Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka paralajmëruar se grupe të lidhura me Iranin mund të kenë në shenjestër opozitën iraniane në Shqipëri apo edhe subjekte të lidhura me SHBA.

Deputeti i Kuvendi të Shqipërisë, Agron Malaj, shprehet i bindur se njoftimi i Ambasadës Amerikane është protokollar, por ende deri tani nuk ka informacione konkrete për një sulm të mundshëm terrorist të orkestruar nga Irani.

"Janë deklarata që janë procedurë normale, që jepen kohë pas kohe, edhe kur ka situata si mitingje dhe protesta. E kanë si protokoll për të bërë njoftime të tilla. Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-, siç e vumë re edhe në deklaratën e ministrit të Brendshëm dhe të mbrojtjes, edhe në bazë të shkëmbimit të informacioneve me ambasadën amerikane, nuk ka rreziqe për problematika të tilla. Nuk ka pse Shqipëria të ketë një rrezikshmëri, duke qenë vend aleat i NATO-s. Masat te kampi i muxhahedinëve dhe ambasadave ka kohë që merren",- tha Malaj në "Frontline".

Juristi Romeo Kara deklaron se është i prirur t'i besojë plotësisht Ambasadës Amerikane, dhe shton se autoritetet duhet të rrisin maksimalisht vigjilencën.

"Besoj ambasadën në mënyrë absolute. Mendoj që nuk duhet të nisemi nga motivi, por këtu kemi ambasadën e vendit më të fuqishëm, që ka aksesin më të madh në infrastrukturë globale të inteligjencës. Sigurisht që është protokoll ky njoftim. Ne duhet të jemi të vëmendshëm. Masat e sigurisë do të rriten, në portet tona dhe më gjerë, janë prezent prej kohësh disa shërbime që i dinë punët edhe më mirë se ne, do të kenë një vëmendje të shtuar edhe të personat që mund të jenë indicie të caktuara",- tha Karaj.

Ish-deputeti dhe ish-komandoja Denis Deliu deklaron se nuk ka vend për panik, por shton se masat janë të nevojshme.

"Nuk ka vend për panik, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. Ne shkëmbejmë informacion me vende mike dhe vende të NATO-s që luajnë një rol të rëndësishëm për parandalimin e sulmeve terroriste. Kuptohet që historiku që kemi me Iranin është jo i mirë. Shteti shqiptar e bazon sigurinë e tij në 2 shtylla, në parandalim. Ndërkohë shtylla e dytë është reagimi, kemi angazhim shtesë të strukturave. Unë mendoj që nuk ka vend për panik, masat janë të nevojshme",- tha Deliu.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Dritan Goxhaj, thotë se pavarësisht qëndrimit stoik të presidentit Donald Trump në publik, ai tashmë është në kërkim të një zgjidhjeje për t'i dhënë fund luftës me Iranin.

"Lufta në një moment të caktuar normalisht që do të ndalet, besoj se edhe këto 2-3 javë të tjera do të vazhdojë bombardimi dhe më pas do të kërkohet të gjendet një opsion për të dalë nga kjo luftë",- thotë Goxhaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:21
'Në Iran ka pulla postare me portretin e Naim Frashërit', historiani: Teherani nuk synon të godasë shtetin shqiptar, por muxhahedinët në Manëz

 

Historiani Olsi Jazexhi shprehet i bindur se Irani nuk ka asnjë qëllim që të sulmojë Shqipërinë dhe shtetasit e saj, por nuk përjashton mundësinë e një sulmi ndaj kampit të muxhahedinëve në Manëz, të cilët janë opozita në mërgim e Teheranit.

Jazexhi thotë se në thelb, marrëdhëniet e Iranit me Shqipërinë janë të shkëlqyera dhe të veçanta, por ato janë shkatërruar përkohësisht për faj të qeverisë socialiste të Edi Ramës. 

"Irani ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë, ngaqë iranianët e shohin Shqipërinë si pjesë e kulturës së tyre, ekzistenca e komunitetit bektashian, kultura perse, veprat e rilindësve si Samiu apo Naim Frashëri janë botuar në gjuhën perse. Një nga stampat kryesore të postës iraniane është Naim Frashëri. Dje Irani ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë dhe shumë eksponentë të lartë të partisë socialiste janë financuar drejtpërdrejt nga Irani. Kemi pasur 2 presidentë socialistë që kanë marrë pjesë në konferenca me Iranin.

Nga vitet ’90 deri në vitet 2000, opozita, Partia Demokratike etj., është financuar nga bota e jashtme, partia socialiste dhe fëmijët e tyre, dhe të komunitetit bektashi, janë shkolluar në Iran",- tha Historiani.