TIRANË-Greqia do t'i dhurojë Shqipërisë një grant prej 2,5 milion eurosh për rindërtimin e një shkolle profesionale  në kompleksin ''5 Maji'' në Tiranë, shkollë e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ditën e sotme është nënshkruar marrëveshja nga ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj  dhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri Sophia Philippidou.

Ky grant i Greqisë është premtuar në konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve ''Together for Albania'', e cila u mbajt në Bruksel në shkurt  të vitit të kaluar.

Ambasadorja Philippidou ka deklaruar se ky investim është një tregues shtesë i solidaritetit midis vendeve dhe popujve tanë  si dhe i përkrahjes së njërit për tjetrin, kur kemi një situatë emergjence.

"Ky grant plotëson reagimin e menjëhershëm të Qeverisë greke por edhe solidaritetin e vetvetishëm që treguan populli grek  dhe emigrantët Shqiptarë në Greqi, që në momentet e para të vështira mbas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Ne gëzohemi që vepra e rindërtimit po avancon  dhe që do të marrim pjesë në një program kaq të rëndësishëm dhe kaq modern , siç është ai i rindërtimit të një shkolle profesionale  në kompleksin ''5 Maji '' në Tiranë. Besojmë se diçka e tillë do të hapë dhe rrugë të tjera bashkëpunimi në nivel përgatitjeje profesionale'', tha ajo.