Qeveria greke ka propozuar një paketë të fortë masash ekonomike për të përballuar rritjen e çmimeve, sidomos të karburanteve, që po vjen si efekt i tensioneve në Lindjen e Mesme.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi një plan prej rreth 300 milionë eurosh, që synon të lehtësojë drejtpërdrejt qytetarët dhe bizneset.

Çfarë përfitojnë konkretisht qytetarët grekë?

Masa më e fortë lidhet me naftën. Shteti do të subvencionojë çmimin me 16 cent për litër në rrjetin e shpërndarjes, që në fund përkthehet në rreth 20 cent më pak për konsumatorin.

Në të njëjtën kohë, familjet do të marrin një kartë dixhitale karburanti, që përdoret në pika karburanti, transport publik dhe taksi. Nga kjo skemë, një familje mesatare përfiton rreth 50 euro në dy muaj (deri në 60 euro në ishuj). Kriteret për lëshimin e kësaj karte pritet që të mbulojnë afërsisht 3 nga 4 milionë pronarë automjetesh.

Ndihmë për fermerët dhe transportin

Paketa nuk ndalet te qytetarët.

– Fermerët do të përfitojnë subvencion prej 15% për blerjen e plehrave kimike
– Kompanitë e trageteve do të marrin kompensim, por me kusht që të ulin çmimet e biletave

Qëllimi sipas Mitsotakis është të mos rriten zinxhir çmimet, nga prodhimi deri te konsumatori.

Nga do vijnë paratë?

Qeveria greke nuk po mbështetet vetëm te buxheti.

Mitsotakis paralajmëroi se do të ndryshojë taksimi për fitimet nga lojërat e fatit online, me synimin për të siguruar rreth 100 milionë euro shtesë.

Me pak fjalë: më shumë taksa për sektorët që fitojnë shumë, për të mbështetur pjesën tjetër të shoqërisë.

Mesazhi i Athinës

Sipas kryeministrit grek, këto masa janë një “mburojë” për familjet dhe bizneset në një kohë pasigurie globale.

Ai e bëri të qartë se qeveria do të ndërhyjë sa herë që kriza ndërkombëtare prek xhepin e qytetarëve.

 "Meqenëse askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo luftë, ne padyshim që po mbajmë rezerva në rast se situata ekonomike globale përkeqësohet ndjeshëm. Mesazhi ynë, pra, është një: qeveria mbetet dhe do të mbetet në krah të çdo burri dhe gruaje greke, siç ka bërë në çdo moment të vështirë deri më tani. Ndërsa atdheu ynë do të kapërcejë përsëri të gjitha stuhitë e shkaktuara nga ngjarjet përtej kufijve të tij, duke pasur si armë të përditshme unitetin dhe kohezionin shoqëror. Në kohë të pasigurta, atdheu ka nevojë për një busull të qëndrueshme në orientimin e tij" tha Mitsotakis