Në një piceri të vogël të Shëngjinit, era e bukës së sapo dalë nga furra përhapet ngado. Ajo nuk është pjesë e menusë së zakonshme të picerisë së qytetit bregdetar. Është një version i naan-it, një buke tradicionale të Afganistanit.
Kjo e fundit mishëron një pjesë të madhe të kulturës ushqimore të kombit të shkatërruar nga lufta. Naan-i është veç një nga pesë pjatat e reja që po përgatiten në kuzhinën e picerisë, e cila ka pranuar të ndajë hapësirën e saj me një restorant të improvizuar afgan të nisur nga dy gra afgane.
Njëra është gazetarja e njohur, Hasiba Atakpal dhe tjetra Negina Khalil, prokurorja e parë femër në provincën e largët të Ghor-it në Afganistan.
“Ngjashëm si në Afganistan, këtu çdo vakt shërbehet me naan”, ka dalluar Khalil.
Bashkë me të, aromat e erëzave i ftojnë afro 1 mijë e 200 afganët në Shëngjin që të kënaqen me një përvojë kulinare që ngjall nostalgji, më shumë se 5 mijë e 500 kilometra larg nga shtëpitë që lanë për t’ju shpëtuar talebanëve.
Numërohen rreth tre mijë afganë që kanë gjetur strehim në Shqipëri, shumica e të cilëve janë shpëtuar nga agjencitë ndërkombëtare të ndihmës.
Atje, Khalil duhej të bënte punën e saj për ndjekjen penale të grupeve të armatosura dhe kriminelëve që e vendosën atë në rrezik ekstrem.
Ndërsa Atakpal-it i duhej të raportonte guximshëm si korrespondente për TOLOnews, kanalin më të madh të lajmeve në Afganistan. Por ajo mori në këmbim kërcënime nga talebanët që nuk e miratuan punën e saj.
Dy gratë u detyruan të largohen nga Kabuli, por vazhdojnë t’i drejtojnë energjitë e tyre te bashkatdhetarët e vet afganë.
“E nisëm këtë restorant tre muaj më parë kur pamë se sa shumë afganëve në Shqipëri u mungonte ushqimi nga shtëpia. Të gjithë këtu po përballen me trauma dhe donim të bënim diçka për të sjellë buzëqeshje në fytyrat e tyre”, ka thënë Atakpal.
Prandaj dhe shkuan të bisedonin për këtë mundësi.
“E ndamë problemin tonë me ta, se si komunitetit afgan i mungonte ushqimi vendas. I shpjeguam idenë që kishim për fillimin e një kuzhine afgane dhe ata menjëherë na dhanë leje për të përdorur hapësirën e restorantit të tyre për të gatuar dhe shërbyer, pa asnjë kosto”, ka treguar Atakpal.
Pas kësaj, të dyja nisën të gjenin produkte për të përgatitur ushqime autentike të përballueshme, ku ndonjëherë duhej t’i zëvendësonin me përbërësit më të afërt në dispozicion.
“Nuk është aq e vështirë të gjesh përbërës. Por fokusi ka qenë të përgatisim ushqime që nuk janë të shtrenjta në mënyrë që njerëzit t’i përballojnë sepse thuajse të gjithë klientët janë refugjatë, si ne”, ka shtuar Khalil.
Gjithashtu punësuan një tjetër grua afgane për të përgatitur pjatat, pasi të dyja gratë kishin përvojë të kufizuar në gatim.
“Në shtëpi, isha gjithmonë aq e zënë saqë mezi kaloja kohë në kuzhinë. Por tani kaloj të paktën tre ditë në javë në kuzhinë”, ka thënë Atakpal.
E bukura është edhe në faktin se restoranti ka fituar klientë të shumtë në mesin e banorëve vendas.
“Është bukur kur shqiptarët vijnë dhe kërkojnë pjatat tona. Ndjej se kjo hapësirë na ndihmon të ndërtojmë një marrëdhënie me shqiptarët që kanë qenë kaq të mirë me afganët dhe na kanë pritur krahëhapur”, ka thënë Atakpal.
Madje, shpreson se restoranti i tyre brenda atij ekzistues të mbetet trashëgimi e afganëve që kaluan në Shqipëri kohën e tyre të krizës.
Për afganët, hapësira e vogël është bërë një urë që të çon në një tjetër botë. Atje ku i bashkon shija e njohur.
Paçka popullaritetit, biznesi katër muajsh nuk ka bërë ende shumë fitime.
Ka ditë që ato mezi i përballojnë shpenzimet. Por këmbëngulin se ideja e kësaj sipërmarrjeje nuk ishte të nxirrte fitime, por të ndihmonte afganët të përballonin traumën me të cilën përballen.
“Përfitimi ynë më i madh është që njerëzit tanë vijnë dhe kalojnë kohën e tyre këtu dhe hanë ushqimin e tyre… lumturia në fytyrën e tyre teksa hanë ushqimet tona të shijshme është gjithçka”, ka veçuar Atakpal.
Por… as Atakpal dhe as Khalil nuk e dinë se si do të jetë e ardhmja e tyre, pasi presin konfirmimin e azilit.
“Humbëm gjithçka dhe jemi kthyer në mënyrën se si ishin gjërat 20 vjet më parë, ku gratë nuk kanë të drejta, qasje në arsim, nuk ka sistem drejtësie, nuk ka mbetur thuajse asnjë gazetar afganë dhe njerëzit janë të mjerë”, ka treguar Atakpal.
Nëna e Khalil u vra nga talebanët në vitin 2020, ndërsa ajo dhe vëllai u sulmuan gjatë një vizite në varrin e nënës. Ndërkaq, anëtarët e familjes së Atakpal janë ende të vendosur në Kabul.
“Nëse gjërat ndryshojnë, do të kthehemi. Nëse jo, do të vazhdojmë të punojmë për Afganistanin, pavarësisht se në cilën pjesë të botës jemi. Do të vazhdojmë luftën tonë dhe shpresojmë të sjellim ndryshim”, ka theksuar Atakpal.
Përpos kësaj, gratë kanë shpresuar që restoranti i tyre të vazhdojë edhe për shumë kohë pas largimit të tyre, i mbajtur gjallë nga afganët që mund të zgjedhin të qëndrojnë.
Dhe se do t’i kërkojnë pronarit të tij që të vazhdojë t’i mbajë në menu shijet e holla afgane, si shenjë e përvojës së tyre të përbashkët. Marrë nga “Al Jazeera”, Albanianpost.com.