Greva dhe mësimet prej saj

Grupi i ish të përndjekurve politikë i ka dhënë fund grevës së tij 31 ditore. Dy të tretat e pjesëmarrësve në grevë përfunduan në spitale dhe vetëm gjashtë prej tyre ishin protagonistë të aktit të djeshëm final, kur në prani të policisë, mediave, diplomatëve të huaj dhe disa institucioneve kushtetuese morën vendimin e duhur për mbylljen e aktit të protestës ekstreme. Në historinë e grevave të urisë në Shqipëri kjo është greva më jetëgjatë, dhe njëherësh, greva më e vogël numerikisht por më e komentuar në politikë, media e shoqëri.
Greva të tilla zakonisht mbyllen me një bilanc dhe ajo e djeshmja ka arsye të besohet se bilanci i tyre ishte pozitiv. Vetë grevistët e theksuan dje këtë fakt. Ata nuk arritën të bindin qeverinë të pranojë dialog, nuk arritën të marrin përgjigje për kërkesat e tyre ekonomike, nuk arritën të imponojnë protesta masive publike në mbështetje të tyre, por ata arritën ta sfidojnë pushtetin arrogant dhe të fitojnë simpati të gjerë publike brenda e jashtë vendit. Asnjë grevë tjetër ekonomike nuk ka pasur kaq shumë jehonë dhe nuk ka lëmë kaq shumë gjurmë në politikën dhe shoqërinë shqiptare. Asnjë grevë tjetër e dhjetë viteve të fundit nuk ka qenë më e komentuar nga SHBA, BE, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë dhe institucionet vendore e ndërkombëtare të drejtave të njeriut. Për të u fol në Departamentin Amerikan të Shtetit, në Bruksel, në Strasburg, në Vjenë, në Prishtinë, dhe çdo orë të ditës edhe në Tiranë. Për herë të parë pati akte proteste vetëflijimi, të cilat fatmirësisht nuk morën jetë, por kurajo e grevistëve tejkaloi çdo parashikim dhe ishte një leksion demokracie për çdo qytetar në një shoqëri apatike, të mësuar në bashkëjetesë me të keqen dhe të paaftë të kuptojë nevojën dhe kohën e ndryshimit.
Falë tyre, sot nuk ka dilemë se u provua përfundimisht se sistemi aktual politik e qeverisës është ngritur mbi mosmirënjohjen, mungesën e humanizmi, moralit dhe integritetit, paaftësinë për të përmbushur përgjegjësitë kushtetuese dhe arrogancën e një klike politike pa vizion dhe shtojcë e mentaliteteve, sjelljeve dhe praktikave të sistemit të vjetër komunist. Falë tyre shoqëria shqiptare mësoi se mjekët - politikanë dhe politikat në emër të qytetarit mbetën slogane boshe përballë sulmeve arkaike të kohës së luftës së klasave dhe strategjisë miopie qeveritare denigruese, fyese dhe përçarëse. Prej saj u mësua se shoqëria shqiptare sidomos ajo politike, nuk vepron dhe as funksionon horizontalisht, por në formë piramide, me udhëheqësin në krye që jep udhëzime e urdhër për turmën militante në rrugë, në media, në institucione, në parlament, dhe kjo e fundit, njësoj si në sektet fetare fondamentaliste, është e gatshme të keqpërdoret, të besojë gjithçka që lideri thotë, të luftojë kundër atyre që mendojnë ndryshe dhe ta çojë publikun në një ndarje të thellë pro e kundër, - një tipar i dukshëm oriental dhe parademokratik.
Greva rihapi debatin mbi të kaluarën dhe raportet e shoqërisë me fajet dhe përgjegjësitë e saj. Ajo dëshmoi se e kaluara nuk ka ikur, mbetet sunduese, mban peng të sotmen dhe për shkak të moszgjidhjes, - mbetet kërcënim serioz edhe për të ardhmen. 18 grevistët na treguan falsitetin e një sistemi politik të ngritur mbi propagandën, parullat dhe amoralitetin, të paaftë të reformohet dhe të prodhojë besim, si dhe të dominuar nga lufta për influencë midis klaneve rozë e blu, të dyja të lidhur fuqishëm me kastën e vjetër drejtuese ish-komuniste. Grevistët nuk panë dallim midis qeverisjes me theks komunist të PS në fundin e viteve ‘90 me qeverisjen e sotme të PD-së, nuk gjetën dallime midis Fatos Nanos së vitit 2004 dhe Sali Berishës së vitit 2012, midis ZP së viteve 90 dhe RD së vitit 2012, pra midis atyre që më 1990 përbënin piramidën e lartë komuniste (shumica në PS) dhe atyre që u formua si shtresë e mesme në kupolën e PPSH, mori peng PD-në, i humbi asaj identitetin duke e shndërruar një krijesë të dështuar tranzicioni. Debatet mbi grevën dëshmuan se e gjithë linja piramidale dhe administrative e atyre zyrtarëve të sotëm që duhej të trajtonin problemet e grevistëve të urisë përbëhen nga ish sekretarë partie, ish drejtues të Vullnetarëve të Enverit, pinjollë të klaneve të larta komuniste dhe ish lektorë militantë të marksizëm – leninizmit. Të gjithë kanë qenë anëtarë të PPSH dhe asnjë prej tyre nuk është ish i përndjekur politik, çfarë tregon se klika në pushtetin e sotëm dhe koalicioni që fshihet pas sundimit të tij, ka braktisur përfundimisht vlerat morale, ideologjike, identitetin dhe parimet politike, duke u bërë imituese e denjë e një kastë politike të njëjtë me atë të Byrosë Politike të viteve 1986-1990. Greva e qartësoi këtë regres demokratik vlerash, krizën e thellë të përfaqësimit, dekompozimin e të djathtës shqiptare dhe përcjell kështu një mesazh të fortë politik për zgjedhjet e vitit 2013, me një kosto të madhe të prishtme kundër mazhorancës aktuale.
