Presidenti  i KE-së, Jean Claude Juncker, nëpërmjet një mesazhi i ka kërkuar kryeministrit Tsipras të pranojë një propozim të ri të Eurogrupit për të shpëtuar Greqinë në një kohë kur po skadon afati për arritjen e një marrëveshjeje. Juncker i propozon Greqisë 4 pika kyçe për të arritur marrveshjen.
Sipas ofertës, kryeministri Aleksis Tsipras do të duhet të dërgojë pranimin me shkrim deri të martën , në një kohë kur pritet një takim urgjent i Eurogrupit të ministrave të financave të zonës euro.
 
Ndërkohë burime pranë qeverisë greke kanë deklaruar se, pavarësisht se Athina është e hapur për të gjetur një zgjidhje, vendi do të zhvillojë të dielën referendumin.
Mijëra protestues janë mbledhur në një tubim në sheshin Sintagma të Athinës, në mbështetje të qeverisë duke kërkuar nga të gjithë qytetarët të votojnë kundër masave të kreditorëve të huaj

Mbyllja e bankave dhe limiti i tërheqjes së parave ka sjellë ngrirje të tregut dhe të veprimtarisë së bizneseve, si dhe rritjen e çmimeve të karburantit. Qeveria ka deklaruar se transporti publik në zonën e Athinës do të jetë falas për sa kohë bankat janë të mbyllura.

Tsipras rikonsideron ofertën

Afrimi i afatit të fundit për pagesën e këstit të rradhës së borxhit nga Greqia, ka bërë që kryeministri grek, Aleksis Tspras të rikonsiderojë një propozim të fundit të kreut të komisionit europian, Zhan Klod Junker. Sot përfundon afati për pagesën e 1.6 miliardë euro FMN-së që Athina i ka borxh. Raportohet se Cipras mund të udhëtojnë sot për në Bruksel për të diskutuar ofertën e BE. Kryeministri grek ka telefonuar kreun e komisionit europian dhe ky i fundit i ka paraqitur një ofertë që mund të pranohet nga eurozona. Oferta që përmban edhe një zgjidhje mbi borxhin grek, parashikon që qeveria greke pasi ta ketë pranuar ofertën, të bëjë fushatë që në referendum të votohet ‘’pro’’ paketës së paraqitur nga kreditorët ndërkombëtarë.

Oferta e re e Junker përshkruhet si e përmirësuar përsa i përket çështjes së pensioneve dhe që nuk është refuzuar nga Athina. Nga zyrtarë të BE-së është konfirmuar se tashmë kanë nisur kontaktet mes dy palëve, por televizioni grek SKY raporton se qeveria greke po i dergon BE-së propozimet e saj. Kryenegociatori grek, Euklid Cakalotos ka deklaruar se nëse Greqia merr një ofertë që nuk mund ta refuzojë, atëherë do të rikonsiderojë votën e 5 korrikut. Ndërkohë, zyrtarë të qeverisë gjermane kanë deklaruar se tashmë është vonë për një shtyrje të programit të shpëtimit të Greqisë, megjithatë ministri gjerman i financave ka deklaruar se Greqia do të qëndrojë në zonën euro edhe nëse në referendum votohet kundër paketës.

Më herët, kryeministri grek, kishte deklaruar se nëse në referendum votohej ‘’po’’, atëherë qeveria e Sirizas do të jepte dorëheqjen. Por një vote ‘’jo’’, sipas tij mund t’i jepte Greqisë një pozicion më të mire negociues në Bruksel. Menjëherë kanë reaguar dhe bursat europiane pas lajmit që kryeministri grek, Cipras po rikonsideron ofertën e BE-së. Bursat e Milanos ka patur rritje 0,8 përqind, e ndjekur nga ajo e Madridit me 0,78 përqind. Ndërkohë, ministri grek i financave, Janis Varufaqis ka konfirmuar se Greqia nuk do e paguajë këstin e borxhit ndaj FMN-së


Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)