cili përcakton edhe mënyrat e funksionimit dhe të penalizimit të këtyre kompanive, kur ata kanë probleme ligjore, apo shkelje të rregullave të sigurisë së tyre gjatë kryerjes së shërbimit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)