Yiannis Kefalogiannis, Ministër i Mbrojtjes Civile, Kostas Tsiaras, Ministër i Zhvillimit Rural, dhe Dimitris Vartzopoulos, Zëvendësministër i Shëndetësisë në Greqi paraqitën dorëheqjet e tyre ditën e sotme, të cilat sipas informacioneve janë kërkuar nga vetë kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Dorëheqjen ka dhënë edhe sekretari i përgjithshëm i partisë Demokracia e Re Kostas Skrekas.

Dorëheqjet lidhet me faktin se dje Prokuroria Evropiane i dërgoi Parlamentit grek një dosje të re, e treta e radhës, për skandalin e OPEKEPE-së, organizmi që shpërndante subvencionet bujqësore në mënyrë të paligjshme, duke kërkuar heqjen e imunitetit për 11 deputetë aktualë, nga Demokracia e Re.

Ndërsa në total nën hetim janë përfshirë edhe 9 deputetë të tjerë konservatorë mes tyre një ish-ministër dhe një ish-zëvendësministër i Bujqësisë. Për të gjithë këta do të ketë heqje imuniteti në ditët e ardhshme kur të vendosë parlamenti për t’i lejuar prokurorët evropianë të vazhdojnë hetimin.

Hetimi lidhet me subvencione bujqësore të marra në mënyrë të paligjshme në vitin 2021, përmes deklarimeve të rreme, manipulimeve elektronike dhe ndërhyrjeve për të favorizuar aplikime të caktuara.

Çfarë pritet të ndodhë në Greqi pas këtyre dorëheqjeve?

Sipas mediave greke dorëheqjet nga qeveria po çojnë në një mini-riorganizim, me zyrtarët qeveritarë që flasin për ndryshime të kufizuara dhe jo një mundësi për ndryshime strukturore.

Deri tani, qeveria këmbëngul se nuk ka skenar për zgjedhje të parakohshme.

“Në asnjë rrethanë nuk do të ishte e papërgjegjshme nga ana jonë të shpallnim zgjedhje të parakohshme. Kjo nuk shpreh logjikë as për Kyriakos Mitsotakis dhe as për ND-në”, sqaron Rezidenca Maximos.