ATHINË, 22 korrik /ATSH-ANA-MPA/ - Dy vitet e fundit, populizmi dhe etatizmi tentuan të pengojnë rrugën e vendit për daljen vendimtare nga kriza, por dështuan përfundimisht, thekson kryeministri grek, Antonis Samaras, në një artikull që do të botohet të dielën në gazetën "Kathimerini". Duke marrë shkas nga 40-vjetori i rivendosjes së demokracisë, kryeministri vë në dukje se Konstantinos Karamanlis (themeluesi i "Demokracisë së Re") i përballoi me sukses pengesat e populizmit. "Populizmi dështoi në betejën sublime për ta nxjerrë Greqinë jashtë euros dhe jashtë integrimit europian. Dështoi! Edhe etatizmi dështoi", nënvizon Samaras. "Brenda dy vjetësh përballuam gjithë sfidat e dekadave të fundit. Realizuam ndryshime që janë bërë kudo gjetkë në botë, por që askush nuk i konsideronte të mundshme në Greqi. Thyem tabu që nuk ekzistojnë askund në botë, por konsiderohen të paprekshme në Greqi. Dhe arritëm përmbysje që askush nuk i besonte, por që sot përbëjnë një realitet", thekson kryeministri. "Kjo është Greqia e re që po ndërtojmë! Bashkë me Kushtetutën e re që do të propozojmë dhe zhvillimin e rimëkëmbjen e vendit që ka marrë udhë ndërkaq!", shton Samaras dhe nënvizon se "mbeten shumë për të bërë pasi burokracia ende nuk është mundur. Evazioni fiskal nuk është eliminuar ende dhe padrejtësitë ende nuk janë rehabilituar"./ a.jor.