Groenlandë, shtresat e akullit dhe ndryshimet klimatike, studiuesit: Po mundohemi të gjejmë të dhëna të reja mbi të ardhmen e planetit tonë në ngrohje

Groenlandë, shtresat e akullit dhe ndryshimet klimatike, studiuesit: Po mundohemi të gjejmë të dhëna të reja mbi të ardhmen e planetit tonë në ngrohje

Akullnaja 'Sermeq' në Groenlandë.

Në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që tashmë i ka përfunduar punimet, pjesëmarrësit shqyrtuan mundësitë e financimit të projekteve globale për të ndalur rritjen e temperaturave në Tokë.Ndërkohë, shkencëtarët në Danimarkë po përpiqen të gjejnë të dhëna të reja mbi të ardhmen e planetit tonë në ngrohje, duke studiuar shtresat e akullit në Groenlandë.

Nën dritën e zbehtë, në mënyrë që të mos kontaminojnë kampionin, studiuesit prenë mbetjet në fundin e një cope akulli për të mësuar se si ka ndryshuar ekosistemi i tij me kalimin e kohës.

“Ne po përpiqemi të mësojmë më shumë se si ishte ai mjedis, si ishin kushtet klimatike në atë kohë dhe ta përdorim atë informacion për të kuptuar se sa e ndjeshme mund të jetë shtresa e akullit e Groenlandës ndaj shkrirjes nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu në të ardhmen.”

Andrew Christ është një nga studiuesit e shtresave të akullit në Institutin Niels Bohr të Universitetit të Kopenhagës. Në këtë bibliotekë, mostrat, si ajo që ai preu më parë, qëndrojnë në rafte në pritje të studimit.

Depozitat me mbetjet e ngrira me baltë dikur shtriheshin gati një kilometër e gjysmë nën shtresën e akullit të Groenlandës. Shkencëtarët amerikanë i shpuan ato në vitet 1960 si pjesë e një përpjekjeje për të ndërtuar një bazë ushtarake atje. Ekspertët thonë se këto mostra të thella janë të vetmet që ia vlen të studiohen.

“Të gjitha matjet meteorologjike dhe atmosferike që njerëzit kanë bërë në njëqind vitet e fundit janë ndikuar tashmë nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu. Pra, nëse duam të shohim gjendjen natyrore të klimës dhe larminë natyrore, atëherë duhet të studiojmë mostra të periudhave më të hershme.”

Bo Vinther nga Instituti Niels Bohr është pjesë e ekipit ndërkombëtar të shkencëtarëve që përdorin një teknikë që nëpërmjet luminishencës zbulon se kur ka qenë hera e fundit që mineralet janë goditur në mënyrë direkte nga rrezet e diellit. Së bashku me analizat e tjera, kjo teknikë mund të tregojë temperaturat kur shtresa e akullit të Groenlandës ka shkrirë më parë. Rezultatet fillestare nga viti 2020 sugjerojnë se kjo ka ndodhur miliona vite më parë. Zoti Christ thotë se është detyrë e shkencëtarëve që t'i japin botës një libër udhëzues për këtë çështje.

“Kështu funksionon Toka. Nëse shtoni shumë karbon në atmosferë, ajo do të bëhet shumë e ngrohtë, i shkrin shtresat e akullit, ndryshon modelet e motit dhe e bën jetën shumë më të vështirë për njerëzit. Ose, mund të zgjedhim një rrugë tjetër me më pak dioksid karboni në atmosferë dhe një të ardhme që nuk është aq e pasigurt dhe e vështirë për ne”, thotë ai.

Nëse do të vendoseshin në një radhë, mostrat e ngrira do të shtriheshin në një gjatësi prej mbi 20 kilometrash. Studiuesit i mbajnë ato në temperaturë prej minus 30 gradë Celsius. Sipas një studimi të publikuar në vitin 2020, Groenlanda humbi një sasi rekord akulli në vitin 2019, shkrirja e të cilit prodhoi ujë të mjaftueshëm për të mbuluar Kaliforninë me ujë në nivelin 1.25 metra.

Vlerësohet se nëse i gjithë ai akull do të shkrihej, niveli i detit do të ngrihej me më shumë se gjashtë metra./ VOA

 

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lapardhaja: Berisha rrënoi PD, opozita s'fiton në zgjedhje! Deputetët demokratë 'luftë' për karrige të sigurt në Kuvend

Lapardhaja: Berisha rrënoi PD, opozita s'fiton në zgjedhje! Deputetët demokratë 'luftë' për karrige të sigurt në Kuvend