Pikat e bllokimit në akset rrugore në Greqi kalojnë numrin 80 sipas CNN Greece, ndërsa nga e mërkura mobilizimet do të përshkallëzohen me bllokimin e Urës Rio-Antirio në Patras dhe portit të Volosit. Ai i Selanikut synohet të bllokohet të premten.

Dy akset rrugore Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim, Rruga Kombëtare Athinë-Selanik dhe Autostrada Egnatia, vazhdojnë të jenë të mbyllura ndërsa kalimet kufitare hapen dhe mbyllen herë pas here përfshirë atë të Kakavijës ku kalojnë shqiptarët.
Pasditen e së hënës fermerët në Kretë u përplasën me policinë dhe hynë brenda aeroportit në Heraklion I cili u rihap këtë të martë herët me policinë Greke që ashpërsoi qëndrimin e saj.

Nga ana e saj, qeveria po përgatit gjithashtu një “paketë” masash, të cilën mund t’ua paraqesë fermerëve në rast takimi javën e ardhshme.

Në “tryezë” është mundësia e ripërcaktimit të sasive të naftës bujqësore për kulturë bujqësore dhe zgjerimi i programit që garanton një çmim të ulët të energjisë elektrike prej 9.2 cent/kËh.

Fermerët zhvilluan mbrëmjen e së hënës një mbledhje në Egiliak u vendosën lëvizjet e tyre të ardhshme.

Protestat e fermerëve grekë kanë nisur pas skandalit me subvencionet europiane, me të cilat abuzohej në mijëra dosje nga fermerë dhe zyrtarë grekë, çka çoi në pezullimin e lëvrimit të fondeve. Për to janë duke u zhvilluar hetime edhe nga autoritetet e brukselit dhe nga ato greke, ndërsa bllokadat kanë hyrë në javën ë dytë.