Një tentativë grabitjeje është regjistruar mbrëmjen e së premtes pranë një sporteli të Postës Shqiptare në lagjen Vasil Shanto në qytetin e Shkodrës.

Sipas të dhënave paraprake, një person i paidentifikuar është futur brenda ambienteve të filialit të Postës Shqiptare dhe ka tentuar të marrë me forcë një shumë monetare. 

Përpjekja ka qenë e pasuksesshme dhe gjatë largimit autori ka thyer xhamin e sportelit.

Në vendin e ngjarjes janë konstatuar xhama të thyer, ndërsa policia ka mbërritur menjëherë pas njoftimit.

Forcat policore kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

"Rreth orës 19:00, në lagjen “Vasil Shanto”, një shtetas ende i paidentifikuar është futur brenda ambienteve të filialit të Postës Shqiptare dhe ka tentuar të marrë me forcë një shumë monetare, por nuk ka mundur ta marrë dhe gjatë largimit ka thyer xhamin e sportelit. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e tij. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin ligjor të rastit" , thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë përmes një njoftimi tjetër, Policia bëri të ditur se autori që dyshohet të grabiste filialin e Postës Shqiptare, më herët ka tentuar të marrë me forcë një shumë parash në një market, ku pasi është konfliktuar me pronarin, nuk e ka arritur qëllimin.

Shkodër / Informacion shtesë-Rreth orës 19:15, në sheshin “Prek Cali”, dyshohet se i njëjti shtetas që tentoi të marrë një shumë parash në filialin e Postës Shqiptare është futur dhe ka tentuar të marrë me forcë një shumë parash në një subjekt tregtar (market), duke u konfliktuar me punonjësin e këtij subjekti dhe është larguar pa marrë shumën e parave.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në terren, ndërkohë që grupet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë po kryejnë veprime në të dyja rastet, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.