Grida Duma po stërmundohet nga një studio televizive në tjetrën dhe është ndër të paktat të mbijetuara nga ajo që ka mbetur nga Partia Demokratike që qëndron ende zgjuar, që rendit me forcën e logjikës rrjedhjen e ngjarjeve në partinë më të madhe të opozitës ndërsa e sheh atë të zvogëlohet përherë e më shumë, të shkatërrohet nga fundi idilik i dy të dashuruarve të përjetshëm në krye të saj. Disa nga gratë e Partisë Demokratike vazhdojnë të rezistojnë si duke u mbajtur në copëzat e akullit të mbetura pas thërrmimit të ajsbergut pas përplasjes me Titanikun; ato janë dëshmitare se si dy ego burrërore shkatërruan për interesa personale një vlerë, një pasuri kombëtare të ngritur e të mbajtur mes mijëra sakrificash në këmbë: opozitën shqiptare.
Grida Duma, ashtu si dhe disa gra dhe vajza të tjera të Partisë Demokratike arrijnë të shohin më qartë dhe më drejtë gërmadhat, pas katastrofës që qëndisën ditë pas dite, muaj pas muaji, viti pas viti burrat e partisë më të madhe të opozitës. Dashtë fati dhe natyra që këto gra të mos lodhen deri në dorëzim, pasi misioni i tyre për të treguar realitetin e sidomos të vërtetën është jashtëakonisht i vështirë përballë atyre që nuk duan të dëgjojnë dhe nuk duan të kuptojnë.
Të rrethuara nga të eturit për shkatërrim, nuk e kanë të lehtë të dëgjohen duke argumentuar me forcën e tyre të logjikës së Partia Demokratike, ose gjithçka ka mbetur nga ajo, nuk mund të vazhdojë e të ndjekë kushtrimet për asgjësim, për shkërrmoqje të të tjerëve, të ideve të të tjerëve, të punës së të tjerëve për përfitim. Partia Demokratike duhet të ndërtojë renë e saj të ëndrrave për të gjithë ata që i besojnë. Dhe vetëm nëse kjo re puplore ëndrrash do të përkasë, do të pëlqehet, do të frymëzojë të gjithë shqiptarë që i shohin si alternativë, atëherë opozita, PD dhe të ngjashmit e saj do të kenë forcën të propozohen si alternativë.
Nuk mjaftojnë shuplaka pas shuplakash që të eturit për shkatërrim qofshin ata politikanë, gazetarë, analistë a shoqëricivilistë, të mos e kuptojnë përmes shembujve të qartë se e ardhmja nuk është të shkatërrojmë dikë (Edi Ramën në këtë rast) që të fitojmë ne, ata, ato. E ardhmja i përket atij që realizon renë më të bukur të ëndrrave, ku sa më shumë njerëz ta dallojnë e ta besojnë e vëtëm duke iu bashkuar së pari asaj (ëndrrës), pastaj do të vijnë me radhë bashkimet fizike të zemrave e të trupave opozitarë për veprim. Dikush duket se e ka kuptuar. Deri tani janë pak, shumë pak.