LUSHNJE- Në rajonin bujqësor Lushnje–Divjakë funksionojnë 34 pika grumbullimi të prodhimeve bujqësore, të orientuara kryesisht drejt eksportit.

Për pesë ditë me radhë, puna në këto pika u paralizua, pasi kamionet nuk u nisen drejt tregjeve europiane.

Report TV kreu nje vëzhgim të premten, ku shihet se magazinat jane të tejmbushura me perime të stinës, si lakër, lulelakër, presh dhe patate. Ndërsa një pjesë e prodhimit ka mbetur pa vjelur ne fusha.

Grumbulluesit shprehen se greva ka sjellë humbje financiare si për ta, ashtu edhe për fermerët. Ata theksojnë se, ndonëse janë përdorur disa alternativa transporti përmes portit të Durrësit dhe doganës së Kakavijës, këto rrugë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eksportuar gjithe prodhimet.

Lulëzim Sari, nga kompania “L&B Fruits 2006”, thotë se greva ka ndikuar ndjeshëm në transportin drejt tregjeve europiane, veçanërisht përmes pikes dogane te Qafe Thanes. Problemi është shoqëruar edhe me rënie të kërkesës për produktet bujqësore.

“Greva na ka penguar disi, sidomos transportet përmes Ballkanit drejt Europës. Ka pasur alternativa si pika e Kakavijës apo porti i Durrësit, por problemi kryesor nuk ka qenë vetëm transporti, por mungesa e kërkesës për produktet tona”, – tha grumbulluesi.

Asllan Hasa nga kompania “Romir shpk” thekson se bllokimi i rrugëve drejt Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi ka sjellë pasoja direkte për bizneset dhe fermerët.

“Kjo na ka penguar shumë. Na ka mbetur prodhimi këtu – lakër dhe presh – sepse fermerët i kanë sjellë, por ne nuk kishim ku t’i dërgonim, pasi rrugët ishin të bllokuara”, shprehet grumbulluesi.

Edhe Ymer Mokrari, menaxher ne nje pike grumbullimi, konfirmon vështirësitë qe kanë hasur përgjatë një jave, pasi transporti dëmton gjithë zinxhirin bujqësor.

“Normalisht që na ka penguar, sepse puna jonë lidhet drejtpërdrejt me eksportin. Janë dëmtuar edhe fermerët që nuk kishin ku ta çonin prodhimin. Tani rrugët janë hapur dhe shpresojmë të mos kemi më probleme”, tha menaxheri

Qarkullimi i mallrave ka rinisur të premten, pasi transportuesit e rajonit morën garanci nga Komisioni Evropian se shoferët e kamionëve do të lejohen të qëndrojnë më shumë se 90 ditë në territorin e vendeve të Bashkimit Evropian.