ATHINË, 8 maj /ATSH-AFP/ - Arritja e një marrëveshjeje për reformat që Greqia duhet të miratojë për të përfituar vazhdimin e dhënies së kredive për vendin, varet nga vullneti politik i Evropës, konfirmoi sot kryeministri, Aleksis Cipras.
Ndërkohë, ministri grek i Financave Janis Varufaqis, i cili përfundoi sot në Madrid një mini-turne evropian me një takim me ministrin spanjoll të Ekonomisë, Luis de Guindos, është shprehur plot shpresë që së shpejti mund të jenë në gjendje për të njoftuar procesin që do të çojë në fundin e krizës.
"Vetëm vullneti politik mund të garantojë arritjen e një marrëveshjeje mes Athinës dhe kreditorëve, BE dhe FMN, nuk ka çështje teknike për të zgjidhur", deklaroi Aleksis Cipras para Parlamentit gjatë një seance pyetjesh nga deputetët.
"Ishte vetëm vullneti politik që mundësoi hyrjen e Greqisë në vitin 1980 në Bashkimin Evropian pavarësisht mendimeve të kundërta në atë kohë nga Komisioni, dhe ai që i mundësoi vendit të bëhet pjesë e euros në vitin 2000 ndërkohë që ai nuk përmbushte kushtet e kërkuara", kujtoi kryeministri.
Përpjekjet e gjata mes kreditorëve dhe Athinës janë penguar nga rezistenca e qeverisë së re e të majtës radikale për të miratuar masat e reja shtrënguese, kryesisht ulje të tjera të pensioneve dhe pagave. Megjithatë, qeveria është shprehur këto ditë e gatshme për të bërë një kompromis për arritjen e një marrëveshjeje./
/ec/