Gramoz Ruçi shtron darkë për pjesëmarrësit e Europës Juglindore: Së bashku më të sigurtë

Gramoz Ruçi shtron darkë për pjesëmarrësit e Europës Juglindore: Së bashku më të sigurtë

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi

Në mbrëmjen e datës 25 maj 2018, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi shtroi një darkë për pjesmërrësit në Mëngjesin e Lutjeve për Europën Juglindore.

Në pritje merrin pjesë drejtues e përfaqësues të lartë të parlamenteve e qeverive, përfaqësues të shquar të botës intelektuale dhe komuniteteve të biznesit nga vendet e Europës Juglindore, ShBA, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Zvicra, Gjeorgjia, Jordania etj. si edhe ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Ishte i pranishëm edhe Peter Morocco, Zëvëndës Asistent Sekretar në Departamentin e Shtetit.


(Gramoz Ruci me përfaqësues të Europës Juglindore)

Mëngjesi i 15-të i Lutjeve për Europën Juglindore rikthehet në Tiranë pas 15 vjetësh. Mesazhi kryesor i kësaj veprimtarie, e cila zhvillohet në Tiranë, në datat 25-27 maj 2018, është dashuria për fqinjët.

Në fjalën që mbajti në këtë takim, Kryetari i Kuvendit Ruçi nënvizoi se prej vitit 1953 e deri më sot, Mëngjesi i Lutjeve është shndërruar në një ditë të rëndësishme meditimi e reflektimi për të gjithë, shtetarë dhe njerëz të thjeshtë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në të gjithë planetin. Si një ortek mirënjoheje, shprese e angazhimesh, kjo ngjarje po përfshin shumicën e popujve të botës.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi

Të nderuar miq,

Ju jam mirënjohës që u bashkuat sot me ne, me rastin e kremtimit të Mëngjesit të Lutjeve për Europën Juglindore.

Falenderoj organizatorët, në mënyrë të veçantë Holmes, kongresmenet Mekjuen dhe Aderholt, Dokle, Mustafaj, Mediu, Malaj, si edhe deputetët e tjerë të grupit shqiptar të Mëngjesit të Lutjeve, që e kthyen këtë festë në Tiranë pas rreth një dekade e gjysëm.

Ky rikthim merr një vlerë më të madhe sepse ndodh në 65 vjetorin e Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve, kësaj ngjarjeje me një vlerë të madhe njerëzore, shpirtërore e globale.

Jemi të nderuar që, përveç kolegëve nga rajoni, kemi përfaqësues të respektuar nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Zvicra, Gjeorgjia, Jordania etj.

Ju faleminderit të gjithëve!

Kjo tregon sesa e madhe është familja jonë dhe unë jam krenar që ne të gjithë jemi pjesë e saj.

Në këtë Mëngjes të Lutjeve për rajonin, na mungon bashkëthemeluesi dhe bashk-organizatori për 60 vjet i kësaj ngjarje të mrekullueshme, i ndjeri Dag Koe, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar.

Nderim e mirënjohje këtij humanisti të shquar e miku të madh të të gjithëve, që ia kushtoi jetën e tij paqes, besimit dhe dashurisë për njerëzit!

Jam i bindur se bashkëpunëtorët e Dagut do ta mbajnë gjallë frymën e bashkëpunimit, mirëkuptimit, tolerancës, besimit dhe dashurisë që rrezaton kjo ngjarje.

Prej vitit 1953 e deri më sot, Mëngjesi i Lutjeve është shndërruar në një ditë të rëndësishme meditimi e reflektimi për të gjithë, shtetarë dhe njerëz të thjeshtë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në të gjithë planetin.

Vit pas viti, si një ortek mirënjoheje, shprese e angazhimesh, kjo ngjarje po përfshin shumicën e popujve të botës.

Pavarësisht nëse jetojnë në begati apo varfëri, në paqe apo nën kërcënimin e konflikteve, të qetë apo të shqetësuar nga padrejtësitë, njerëzit gjejnë këtë moment meditimi, lutjesh e besimi se ditë më të bukura vijnë.

Kjo festë na mëson se begatia dhe paqja janë të mundura, vetëm nëse duam e respektojmë të tjerët, të ndryshëm nga ne;

Nëse arrijmë të zëvëndësojmë konfliktet me marrëveshjet;

Nëse shpërndajmë më mirë pasuritë që krijohen;

Nëse besojmë te Krijuesi e vlerat humane, të cilat bashkojnë qytetërimet, besimet fetare, kulturat, kombet dhe të gjithë popujt e planetit.

Nëse dashurinë për Zotin e plotësojmë me dashurinë për njeri-tjetrin dhe fqinjët tanë.

Nëse të gjithë përpiqemi të bëhemi më të mirë se jemi dhe të braktisim zakone që na kanë ndarë, në vend që të na bashkonin.

Ky Mëngjes është aq domethënës në rajonin tonë, ku jetojnë përbri njeri-tjetrit popuj me histori, besime, kultura të ndryshme, të cilat formojnë një mozaik të gjalle e unik, kulturor, etnik e fetar.

Rrallë gjen një rajon apo gadishull tjetër, ku në hapësira kaq të ngushta jetojnë popuj me zemër kaq të gjerë;

Në terrene kaq të ashpra jetojnë njerëz kaq bujarë;

Ku njerëzit, përmbi historitë dhe konfliktet që të kaluarën i kanë shpënë në buzë të greminës, zgjasin dorën e pajtimit, falin e luten për ditë më të mira për vete e fqinjët.

Edhe pse fati na ka lindur në toka të bekuara, por historia nuk na ka përkëdhelur.

Ky është rajoni ynë dhe këta jemi ne.

