Ishte vetëm një vjeç e gjysmë, kur Griseldo Alhasa u diagnostikua me çrregullim të spektrit të autizmit. Për familjen, ishte një bekim. I pari djalë pas tre vajzave.
“Ka qenë shumë e vështirë. Ka ardhur si e papritur. Kam tre vajza. Griseldo është i katërti. Pas shtatë vitesh pas vajzë se fundit”, thotë Mamudie Alhasa, nëna e tij.
Sot 19-vjeçar, Griseldo është nxënës në vitin e tretë në gjimnazin profesional në Kamës, në degën e informatikës.
“Shkoj në shkollë profesionale në Kamëz. Merrem me kompjuter Tik. Më pëlqen shumë”, thotë Griseldo.
“Në klasë të katër kisha veshtirësi se ishte autik. Bëmë kërkesë për mësuese ndihmëse, na e ofruan dhe ka qenë mirë. Tani që është në gjimnaz, edhe aty ka mësues ndihmës, mësues kujdestar, mësuesen e lëndës. Ma mbajnë, ma duan”, - thotë Mamudie Alhasa, nëna e tij.
Sfidat në rrugën e tij drejt rritjes nuk kanë qenë të lehta
“Shumë vështirësi kemi pasur edhe kemi çdo ditë. Tani është dhe mosha kemi probleme, bën 20 vjeç më 21 qershor. Në autobus qeshin, e bullizojnë shumë vështirësi kemi pasur. Nuk e lejmë vetëm në asnjë vend. As në shtëpi, as në rrugë, as kurrkund”, thotë zonja Alhasa.
Në ditën botërore të Autizmit, qeveria njoftoi se do të dyfishohet pagesa mujore për 11 mijë fëmijë me aftësi ndryshe deri në 18 vjeç, si dhe për herë të parë do të njihen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për rreth 14 mijë kujdestarët dhe ndihmësit e tyre.
Komente











