Një shqiptar nga Saranda është vrarë në ishullin Kos të Greqisë nga një shtetas grek. Nga mediet greke mësohet se Leondro Lapa, 46 vjeç është vrarë me karabinë mëngjesin e të enjtes, nga ish-burri i motrës së tij me shtetësi greke me inicialet T.A., 57 vjeç, baba i tre fëmijëve.
 
Shtetasi grek kishte shkuar në banesën e shqiptarit rreth orës 05:00 të mëngjesi, pasi kërkonte të bashkohej me bashkëshorten e tij, shtetasen shqiptare I.Lapa, 37 vjeçe, me të cilën kishte disa kohë i ndarë.
 
Informacionet e policisë greke të publikuar në mediet e shtetit fqinj bëjnë me dije se 57-vjerçari grek, ish-punonjës i zyrës së taksave në ishulli Kos, ka qëlluar fillimisht mbi derën e shtëpisë duke e thyer atë dhe më pas ka hyrë në banesë duke qëlluar në drejtim të shqiptarëve.
 
Dy saçme të armës së gjahut kanë rënë mbi 46-vjeçarin Leondro Lapa duke e plagosur rëndë dhe më pas ai ka humbur jetën në spitalin “Evangjelismos” të Athinës.
 
Autori i kësaj vrasje fillimisht ka mundur t’i shpëtojë arrestimit nga policia greke, por mesditën e së enjtes ai është prangosur në shtëpinë e tij në lagjen Zipari të ishullit Kos.  Materialet dhe provat e kësaj ngjarje kanë kaluar në prokurorinë e Athinës për hetime të mëtejshme, ndërsa policia pas kontrolleve në banesë nuk ka mundur të gjejë armën e krimit.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)