Ënjtja e këmbëve nuk duhet neglizhuar, pasi nuk kemi të bëjmë me një gjendje kalimtare, por është një reagim i trupit që tregon se mund të kemi probleme me qarkullimin e gjakut, me hormonet dhe me veshkat ose me tiroidet dhe mëlçinë. Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, në emisionin “Rreze Dielli” ka shpjeguar se çfarë ndodh kur këmbët janë vazhdimisht të ënjtura.
“Zemra pompon gjakun kur ne jemi në aktivitet, muskujt e këmbës veprojnë si pompë që gjaku të shkojë në zemër, por kur ne qëndrojmë gjatë pa lëvizur rritet presioni në venat e këmbës dhe krijohen edema, ky mund të jetë një shkak i fryrjes së tyre. Por mund të ndodh që të keni edhe një destabilitet të estrogjenit. Kur keni disbalancim të tij, trupi mban më shumë ujë”, u shpreh Joka.
Nutricionisti shpjegoi se të gjitha enët venoze të grave janë të ndjeshme nga presioni menstrual dhe disbalancimi hormonal që ndodh nga ciklet, por ai e vuri theksin edhe tek veshkat.
“Edhe kur veshkat nuk filtrojnë siç duhet, në trupin tonë krijohen fryrje në këmbë dhe në fytyrë. Në këtë rast është parë që rritet kreatinina”, tha Joka.
Nutricionisti shpjegoi se fryrja e këmbëve mund të vijë edhe nga problemet me tiroiden, pasi trupi fillon të mbajë ujë dhe natrium duke shkaktuar fryrje, ndaj sipas tij duhen bërë analizat TSH dhe T4.
“Edhe problemet me zemrën dhe mëlçinë sjellin fryrje, qarkullimi i dobët i gjakut ose kur mëlçia është e ngarkuar nga toksinat krijojnë ënjtje të këmbëve”, tha Joka.
Një kujdes të veçantë duhet të tregoni kur ndodh të keni fryrje vetëm në njërën këmbë ose kur ndjeni nxehtësi apo skuqje. Kujdes pasi mund të rrezikoni një trompozë, ndaj duhet të shkoni për të bërë menjëherë një kontroll mjekësor.
Joka u ndal edhe tek ndjesia e syve të fryrë, ai shpjegoi se sytë janë dritarja e veshkave, por dhe e mëlçisë.
“Sytë e ënjtur mund të vijnë nga inflamacionet nga bronket, mund të vijnë nga alergjitë që krijon kozmetika, por kujdes nëse ju fryhen sytë në mëngjes është problem tek veshkat dhe sistemi limfatik, nëse fryrja vazhdon gjatë ditës është nga bronket dhe nëse i keni edhe në darkë atëherë duhet të kontrolloni mëlçinë”, u shpreh ai.
Të shuntë janë ata që mendojnë se trupi fryhet nga pirja e shumtë e ujit, por kjo nuk është e vërtetë.
“Kam dëgjuar shpesh që shumë njerëz thonë se trupi fryhet nga uji, kjo është e gabuar, pasi trupi nuk fryhet sepse pimë ujë. Mos e hiqni ujin nga konsumimi, pini ujë gjatë ditës!” theksoi Joka.
Nutricionisti shpjegoi disa metoda që ndihmojnë në shfryrjen e këmbëve, por ai tha se këto nuk janë metoda shëruese ndaj është shumë e rëndësishme të kuptohet shkaku i fryrjes.
“Kompresat, çorapet, mbajtja e këmbëve lart, ndihmojnë për t’i çënjtur. Por kujdes sepse çorapet bllokojnë furnizimin e gjakut dhe mund të sjellin probleme arteriale. Zakonisht duhen vendosur në mëngjes, jo gjatë natës. Ne mund të përdorim kompresa me ujë të ftohtë që janë një palestër për enët e gjakut, por sërish duhet gjetur shkaku” nënvizoi ai.
A ju ka ndodhur kur prekni këmbën e fryrë të krijohet një gropë. Ky është test që bëhet në shtëpi, në rast se gropa kthehet menjëherë brenda 3-4 sekondave nuk është problem, por nëse zgjat mbi 5 sekonda kemi një edemë dhe duhen bërë analizat. Një test tjetër është testi i unazëz dhe çorapes. Nëse ne veshim çorape dhe shohim që kanë krijuar një rreth ose nëse zgjohemi me duart të fryra edhe këtu duhet të shkojmë të bëjmë kontrollin mjekësor.
Joka këshilloi të bëhen analizat e veshkave, tiroides, ata të hormoneve, mëlçisë, analiza e sentimentit, estradiolit dhe kortizolit, pastaj do të shihet se ku do të dalin problemet.
Ja çfarë ushqimesh duhet të evitoni
Ushqimet që kanë kripë natrium, sallamrat, djathrat, alkolin, pijet e ëmbla, sheqerin, karbohidratet e rafinuara si dhe ushqimet që kanë laktozë, duhen hequr nga menuja e ngrënies. Ushqimi i rëndë në darkë si dhe pozicioni i trupit në gjumë, sjell gjithashtu probleme me grumbullimin e lëngjeve. Konsumoni perime, shtoni konsumimin e limonit, majdanozit, erëzat, uthullën. Ecni tre herë në ditë 3-10 minuta, shmangni alkolin, bëni gjumë të plotë, kujdes me kripën nuk duhet tepruar me të se ngel uji në inde.
Komente