Prandaj, prej këtij kremtimi ne të gjithë duhet të nxjerrim mësime të vyera.

Mirëqenia e secilit prej vendeve tona nuk është e mundur pa mirëqenien e të tjerëve rreth nesh.

Askush prej nesh nuk mund të jetë i sigurt, nëse qoftë edhe një fqinj i yni është i rrezikuar.

Prosperiteti i vendeve tona nuk është i mundur pa një sistem demokratik funksional, një shoqëri demokratike dhe qeverisje nga populli, për popullin dhe me popullin.

Toleranca e popujve tanë të shërbejë si model frymëzimi për qeveritë e shtetarët.

Ne duhet të marrim shembull nga njerëzit e thjeshtë, mësuesit, punëtorëve, policët, infermierët, fshatarët, nënat, gratë e vajzat tona, të nderojmë sakrificat, të punojmë për mirëqenien e sigurinë e tyre.

Nuk ka model më të mirë sesa organizimi i Mëngjesit të Lutjeve, për të treguar se kundërshtarët politikë janë edhe partnerë e bashkëpunëtorë për të mirën e njerëzve.

Ne e dimë që Demokratët dhe Republikanët amerikanë kanë alternativa të ndryshme zhvillimi për demokracinë më të madhe, më të fuqishme e më rrezatuese të botës.

Por Mëngjesi i Lutjeve bashkon senatorët dhe përfaqësuesit e të gjithë shteteve amerikane, pavarësisht ngjyrave politike.

Gjatë vizitës sime të fundit në Washington pata kënaqësinë e veçantë të isha në Mëngjesin e Lutjeve në Senat dhe Kongres.

Ishte e mrekullueshme të shihje se si republikanë e demokratë pa dallim luteshin bashkarisht dhe diskutonin probleme personale me njeri-tjetrin.

Ky bashkim është jo vetëm një investim i përbashkët, por edhe një model sesi ne, politikanë e parlamentarë në këtë pjesë të botës, duhet të bashkohemi në projekte të përbashkëta për të mirën e njerëzve tanë, për paqen, mirëqenien e sigurinë rajonale.

Ne duhet të jemi bashkë, për të mirën e njerëzve tanë, për të përballuar sfidat e përbashkëta që kemi përpara.

Nuk ka demokraci më të suksesshme e më funksionale sesa demokracia amerikane. Ne duhet të përpiqemi edhe më shumë që ky model të bëhet udhëharta e demokracisë në secilin prej vendeve tona.

Të tria degët e qeverisjes, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori, kanë rol të pazëvëndësueshëm në sistemin demokratik. Por roli i parlamenteve mbetet thelbësor dhe kusht i ekzistencës së Republikës.

Ne, parlamentarët, duhet të punojmë më shumë për të prodhuar ligje të frymëzuara nga parimet e mëdha të demokracisë, bashkëjetesës dhe solidaritetit me njeri-njetrin, me fqinjët tanë, me të gjithë popujt.

Të hartojmë ligje, që vendet tona të zhvillohen si partnerë të denjë të aleatëve tanë të mëdhenj, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe botës së qytetëruar.

Ligje që mundësojnë punësimin, për t’i nxjerrë të varfërit e të dobtit nga varfëria dhe mundësuar riintegrimin shoqëror.

Ligje që përfshijnë dhe nuk përjashtojnë pakicat kombëtare, gjuhësore e fetare, njerëzit me paaftësi dhe të gjithë individët e ndryshëm nga shumica.

Në mënyrë që t’i shërojmë ndarjet e përçarjet e jo t’i thellojmë ato. Nuk mund të ndërtojmë shtëpinë tonë, duke prishur shtëpinë e fqinjit.

Të punojmë që vendet tona të jenë shtëpitë e të gjithë qytetarëve tanë, por edhe strehë për emigrantët, fqinjët, të huajt dhe miqtë, duke mësuar nga trashëgimia e kujtesës kolektive të shqiptarëve se “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut”.

Ne, parlamentarët, duhet të mbajmë parasysh mësimin e madh të etërve të demokracisë se karakteri i parlamentarit është pema, ndërsa prestigji që secili prej nesh mund të kërkojë, është hija e saj.

Prandaj, për të bërë sa më mirë detyrën ndaj popujve e qytetarëve, t’i largojmë sytë nga vetvetja, krenaria e sëmurë, kapardisja ballkanase dhe komoditeti individual.

Të kujdesemi për të varfërit e të pashpresët më shumë sesa për pushtetin, influencën dhe pasurinë.

Për të arritur këto qëllime fisnike, ne duhet të bëhemi deputetë të mençur, të duruar e të përmbajtur.

Ne të gjithë duhet tu përkushtohemi tërësisht detyrave tona legjislative, qeverisëse e qytetare sepse kështu shtojmë bukurinë dhe mirësinë e shpirtit njerëzor të qytetarëve, të cilëve u shërbejmë.

Zoti na ka dhënë jetë e frymë për të bërë mirë dhe ne duhet të punojmë që mirësia njerëzore të bëhet realitet.

Secili e kryen këtë detyrë fisnike jo duke detyruar e u kërkuar të tjerëve, por duke dhënë shembullin e vet.

Të mos rreshtim së punuari që rajoni ynë të bëhet një kantier zhvillimi e rritjeje ekonomike, një familje e madhe ku duhen e respektohen të gjithë, një oaz i bekuar paqeje, një faktor sigurie, një model tolerance e dashurie për të gjithë popujt e botës.

Sakrificë, Kurajo, Dashuri, Tolerancë, Besim nga të gjithë dhe për të gjithë. Ky ështe mesazhi im përmbyllës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë