Përfundon së rindërtuari gradaçela, e cila vitin që shkoi rrezikoi jetën e banorëve në plazhin e Durrësit. Kudo që të ndodhesh në Durrës dhe të hedhësh sytë nga bregu i detit, objekti i vetëm që dallohet është gradaçela e plazhit që ndodhet tek Shkëmbi i Kavajës.

Ky objekt monstruoz ka sfiduar në mënyrë të hapur shtetin, pasi i ka injoruar ligjet urbanistike dhe mjedisore në mënyrë flagrante. 23 kate të ngritura mbi rërë janë jo vetëm një shëmtirë arkitektonike, por edhe një rrezik i përhershëm për jetët  e njerëzve. Vitin që shkoi, shtesa disakatëshe pa leje ndërtimi, për shkak të materialit të dobët u shemb në tokë.

Policia nisi një procedim penal në ngarkim të pronarit të pallatit, Enver Shala, i cili edhe u arrestua për ndërtim pa leje. Disa ditë më vonë familjarët e tij denoncuan në polici një sasi eksplozivi të vendosur në kolonat e pallatit, gjë që i bindi hetuesit për një ngjarje të inskenuar, por që nuk arriti të vërtetohej.

Dhe siç ndodh rëndom në vendin tonë çudia zgjati vetëm pak ditë dhe Enver Shala u harrua. Ashtu pa u ndjerë ai kishte dalë nga dhomat e burgut dhe ju kthye punëve të tij. Po vitin e kaluar teksa zhvillohej fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare, ai e rrethoi me rrjetë shtesën e shembur dhe rinisi nga puna, ndërsa në mes të muajit maj rrjeta u hoq dhe në dritë dolën 4 katet e ngritura pa leje duke ftuar pushuesit për sezonin e ri turistik.

Ndërkohë gradaçelës së plazhit ia bën me dorë simotra e saj në hyrje të portit detar e ngritur po nga biznesmeni i paprekshëm, Enver Shala në kundërshtim të plotë me ligjin, ndërkohë që edhe për ndërtimin e fundit janë marrë dhjetëra vendime për prishje, por që asnjëherë nuk u prish.