MARIKAJ- Policia shoqëron 12 persona për grabitjen e ndodhur mesditën e të martës në punishten e përpunimit të metaleve në Marikaj. “A1 Report” sjell detaje të reja rreth ngjarjes, kur dy persona me skafandra motorri në kokë, i kanë drejtuar pistoletën rojes së armatosur të punishtes duke e detyruar t’i çojë te zyra e financës.
 
Nuk ka patur konfrontim fizik dhe as të shtëna, ndërsa sipas policisë shuma e grabitur është 2 milionë lekë të reja.
 
Autorët kishin ardhur nga drejtimi i Shijakut tek punishtja. Ata kanë kaluar herën e parë për të parë situatën në oborr dhe pastaj janë kthyer dhe kanë kërcënuar rojen.
 
Pasi kanë marrë paratë nga zyra e financës në katin e parë, dy grabitësit kanë hipur sërish në motorin tyre me ngjyrë të zezë dhe një shirit të kuq dhe janë larguar sërish në drejtim të Shijakut.
 
Policia dyshon se bëhet fjalë për një grup grabitësish me motor që kanë kryer të paktën 5 grabitje të tilla në Tiranë dhe Durrës.
 
Janë marrë pamjet filmike të kamerës kryesore, ndërsa një kamer që ndodhej më afër hyrjes për në zyrën e financës nuk ka funksionuar.
 
Ndërsa një grup ekspertësh të policisë kanë sekuestruar pamjet filmike të të gjitha kamerave të sigurisë në bizneset privat të Marikajt në rrugën që çon për në Shijak.
 
Ky ka qenë rasti i dytë i plaçkitjes së pronarit të punishtes, duke i shtuar rastin e disa viteve më parë kur u grabit nga një grup që përdorte skemën e shpimit të gomave të makinave të personave që grabitnin.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)