Hoxha e bëri kërcënimin para mediave pasi ka njoftuar se një greviste, Bedrie Bozaxhiu, ishte në gjendje të rënduar për jetën pasi ambulanca dhe mjeku, sipas tij, ishin vonuar në ofrimin e ndihmës.
“Pas informacionit që mora nga mjekët, zonja Bozaxhiu që është me baba të pushkatuar, ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Pasi kërkuam ambulancën dje dhe sot, vonesa e çoi në këtë gjendje.
Edvin, përgjegjësia mbetet mbi ty dhe vetëm mbi ty. Nëse do t'i ndodhë diçka, do përballesh me atë që sje përballur kurrë në jetën tënde."Greva e urisë e ish të përndjekurve politikë, e dyta pas asaj të zhvilluar në tetor të 2012-ës, vijon në ditën e dytë të saj në dy cadrat e ngritura përbri parlamentit, me 9 pjestarë të kësaj shtrese të shoqërisë. Kjo pasi Bedrie Bozaxhiu, një nga grevistet, shfaqi problem me tensionin dhe u transportua në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Të përndjekurit kërkojnë nga qeveria dëmshpërblim në total të pagesave brenda dy viteve të para të qeverisjes dhe përfitimin e një statusi special për të gjithë anëtarët e kësaj shtrese, që janë gjallë.
Në listën e kërkesave që ishtë dënuarit politik është edhe shtimi i masës së dëmshpërblimit për të gjithë ata persona që janë internuar gjatë komunizmit dhe rikthimi në mënyrë të menjëhershme në administratën shtetërore të ish-të përndjekurve politik të larguar pa të drejtë nga puna. Gjithashtu ata kërkojnë dënimin e figurës së Enver Hoxhës dhe parties Komuniste, pa përjashtuar krimet dhe kriminelët që i kanë kryer ato.
ORA 21:45 VETEM ME GREVA I FITOJME TE DREJTAT
Kreu i grevës Hoxha ka deklaruar për "A1Report!" se arsyeja që ish-të përndjekurit" hyrë në grevë është se vetëm përmes tyre i kanë fituar të drejtat.
"Ne kemi 23 vjet në greva dhe protesta sepse çdo gjë e kemi fituar ashtu. Ne nuk jemi për shkeljen e ligjit, por për zbatimin e tij. Kur bllokohet e drejta jonë, ne ndërmarrin një hap për ta zhbllokuar. Si mundesh që sot të kërkosh të hysh në Evropë me figurën e diktatorit Hoxha?! Por greva s'ka qëllim që ne të mos hyjmë në Evropë, ne kemi kauzë tonë."
ORA 17:24 HOXHA I ISH-TË PËRNDJEKURVE KËRCËNON KRYEMINISTRIN
Fatmir Hoxha, kreu i grevës së ish-të përndjekurve ka kërcënuar publikisht kreun e Qeverisë: Edvin, nëse do t’i ndodhë diçka grevistes sonë, do të përballesh me atë që s’je përballur kurrë në jetën tënde.”
ORA 13:30: VOKSHI: KA MUNGUAR SHERBIMI SHENDETESOR NDAJ GREVISTEVE
Deputetja e PD Ledi Vokshi ka vizituar çadrën e grevës ku janë vendosur ish-të përndjekurit politikë. Në fjalën e saj Vokshi i bëri apel qeverisë të vërë në dispozicion një ambulancë për të kontrolluar gjendjen e tyre shëndetësore pasi sipas saj kjo ka munguar.
“Kanë probleme me diabetin me azmën, i bëj thirrje të sigurojë ambulancën dhe shërbimin shëndetësor dhe të mos e shkëpusë. Jemi informuar se për 2 ditë me rradhë nuk ka pasur shërbim shëndetësor, është detyrë e këtij kryeministri, e kësaj qeverie.” tha Vokshi
ORA 11:10 HOXHA: AKUZAT NDAJ MEJE, LE TE HAPET DOSJA PUBLIKISHT
Përfaqësuesi i ish-të përndjekurve politikë Adem Allçi, tha para kamerave se greva e ish-të përndjekurve është një e drejtë e tyre për të kërkuar dëmshpërblimin për kohën e kaluar në burgjet e komunizmit.
"Kjo është kërkesë e domosdoshme por tepër e vonuar, kjo është një e drejtë e jona. Nuk ndalemi deri sa të futemi në dhe për së gjalli. Greva do të shtohet do të mbildhen nga të gjitha trevat shqiptare. Të paguhen dëmshpërblimet." tha Allçi
Kryetari i grevës së ish-të përndjekurve Fatmir Hoxha tha në lidhje me akuzat se nuk ka qenë kurrë në burg gjatë komunizmit, që të hapet dhe të hetohet dosja e tij publikisht.
“I pres akuzat, sepse kjo është pjesë e Sigurimit të Shtetit ndaj familjes sime. Unë kërkoj që të hapet dosja ime që të shihet pastërtia e figurës sime.” tha Hoxha
(Në foto: Adem Allçi ish i përndjekur politik)
Përplasja
Ngritja e çadrave përpara parlamentit ishte e organizuar nga Partia Demokratike. Deputetët demokratë vajtën të nxirrnin skeletin metalik të çadrave në mënyrë që të zhvillohej greva. Por, në këtë moment ndërhynë forcat e policisë që tentuan ta bllokonin, pasi në duart e tyre nuk kishte vajtur ende një dokument që vërtetonte se ata kishin marrë leje për zhvillimin e grevës. Në këtë moment, deputetët Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Edi Paloka, Gerti Bogdani, Flamur Noka, Alban Zeneli filluan konfrontimin me policinë, e cila nuk lejonte që të zbarkonin skeletet metalike.
Por, acarimin më të madh e kishte deputetit Strazimiri, i cili në një çast shkoi të godiste një oficer policie. Pavarësisht këtij acarimi, grevistët u larguan nga pika e konfliktit duke u ulur në një lulishte aty pranë ku ka qenë i vendosur flamuri i Muzakajve me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Tiranës. Deputetët demokrat filluan të lëshonin deklaratat e tyre kundër mazhorancës ku theksonin se kryeministri Rama nuk po i lejon ish-të përndjekurit që të zhvillojnë grevë. Konkretisht kreu i grupi parlamentar demokrat, Edi Pakola tha se: “Rama i detyron të futen dhe njëherë në një sakrificë sublime, por jo vetëm kaq, kërkon ta pengojë këtë kërkesë për të drejtat e tyre. Asnjë nga këto greva s’bëhet për karriget tona.
PD nuk është duke kërkuar pushtetin, ish-të përndjekurit dhe ish-nëpunësit kërkojnë të drejtat e tyre kundër kësaj qeverie dhe kundër çdo kujt që ju cenon. Ne si deputetë të PD-së na keni mbështetje për çdo qëndrim do mbani për të drejtat tuaja. Sot ju cenohen nga bijtë e atyre që ju futën në burgje. Ne jemi këtu as për ta nxitur as për të provokuar, tani jemi njoftuar që policia kërkon edhe sot si ditën e parë kur hynë në grevë urie ish-nëpunësit, që kërkuan të drejtën e punës, po i pengon një të drejtë kushtetuese ish të përndjekurve.
Është evidente që greva nuk ka lidhje me ne”. Pas momentit të tensionit, forcat e policisë lejuan që të zhvillohej greva. Anëtarë të Partisë Demokratike u angazhuan në mënyrë direkte për ngritjen e çadrave ndërsa deputetët e Partisë Demokratike zbritën pak metra më poshtë në një kafene ku vëzhgonin ngjarjen.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)