GRAMSH - Një 38-vjeçar nga fshati Banjë i Gramshit është gjetur i ngrirë në rrugë sot në mëngjes, duke e çuar në tre numrin e të vdekurve nga i ftohti i këtij dimri.

Ndërkohë që i gjithë vendi është përfshirë nga temperaturat e ulëta, ngrica dhe akulli. Situata më e rënduar mbetet në veri dhe në zonat e thella malore. Në Kukës vazhdojnë të mbeten 8 komuna të izoluara. 

GRAMSH, 38 VJECARI U GJET I NGRIRE

Mësohet se 38 vjeçari, Orges Daja është gjetur i ngrirë pranë shtëpisë së tij. Dyshohet se viktima ka pësuar infarkt nga i ftohti, pasi vuante nga zemra. 

Mësohet se Orges Daja, i cili ishte i pamartuar dhe jetonte me të atin, të ketë kaluar natën jashtë. Kjo është viktima e dytë në qarkun e Elbasanit. Dy ditë më parë në Elbasan një i moshuar gjeti vdekjen nga ataku në zemër. Mjekët thanë se shkak ishin temperaturat e ulëta dhe i ftohti.

Shefi i Emergjencave Civile pranë prefekturës së Elbasanit, Mustafa Arapi tha se në Gramsh problem mbetet prania e akullit dhe dëbora në zonat e thella malore. Ka vështirësi qarkullimi në akset rurale, për shkak të pranisë së akullit dhe dëborës, por janë të kalueshme me zinxhirë.

Në qarkun e Elbasanit problem është komuna Stravaj në Librazhd. Aksi që lidh Lunikun me Fushë- Studio dhe Steblevë, janë të kalueshme me zinxhirë. Bora është mbi 40 cm. Punëtorët e mirëmbajtjes ajnë duke punuar për mbajtjen hapur të rrugëve por kanë mungesë të skories dhe të kripës.

KUKES
Në Kukës temperaturat arrijnë në -15 gradë, dhe ka prani të akullit e ngricës, ndërkohë që në zonat e thella dëbora arrin në dy metra. 8 komuna janë të izoluara. Akset nacionale Kukës- Shishtavec, Kukës- Peshkopi, Bajram Curri- Fierzë, dhe Qafë Mali janë të bllokuara. Në Rrugën e Kombit qarkullohet me vështirësi, sidomos në dy daljet e tunelit për shkak të ngricave dhe akullit nga ana e Kalimashit. Qyteti furnizohet me ujë dhe drita.

LEZHË
Prej 2 ditësh reshjet e dëborës kanë prekur edhe Qarkun e Lezhës dhe kryesisht në zonat malore të Mirdites. Akset rrugore te zonave rurale kalohen me vështirësi pasi trashësia e dëbores arritën në 30 cm dhe reshjet vijojnë edhe gjatë ditës së sotme.

Emergjencat civile kanë prazantuar një situatë të vështirë edhe në zonat fushore, ku megjithëse ka patur një përmirësim të gjëndjes sërish përmbytjet janë prezente. Prefekti i lezhes Pal Dajçi ka bërë të ditur se janë të angazhuara të gjitha njësitë vendore për të përballuar gjendjen e krijur dhe se mbahen kontakte të vazhdueshme në monitorimin e plotë të problematikës që mund të krijohet.

KORCE
Të bllokuara vijojnë prej ditësh fshatrat Lekas, Shtyllë, panarit dhe Trebinjë. Me zinxhirë kalohet në zonat turistike Dardhë dhe Voskopopjë. Shumë i vështirë qarkullimi në akset Korcë - Kapshticë , Korcë- Ersekë. Për shkak të prezencës së akullit, lëvizet me zinxhirë, Qafa e Qarrit, Qafa e Thanës, Qafa e Plloçës.

Nga e diela janë shënuar 3 viktima nga moti i ftohte dhe temperaturat e ulëta.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)