GREQI - Greqia hakmerret ndaj vendimit të Ergys Kaces që zgjodhi ekipin kuqezi për t’u vazhduar karrierën në nivel kombëtar duke injoruar helenët pas shumë tentativave. Pas vendimit, Ergys Kace teksa priste të pajisej me pasaportë greke i është refuzuar një gjë e tillë për mungesë dokumentacioni.

Presidenti i ekipit të PAOK, aty ku militon mesfushori shqiptar ndërhyri për të zgjidhur ngërcin me pajisjen me pasaportë greke të Kaces, por tentativa e tij nuk rezultoi e suksesshme duke u dorëzuar në fund përballë burokracisë.

Sipas gazetës më të madhe sportive greke ‘Sportday’, por edhe mediave të tjera, ministria e Brendshme nuk ka pranuar kërkesën e futbollistit korcar për ta pajisur me pasaportë. Kjo ishte edhe shpresa e talentit kuqezi, pasi nëse do të arrinte një gjë të tillë do të kishte mundësinë që të lëvizte lirshëm në vendet brenda BE, pa pasur asnjë problem me dokumentacionin.

Por grekët e kuptuan lëvizjen e Kaces, i cili shpresonte të merrte pasaportën për ta përdorur si trampolinë dhe jo për të pranuar kërkesën e trajnerit të ekipit kombëtar grek për të luajtur. Trajneri Santos tentoi disa herë për të bindur mesfushorin, por rezultati ishte negativ.

Në një tjetër rast të njëjtë me të Kaces, kërkesa e një shqiptari tjetër që ka pranuar të luaj për ekipin e basketbollit grek, i është pranuar kërkesa për pasaportë duke vërtetuar dyshimet se rasti i Kaces është precedent i qartë kundër dëshirës së futbollistit për t’i kushtëzuar të ardhmen.

SADIKU NË DYSHIM PËR NORVEGJINË

Lorent Sadiku është në dyshim për ndeshjen me Norvegjinë, pasi nuk ka arritur që të pajiset në kohë më paraportën shqiptare. Kur duhen edhe pak ditë nga ndeshja, Sadiku deklaron se “Pres disa dokumente nga Suedia për të kompletuar dokumentacionin për pajisje me pasaportë shqiptare.

Është kohë e shkurtër dhe nuk besoj se do arrij të pajisem me pasaportë para ndeshjes me Norvegjinë”, ka theksuar Sadiku. Përveç nënshtetësisë shqiptare, Sadikut i duhet edhe leja nga FIFA për ta veshur fanellën kuqezi.

Shkrimi u botu sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.05.2.013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)