TIRANE- Gripi i derrit ka shënuar dje edhe viktimën e parë në vendin tonë. Një grua 30-vjeçare, 13-javëshe shtatzëne nga një fshat i Fierit, e prekur nga ky virus, por shoqëruar dhe nga sëmundshmëritë e tjera, ka humbur jetën ne Sanatoriumin e Tiranës paraditen e së enjtes. Gruaja me inicialet I. M është trajtuar në reanimacion për dy ditë me radhë, por nuk ka mundur të shpëtojë për shkak të komplikacioneve të rënda. “Në shërbimin e reanimacionit të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, pacientja ka marrë trajtim intensiv përfshirë edhe ventilim mekanik. Në paraditen e datës 27 shkurt pacientja ka ndërruar jetë.

Në pasditen e po kësaj dite, nga përgjigjet rezulton se pacientja ka qenë pozitive me virusin A/H1 pdm09” ka pohuar Gazmend Bejtja, Drejtor i Drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor. Ndërkohë mjekët tregojnë mbi gjendjen në të cilën pacientja u paraqit në spital. “Para tre ditësh erdhi një vajzë e re, në gjendje të rëndë, me insuficiencë respiratore akute, temperaturë të lartë, njihej si diabetike që në moshën 9-vjeçare. Virusi kishte prekur të gjitha organet vitale. Me gjithë trajtimin intensiv pacientja ndërroi jetë", thotë doktoreshë Alma Cani, shefe e reanimacionit të Sanatoriumit.

26 raste me gripin e derrit
Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se ka një rritje edhe të rasteve të prekur me Virusin A/H1N1 ose gripi i derrit dhe përkatësisht 26 raste, kurse me gripin amerikan 31 raste. Ndërkohë që në poliklinika dhe qendra shëndetësore ka një fluks pacientësh që paraqiten për vizitë mjekësore, dhe rastet dyshuese kanë shkuar për analizim në ISHP, përkatësisht 433 mostra të dyshuara për grip.

Specialistët këshillojnë vaksinimin
Duke parë këtë situatë, Drejtori i ISHP-së, Arjan Bregu ka bërë me dije masat dhe këshillat që duhet të marrin të gjithë qytetarët në këtë sezon kur numri i rasteve të virozëve dhe gripit ka ardhur duke u rritur. “Për javën që jemi në vazhdimësi, numërohen rreth 16.500 raste të infeksioneve të sipërme dhe të poshtme respiratore, pra rreth 5 %më lart, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Jemi në një situatë të qarkullimit me intensitet mesatar të gripit.

Gripi stinor transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek një tjetër i shëndoshë, nëpërmjet kollitjes, tështimës ose indirekt me prekje nëpërmjet këmbimit të duarve dhe kontakteve të tjera fizike. Virusi përhapet nga ajri nëpërmjet grimcave të ajrit, që kalojnë në grykë, hundë dhe shtohen, pas një deri në katër ditësh japin shenjat e para të gripit", tha Bregu.

Sipas tij, ndër këshillat kryesore është vaksinimi ndaj gripit, duke përfshirë dhe disa masa higjienike si vendosja e dorës para kur tështijmë, larja e shpeshtë e duarve, evitimi i ambienteve të populluara  si dhe veçimi në një dhomë më vete i familjarit të prekur nga gripi. Kujdes i veçantë duhet treguar për fëmijët e vegjël dhe të semurët kronikë, ku viruset e gripit shkaktojnë komplikacione të rënda.
 
Kush rrezikohet nga gripi stinor
 -Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit stinor dhe ta përhapë atë tek të tjerët.
-Në rrezik më të madh janë fëmijët e vegjël nën 5 vjeç , sidomos deri në 2 vjeç
-Po kështu kategoria tjetër janë mosha e tretë
-Edhe për gratë shtatzëna rreziku mbetet i lartë
-Njerëzit me sëmundje kronike,si: Astma, diabeti, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive,
-Kategori të tjera janë sëmundjet e veshkave, sëmundjet e mëlçisë, sëmundjet e gjakut, sëmundjet me ulje të sistemit imunitar si HIV/AIDS, kancer, etj.
-Edhe pacientët në kushte neurologjike, si epilepsia, distrofia muskulore, vonesa të rënda të zhvillimit, etj.
-Po kështu edhe njerëzit obezë janë të rrezikuar, si dhe të rinjtë nën 19 vjeç  që kanë përdorur gjatë aspirinën
 
Këshilla të nevojshme
-Ilaçet kundër gripit  nuk kanë efekt parandalues,por mjekues. Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhen  të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes.
-Antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut
-Nëse jeni të sëmurë me grip apo keni të sëmurë në shtëpi  duhet të mbani parasysh:  
-Qëndroni në shtëpi, dhe qëndroni veç nga të tjerët
-Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë
-Mbuloni gojën dhe hundën me shami kur kolliteni apo tështini
-Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo tështime
-Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj
-Evitoni kontaktet me njerëzit
-Pastroni dhe dezinfektoni mjediset e banesës
 
Shkrimi u publikua sot (01.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)