Sipas mediave greke Qeveria helene ka dhënë me koncesion kuadratet tokësore në zonën e veriut deri në Peloponez nëpërmjet një marrëveshje të nënshkruar në Athinë pasditen e së enjtes në Ministrinë greke te Energjetikës, nga ministri Jorgos Stathakis dhe kompanive fituese të koncesioneve.
Sipas cnn.gr Ministri Stathakis ka deklaruar se pas kontratave që firmosi për koncesionet tokësore e ka radhën firmosja e kontratës për Bllokun detar “Joni 2” zona detare në lindje të ishullit të Korfuzit.
Sipas mediave greke kjo kontratë do nënshkruhet pas një miratimi teknik nga Këshilli i Kontrollit. Blloku “Joni 2” është zona detare midis ishullit të Korfuzit dhe Shqipërisë.
Kjo zone do t’i jepet për kërkime konsorsiumit “Total France”, “Elpe” dhe italianëve të “Edison”, ku shpimi i parë është parashikuar të kryhet brenda vitit 2018.
Përfaqësuesi i “Elpe”, deklaroi se konsorsiumi është i bindur se në këtë zonë ka rezerva të mëdha të gazit dhe naftës.
Kuadrati “Joni 2", ndodhet brenda zonës ekskluzive ekonomike të Shqipërisë por në bazë të paktit detar të firmosur në 2008-n nga Lulzim Basha dhe ministres greke të Jashtme Dora Bakoyannis, një pjesë e madhe e tij i kalon Greqisë.
Pakti u rrëzua një vit më vonë nga gjykata kushtetuese dhe ende nuk është negociuar një variant i ri që nga ajo kohë.
Por kjo nuk e ka ndalur Athinën ta negociojë fillimisht me kompanitë norvegjeze të kërkimeve sizmike, dhënien e zonës për kërkime, të cilat, pas reagimeve të Tiranës zyrtare, u kryen natën nën mbrojtjen e rojës bregdetare greke.
Më pas kërkimet avancuan me shpime me sonde, pa pasur as dakordsinë e palës shqiptare e as një pakt të ri detar në fuqi.
Greqia ka dorëzuar koordinatat detare të kësaj zone në departamentin e hartave në OKB duke e konsideruar Jonin 2 një territorin totalisht grek.
Redaksia Online
Al.N.Shqiptarja.com