Policia e Shkodrës zbardh ngjarjen e grabitjes së bankës në Koplik, ku njoftoi se janë arrestuar dy vëllezërit Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, Bekim Gurraj, si edhe një person është shpallur në kërkim.
"Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.05.2022, në Koplik, Malësi e Madhe, ku persona të paidentifikuar, nëpermjet kërcënimit me armë dhe dhunës, morën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, në një bankë, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Shkodër, organizoi punën për zbardhjen e kesaj ngjarjeje.
Pas një pune të mirorganizuar dhe ndjekjes me metoda proaktive, për një periudhë 4-javore, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative nga strukturat policore vendore, si dhe në provat e grumbulluara nga hetimi, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje kriminale.
Bazuar mbi këto prova, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër autorizoi kryerjen e kontrolleve në disa banesa dhe ambiente në të
cilat dyshohet se mund të fshiheshin autorët apo mund të përdoreshin prej tyre.Në këtë kuadër, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorinë FLO, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Syri i Sheganit”.
Si rezultat u kapën dhe u ndaluan shtetasit:
Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj, Malësi e Madhe.
Ndalimi i këtyre shtetasve u bë sepse në datën 09.05.2022, rreth orës 14:10, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri - tjetrin, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë hyrë në degën e BKT-së, në Koplik, Malësi e Madhe dhe kanë marrë vlera të konsiderueshme monetare.
Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore se autorët e sipërpërmendur, për kryerjen e aktivitetit kriminal, kanë përdorur 2 armë zjarri dhe një automjet tip “Golf 3”, pa targa, të cilin pas realizimit të grabitjes, e kanë braktisur dhe e kanë djegur tek vendi i quajtur “Rrethrrotullimi i Bajzës”, Koplik.
Pas djegies së mjetit, nën kërcënimin e armëve, kanë ndaluar në rrugë automjetin me drejtues shtetasin T. L., të cilit ia kanë marrë me forcë automjetin dhe më pas janë larguar më shpejtësi në drejtim të fshatit Shegan, Njësia Administrative Kastrat, ku dhe e kanë braktisur këtë mjet.
Po nga hetimet rezultoi se këta shtetas, armët e zjarrit, pas ngjarjes, i kanë hedhur në ujë, në vendin e quajtur “Syri i Sheganit”, degëzim i liqenit të Shkodrës. Aktualisht është duke vijuar kontrolli nga polumbarët e RENEA-s, për të bërë të mundur gjetjen e tyre. Deri tani, polumbarët kanë bërë të mundur gjetjen e njërës prej armëve të zjarrit, konkretisht një armë zjarri kallashnikov.
Gjatë operacionit, nga kontrolli i banesave të shtetasve të lartpërmendur, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, konkretisht:
Në banesën e shtetasit Bekim Gurraj u gjetën dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë, bluzë dhe kapele si të Policisë dhe disa veshje të përdorura nga ky person disa ditën para ngjarjes, kur ka studiuar ambientin e jashtëm të filialit, me qëllim realizimin e vjedhjes.
Po në vijim të operacionit për kontrollin në në banesat e autorizuara nga Gjykata, rezultoi se gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Albin Shabaj, i cili ka lidhje shoqërore me autorët e dyshuar të grabitjes së bankës, u gjetën dhe u sekuestruan 9 kilogramë kanabis.
Për këtë u arrestuan në flagrancë vëllezërit Albin Shabaj dhe Altin Shabaj, si dhe babai i tyre, Ermir Shabaj, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim", njofton Policia.
Lajmi kryesor: