Greqia e falimentuar, Athina
kërkon zgjidhje nga Eurogrupi

Greqia e falimentuar, Athina <br />kërkon zgjidhje nga Eurogrupi
GREQI - Gjakftohtësia ka pasuar nervozizmin, revoltën dhe shqetësimin e mëngjesit të ditës së mërkurë të qeverisë greke, pas përgënjeshtrimit të rezultateve që ajo priste për marrjen e një vendimi për administrimin e borxhit grek nga mbledhja e djeshme e Eurogrup. Qeveria greke në këto momente pret dhe synon se zgjidhja-paketë për të arritur që borxhi grek të jetë i administrueshëm do të shqyrtohet në mbledhjen e së hënës të Eurogrup, me një marrëveshje ndërmjet Berlinit dhe FMN-së.

Kryeministri grek, Andonis Samaras, pasi shtyu vizitën dyditore për në Katar, për të thithur investime, të mërkurën është nisur për në Bruksel, ku do të takohet me Zhan Klod Junker dhe ne takimet që do të ketë atje me zyrtarë të lartë të BE në kuadrin e Samitit Europian ku do të diskutohet buxheti i BE për vitet 2014- 2020, do të ngrejë me forcë çështjen e një zgjidhjeje përfundimtare të krizës greke dhe të marrjes së këstit prej 44 miliardë eurosh.

Sikundër u vërejt në deklaratën e ashpër të mëngjesit të ditës së mërkurë, kryeministri Samaras, kërkon që të vendosë liderët europianë përpara përgjegjësive të tyre, duke deklaruar me tone të ashpra se Greqia zbatoi deri në maksimum, gjithçka iu kërkua. Tani është radha e ortakëve europianë dhe e kreditorëve që të bëjnë detyrën e tyre. Kryeministri Samaras deklaroi se një thellim i krizës së Greqisë do të çojë në një destabilizim të mundshëm të gjithë Eurozonës.

Nga shumë analistë, kjo deklaratë u konsiderua si një paralajmërim që Gjermania dhe kreditorët e tjerë të lenë lojërat dhe të zbatojnë pjesën që u takon, pasi flijimet e popullit grek kësaj here ishin aq të mëdha, dhe qeveria e koalicionit repartiak, e kryesuar prej tij, ishte aq e tronditur dhe aq e plagosur nga e gjithë procedura e votimeve të javës së kaluar, sa vështirë se do t’i mbijetonte një prove tjetër.

Gjithashtu kryeministri grek ka theksuar përsëri faktin se në arkat e shtetit, pothuajse kanë shteruar paratë, gjë që e bën situatën në Greqi edhe më tepër të rrezikshme.
Të befasuar dhe të zhgënjyer nga moslëvrimi i këstit prej 44 miliardë eurosh ishte e gjithë qeveria greke. Aleatët e Samaras ne deklaratat e tyre kanë theksuar faktin se nuk e prisnin dhe as nuk e pranojnë që Greqia të jetë alibia e BE, për mosadministrimin në kohë dhe efikas të krizës ekonomike europiane dhe se BE dhe kreditorët duhet që të zbatojnë premtimet e tyre.

Për herë të parë Greqia me masat që mori, u parapriu situatave, pasi në të kundërt, në rast se ajo nuk do të kishte votuar ato që i kërkoheshin, sot mund edhe të mos ishte më anëtare e Eurozonës.
Ndërkohë opozita ka kritikuar shumë ashpër qeverinë dhe kryeministrin grek për trajtimin që i ka bërë deri tani krizës dhe në faktin që është shndërruar në një nëpunës të bindur të politikës së Merkelit, e cila po luan në kurriz të Greqisë lojërat e saj elektorale.
Lideri i opozitës greke, A. Cipras ka akuzuar kryeministrin Samaras dhe qeverinë, se nuk kanë asnjë plan për administrimin e krizës dhe se me mënyrën se si diskutojnë në Europë dëshmojnë për mungesë serioziteti dhe rrezikshmëri të lartë.
Për liderin e opozitës greke, BE gjendet përballë zgjedhjeve pa rrugëdalje dhe ka pranuar se rruga e memorandumeve është katastrofike për vetë Europën dhe shumë e dhimbshme për popujt.

FMN kërkon marrëveshje realiste nga Eurozona
Mosmarrëveshja ndërmjet FMN dhe qeverisë gjermane për masat që duhet të merren në mënyrë që borxhi grek të jetë i administrueshëm, ka shënjuar takimin e ministrave të ekonomisë të Eurozonës. Çështja greke do të mbizotërojë në Samitin e BE të së enjtes
Presidentja e FMN, Lagard ka kërkuar një premtim të qartë për financimin e vakuumit financiar dhe “faljen” e borxhit të 2016, gjë që është hedhur poshtë nga Gjermania, Finlanda dhe Holanda.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?