GREQI - Kandidatja shqiptare në listën e PASOK për zgjedhjet parlamentare, Ina Panajoti, deklaroi në një lidhje telefonike për A1 Report se pavarësisht se SYRIZA është pretendente për fitimin e zgjedhjeve, është pjesa e lëkundur e votuesve, rreth 20 % e tyre, të cilët do të bëjnë diferencën.

“Pjesa më e madhe e votave do shkojë në partinë radikale të majtë, njerëzit nuk zgjedhin program, por votojnë si një reagim i këtyre viteve të fundit, të cilat kanë qenë të vështira.”- tha Panajoti.
Më tej Panajoti theksoi se në zonën e saj, në periferi të Athinës, janë rreth 6000 shqiptarë të cilët janë me të drejtë vote.
“Shqiptarët kanë shkuar të mbështesin të gjithë kandidatë shqiptarë që janë edhe në partitë e tjerë. Ka rreth 6.000 shqiptarë me te drejtë vote në zonën time elektorale, në periferi të Athinës.”-tha Ina Panajoti.

Gjithashtu ajo theksoi se PASOK është e vetmja parti që ka mbështetur shqiptarë në Greqi

“Jam krenare dhe shumë e lumtur që mu dha mundësia të marrë në këtë proces, më kanë mbështetur shumë prej njerëzve. Ka edhe nga ata shqiptarë, që kanë reaguar keq ndaj kandidaturës sime. PASOK është e vetmja parti që ka qenë krah të shqiptarëve. PASOK u dha të drejtën për nënshtetësi. Unë iu premtoi se së bashku do bëjmë çdo gjë të mundur për t’iu ardhur në ndihmë. Një nga problemet janë edhe fëmijët që kanë lindur këtu, por që duhet të largohen pas përfundimit të studimeve”- tha Ina Panajoti për A1 Report

Më tej, ajo foli për synimet e partisë së saj, i cili është dalja si fuqi e tretë nga këto zgjedhje, por gjithsesi sipas saj ekziston frika se si forcë e tretë të dalë Agimi i Artë.
 
“PASOK po bën një luftë të madhe që të jetë partia e tretë, ka një frikë se do jetë Agimi i Artë, po bëjmë çmos që ta arrijmë këtë qëllim.”- tha Panajoti duke shtuar se PASOK do dalë më e fortë nga ky proces.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)