Greqia është prekur nga një valë lëkundjesh sizmike javën që u mbyll, teksa vetëm mëngjesin e sotëm rajoni jugor i vendit u shkund nga 6 tërmete radhazi, me forcë zbritëse. Nuk u raportua për të lënduar apo dëme materiale.
Tërmeti i parë ra në Kretë. Banorët e Karpathos dhe Atikës janë tronditur dhe përfshirë nga paniku, teksa më shumë u ndjenë në ishullin e Dodekanezit.
Siç njoftoi Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar të Athinës, një tërmet me magnitudë 4.2 ballë të shkallës Rihter është regjistruar në orën 02:15 të mëngjesit të sotëm (29 Dhjetor), në zonën detare 28 kilometra në jug të Karpathos, ose rreth 435 kilometra në juglindje të kryeqytetit.
Ai u pasua në orën 10:02 në zonën më të gjerë të Karpathos, konkretisht 89.5 km në jugperëndim të ishullit nga një tërmet i ri pak më i fortë, me intensitet 4.4 të shkallës Rihter, sipas Rrjetit të Unifikuar Kombëtar Sizmologjik.
Epiqendra e tërmetit ndodhet në zonën detare 24 km lindje-verilindje të Zakros në Kretë dhe 89.5 km në jugperëndim të Karpathos, ndërsa thellësia fokale e tërmetit llogaritet në 10 km, raportoi media greke.
Rreth 40 minuta më vonë, në zonë ka ndodhur edhe një pasgoditje me intensitet 3 të shkallës Rihter, gjithashtu me thellësi fokale 10 km.
Megjithatë edhe në Athinë pati një lëkundje me magnitudë 2.8 të shkallës Rihter, pas lëkundjeve të ngjashme të javëve të mëparshme, me qendër sërish në Chalandri. Lëkundjet u regjistruan në orën 03:22 me thellësi fokale 5.7 km. Lëkundje të reja, më të vogla pasuan në të njëjtën zonë, me intensitet 2.1 Rihter në orën 04:47 dhe 2.2 Rihter në orën 08:54, dhe në fakt me një thellësi fokale prej vetëm 2 km e fundit.
Edhe pse lëkundjet në Atikë nuk ishin të përmasave të konsiderueshme, ato mjaftuan për të shqetësuar banorët në lagjet me popullsi të dendur, që u tronditën më shumë për shkak të natyrës sipërfaqësore të këtyre mikrolëkundjeve. Tre tërmete të tjerë u regjistruan këtë javë në Atika dhe Patra, madje njëri edhe në Qipro.