Greva nxori në pah edhe problematika të tjera të keqfunksionimit të qeverisjes. P.sh, ajo tregoi se partitë aleate të PD janë fiktive, mendimi i tyre për dialog u shpërfill tërësisht, ndërsa në vetë PD nuk ka mbetur më asnjë politikan me dinjitet e personalitet qytetar që të sakrifikojë për lirinë e mendimit, parimet e djathta dhe interesat publike. Katër ministra të rëndësishëm gjetën kohë të ishin në Peqin në garën e gjelave, por asnjë prej tyre, përfshirë zëvendësit apo vartësit e tyre nuk gjetën kurajë, kohë dhe as motiv të vizitonin qoftë edhe dy minuta 18 grevistët e përndjekur, të cilët mbanin mbi supet e tyre 276 vite burgim politik. Kurajën e tillë nuk e gjeti dot as kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe asnjë prej këshilltarëve lokalë të qeverisë, shumica e të cilëve janë profesorë universiteti, doktorë apo politikanë që kanë marrë edhe vetë pjesë në greva urie të mëparshme. Të njëjtin efekt pati edhe për PS dhe të majtën shqiptare, e cila nga frika e kriticizmit qëndroi asnjanëse dhe kështu, humbi rastin të dëshmojë se beson tek parimet sociale apo se ka aftësi për një rilindje të vërtetë kombëtare. Greva nxori jashtë loje partitë tradicionale të djathta (PBK, PLL, PDIU, PDK, etj) të cilat deri sot mburreshin me ish të përndjekurit, por që në presionin e PD heshtën ose u bashkuan me fushatën denigruese ndaj grevistëve dhe shtresës që ata përfaqësojnë.
Greva nxori zbuluar edhe institucionet kushtetuese, sidomos gjykatat, policinë e shtetit, prokurorinë, avokatin e populli, presidentin, parlamentin, etj, të cilët nën presion, me mosveprim të ndërgjegjshëm ose veprim të njëanshëm u bënë shtojca të pushtetit kundër qytetarëve. 31 ditët treguan se institucionet që përfaqësojnë Shqipërinë, shtetin dhe qytetarët janë e mbeten gjysmake, përfaqësuese vetëm të një pale politike, të paafta të prodhojnë besim e stabilitet, unitet dhe garanci për demokraci funksionale. Për herë të parë pas shumë vitesh pamë një polici militante, që merr kurajën të tejkalojë ligjin dhe të etiketojë grevën e grevistët me fjalorin e padenjë dhe thellësisht partiak të kryeministrit. CNN, Reuters, BBC, VOA etj i kushtuan kronika, intervista dhe lajme periodike grevës së urisë, kurse ekrani ynë publik TVSH, jo vetëm që refuzoi për 31 ditë të japë një lajm apo kronikë të grevistëve, por u investua rregullisht në fushatën denigruese zyrtare e militante kundër tyre.
Së fundi, greva u mbyll por debati mbi të mbetet më i hapur se më parë. Ajo i dha të drejtë përcaktimit të presidentit Jefferson se “edhe një individ i vetëm kur është me të drejtën përbën mazhorancë”. Ata ishin 18, mbetën 6, mijëra herë më pak sesa pjesëmarrësit në mitingjet periodike të partive të vjetra, por mesazhi e simbolika e tyre ishte e mbetet mijëra herë më e fuqishme sesa mitingjet e panumërta të partive politike. Me këtë forcë morale greva nxiti partitë dhe shoqërinë të diskutojë vlerat e demokracisë, parimet kushtetuese ku bazohet shoqëria jonë, si dhe sfidat e saj për të ardhmen. Që sot askush nuk ka më dilemë se standardet e pushtetit ndaj grevës ishin tërësisht në kundërshtim me këto parime dhe vlera, dhe se hendeku midis Shqipërisë së sotme dhe asaj evropiane u bë edhe më i thellë. Grevistët morën premtimin se në rast të rotacionit politik kërkesat e tyre do të realizohen brenda tre viteve, si dhe dhanë premtimin se do të jenë aktiv në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm në mbrojtjen e kauzës tek e cila besojnë, për të cilën kanë sakrifikuar rininë e tyre dhe për të cilën ka aq shumë nevojë Shqipëria. Mbi të gjitha greva dha mesazhin se ky vend ka nevoja themelore për një revolucion idesh, vlerash, virtytesh dhe moraliteti, për një rizgjim të përgjegjësisë publike e qytetare, për rotacion elitash dhe ndryshim të sjelljes politike, për një shoqëri civile më aktive, media më të pavarur, politikë më qytetare dhe institucione më funksionale.

(ad.ti/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri, origjina dhe karakteristikat e tij

Viti i Ri, origjina dhe karakteristikat e tij