TIRANË - Projektligji i propozuar nga Ministria e Brendshme për SHKB  është kundërshtuar nga deputetët e mazhorancës pasi sipas tyre neni 73 i cili parashikon uljen në gradë është vendosur jashtë Standardeve.

Në draftin e sjellë në Komisionin e Sigurisë parashikohet që ulja në gradë të bëhet dhe në mënyrë vullnetare ndërsa kjo është kundërshtuar nga deputetët Pjerin Ndreu e Luan Rama  e më pas edhe nga opozita .
 
Neni 73 qe ka të beje me lënien në mënyrë vullnetare të gradave nga punonjës të SHKB në rast se konstatohen shkelje nga ana e tyre e parashikuar në draftin e ri të propozuar nga Ministria e Brendshme ,  ka përplasur mazhorancën jo vetëm brenda saj, por edhe me deputetë të opozitës në Komisionin e Sigurisë.
Pjerin Ndreu i PS , Luan Rama i LSI dhe deputetë të PD , kanë kërkuar që ky nen të rrëzohet. Kjo pasi heqja e gradave vullnetare është shkelje e principeve  ne polici dhe ushtri. Debatet e shumta kanë bërë që kryetari i komisionit Spartak Braho ta hedhë në votim tre here rresht këtë nen, por rezultati i barabartë  solli vendimin që në Parlament të dorëzohen të dy variantet. 
 
Deputeti i majtë Pjerin Ndreu i cili kërkoi i pari rrëzimin e këtij neni u largua nga salla duke u shprehur i pakënaqur për këtë votim ndërsa ka shtuar se nuk është ushtar.

Më herët  deputetët  e Partisë Demokratike thanë se termi i uljes së gradës në mënyrë vullnetare është futur si shenjë presioni ndërsa zv/ministri i Brendshëm tha se kjo është bërë për të kapur një vend pune më të ulët.

Neni 73 parashikon se Kur shkurtohet numri i funksioneve organike për gradë për shkak të ndryshimeve në strukturën organizative të Shërbimit, punonjësi i Shërbimit i nivelit të parë dhe të mesëm drejtues, që mban gradën që i përket funksionit organik që do të shkurtohet, mund të kërkojë, në mënyrë vullnetare, uljen një gradë më poshtë kur ka vende të lira.


Ja debatet në Komisionin e Sigurisë 

Spartak Braho- Flamur Nokës: Ej pse jeni kaq të urtë ju?

Pjerin Ndereu :Për të disatën herë diskutojmë çështjen e gradave. Grada fitohet nuk dhurohet dhe nuk ka se si të ulet në mënyrë vullnetare. Nëse mbetet siç është, kjo është një shkelje e të gjitha principeve.

Luan Rama: Kjo është shenjë e injorancës se atyre që bëjnë ligjin për karierën dhe gradën.

Pjerin Ndereu: Jo vetëm shenjë e injorancës. Edhe ligji i Policisë së Burgjeve kaloi në këtë mënyrë.

Flamur Noka:  Termi ulje vullnetare në grade është futur në ligj vetëm si shenjë presioni.  Ajo mund të hiqet me vendim gjykate kur ke bërë shkelje.

Paulin Sterkaj:  Në karrierën tënde si minister ka funksionur kjo ulje në grade?

Flamur Noka: Une se kam ulur asnjëherë veten në atë nivel. Zoti  Mustafaraj që ishte këshilltari im e di mirë këtë gjë.

Mustafaraj: Është një artificë për të rregulluar personelin per shkak të vendeve të vogla që ka. Eshtë vendosur ulja e gradave për të kapur një vend pune më të ulët. Eshtë e vërtetë që grada ulet me vendim gjykate por që heq dorë vullnetarisht, është për t’u diskutuar. Po doni pranojeni po doni jo. Eshtë për të zgjidhur një problematikë.

Taulant Balla: Parimisht jam dakort dhe jashtë mikrofonit e konstatova me zotin Noka si shkelje e vjeter në Policinë  e Shtetit.  Keni parasysh se ky nuk është ligji bazë. Ne këtë ligj ta lëmë siç është dhe ta marrim iniciativën bi-partizane po të doni për ndryshimin e gradës. 

Pjerin Ndereu: Argumenti që u përdor s’ka sens. Heqja e gradave vullnetare nuk ka as në ushtri as në polici. Kjo është absurd, dhe pse është absurd shqiptar, ta nisim këtë ndryshim. Të heqim këto lloje shpikjesh pa vend. Hajde ul graden që të gjesh punë. Kjo gjë nuk duhet përdorur në Komisionin e Sigurisë.

Luan Rama: Meqë janë dhe grada të pa merituara, dhe për arsye shpesh herë politike është gjetur kjo artific. Marrë shkas nga ajo qe tha Taulanti, nuk ka vend që ka një ligj bazë për gradat, nuk ka asnjë vend të NATO-s. Nuk e pengon kjo gjë, në kemi në proces edhe ligjin për Policinë e Shtetit.

Mesila Doda: Kuptohet se heqja e këtij neni çon në një standard politik. Është një ide shumë e mirë, përmirëson ligjin.

Paulin Stërkaj: Unë bashkohem me propozimin e Pjerinit, zotit Luan dhe shokut Flamur.

Flamur Noka: Ky manipulim vote është i turpshëm, s’mund të marr pjesë në këto lloje mbledhjesh unë.

Pjerin Ndreu: Kujtoni se jam ushtar unë, i bëni votat si të doni ju. 

 
Redaksia Online
(g.f/a.h/ shqiptarja.com)