Greqia do të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Lajmi është njoftuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili sqaroi se vendimi do të hyjë në fuqi gjatë verës së 2026-ës, ndërsa zbatimi i saj do të nisë nga 1 janari i 2027-ës.

"Vitet e fundit, kam folur me shumë prindër dhe të gjithë më thonë të njëjtën gjë: Se fëmija i tyre nuk fle mirë, stresohet lehtë dhe është vazhdimisht në celular. Shkenca është e qartë: Kur një fëmijë kalon orë të tëra para një ekrani, mendja nuk pushon. Kjo është arsyeja pse vendosëm të ecim përpara me diçka të vështirë, por të domosdoshme. Të ndalojmë aksesin në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Rregullorja do të hyjë në fuqi në verën e vitit 2026 dhe do të zbatohet më 1 janar 2027. Greqia do të jetë ndër vendet e para që do të ndërmarrë një iniciativë të tillë. Dhe jam i sigurt, megjithatë, se nuk do të jetë e fundit. Qëllimi ynë është ta shtyjmë BE-në në këtë drejtim. Tani jam i sigurt se shumë prej jush të rinj do të zemëroheni me mua. Nëse do të isha në moshën tuaj, ndoshta do të ndihesha njësoj.

Por roli ynë, dhe i imi, nuk është të jemi gjithmonë të këndshëm. Por edhe nëse nuk jeni dakord sot, dua vetëm që ta mendoni dhe ta diskutoni me miqtë dhe shoqet tuaja. Nëse diçka na bën të ndihemi më të stresuar, më keq, më pak mirë nga sa jemi në të vërtetë, atëherë ndoshta ia vlen t'i vëmë një frenim. Qëllimi ynë nuk është t'ju distancojmë nga teknologjia, e cila mund të jetë një burim frymëzimi, një burim dijeje, një burim krijimi”, tha kryeministri grek në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Plani grek do të bazohet në sistemin e portofolit të fëmijëve për sa i përket identifikimit të moshës. Sipas të njëjtit informacion, qeveria do t’u bëjë thirrje platformave dixhitale që të mobilizojnë mjetet e tyre dhe të marrin masat e duhura. Në rast mosrespektimi, do të parashikohen sanksione.