Gropa e Ajdinit dhe gropat
e investimeve

Gropa e Ajdinit dhe gropat<br />e investimeve
Me përjashtim të adoleshentëve, të gjithë duhet ta kujtojnë një gropë të stërmadhe pas Pallatit të Kulturës në Tiranë, që mori emrin famëkeq të “gropës së Ajdin Sejdisë”. Ajo mbeti për dekada shembulli më i keq i asaj se çfarë objektivi i kishin vënë vetes investitorët, që kërkonin të nguleshin në Shqipëri dhe, nga ana tjetër, i asaj se si shteti shqiptar katandiste përçapjet e pakta të këtyre investitorëve për të hedhur kapital në vend. Sali Berisha, që lejoi të hapej kjo gropë, ku u tha se do të ngrihej në megastrukturë ndërtimi, i ra po aq shkurt me eliminimin e saj, sa ç’i kishte rënë edhe duke dhënë OK për hapjen: e mbushi me dhe! Kështu, u gropos edhe projekti.

Imazhi i kryeqytetit që gëlonte nga kioskat në qendër, ndërtimet pa leje në skarpatet e Lanës, pa drita e pa ujë, që u spërkat keqazi edhe me skandalin e piramidave deri sa çoi në kapitullimin e shtetit, njerëzit me armë, gomonet, plantacionet e hashashit, mezi u arrit të retushohej por kërkoi vite të tëra që të fashitej. Një gjë e tillë nuk solli automatikisht investitorë të fuqishëm në vend, me projekte të rëndësishme. Vetë Berisha i Dytë, i rikthyer në pushtet, dha me bujari leje për ndërtimin e një parku energjetik në Seman të Fierit, një megastrukturë jahtesh e kazinosh në Pishë Poro të Vlorës, duke futur në llogari edhe shifra të paqena të këtyre investimeve në erë: 2.4 miliardë euro njera, dy miliardë euro tjetra, etj, etj.

Në tetë vjet, ish-kryeministri priti e përcolli ditë për ditë grupe investitorësh, projektet e të cilëve, sikur 10% të realizohëshin, tani do të na kishin zili komshinjtë e më tutje. Kjo pasarelë personazhesh pa pikë rëndësie reale në ekonominë globale i shërbente qeverisë së mëparshme për të krijuar bindjen se ishin krijuar kushtet për investime dhe të gjithë mezi prisnin të vinin e të hidhnin paratë ne Shqipëri. Në fakt, në shumicën e rasteve, pasi merrnin edhe ndonjë kontratë të firmosur me ngut nga berisha për koncesione, këta biznesmenë të papërfillshëm në vendet e tyre arrinin të merrnin edhe ndonjë kredi, duke qenë se përdornin projektet dhe letrat qeveritare shqiptare si garanci, por në fakt paratë i përdorën për të tjera qëllime.

Në letër mbetën edhe parqe gjigande të mullinjve me erë në Karaburun e Llogara, që do të furnizonon madje edhe Italinë, jo vetëm Shqipërinë, apo centrale atomike që ja ndezën keqazi fantazinë Berishës. Kompani si CEZ hynë në treg, por iu kërkuan ta hidhnin vallen sikur të ishin reparte të PD-së, pra duke falur borxhet në Bathore, duke toleruar ujësjellësat e Kamzës e Bajram Currit që nuk paguanin prej vitesh, duke i detyruar të iknin. General Electric u largua, madje, pa hyrë fare në valle. Ndërkohë, ca të tjerë si Fazlliçi & Co përfituan nga lidhja me familjen kryeministrore për të vënë në zotërim pjesë të lakmueshme të bregdetit e më tej, të përshtatshme për turizëm e industri.   

Në fakt, investitorë të huaj në Shqipëri ka. Ata janë të përqendruar në sektorët e bankave e sigurimeve, në miniera apo naftë, në telefoni, ndërkohë që shkëlqejnë në fasone. Ka patur investime edhe në energji e transport. Por Shqipëria mbetet shumë larg qenies tërheqëse për investimet sipas koncepteve e standardeve perëndimore.

Në se qeveria ka ndërmend të ndryshojë situatën dhe të krijojë kushtet për vërshim të kapitaleve të huaja, duke përdorur me efikasitet burimet e saj natyrore dhe krahun e punës, ajo ka shumë për të bërë. Duket se në prioritetet e saj ka qenë së pari shlyerja e borxheve të akumuluara si pasojë e vënies së kazmës nga Berisha e Co mbi paratë e taksapaguesve. Marrëveshjet me FMN dhe BB sollën bombola oksigjeni në këtë drejtim, duke zhbllokuar dhe firmat vendase, por gjithsesi duke mbetur borxhe. Duket se gjithnjë e më të kufizuara do të jenë paskëtaj mundësitë që të përdoren paratë e buxhetit të shtetit për të investuar direkt në rrugë apo projekte të mëdha infrastrukturore.

Por, tani, pasj një viti qeverisjeje, duhet të ndihet sërish lëvizja reale e punëve, jo për t’i krijuar më pas kryeministrit të gjezdisë nëpër vend duke prerë shirita përurimsh, por për të përfunduar së pari punimet e lëna përgjysëm e së dyti për të hapur një etapë të re në ekonominë shqiptare, atë të investimit intensive në degë të indsutrisë, bujqësisë e shërbimeve, nga ana e koncesionarëve. Sado të përqiqen administratat tatimore e doganore, rezultatet e të cilave mund të lavdërohen të paktën tani për tani, nuk do të jetë arka e shtetit ajo që do të përballojë ndryshimin e ekonomisë dhe jetës së shqiptarëve. Por do të jenë paratë, që në botë ka në formë të lirë, që presin se ku të investohen, e kompanive të mëdha të investimeve.

Hapja e dyerve në industrinë e lehtë me material porositësi apo në call center është gjëja më e lehtë për t’u bërë dhe ajo po bëhet. Ajo që pritet të bëhet tani e tutje është krijimi i një kantieri të madh në vend, jo më me lekët e taksapaguesve, por të koncesionarëve. Të atyre që në Evropë po hasin vështirësi pa fund nga ulja e kërkesës prej krizës, nga taksat e larta, të atyre që në Azi, Kinë, Rusi, vendet arabe, Brazil, Izrael, Afrikë të Jugut, Kazakistan vëzhgojnë me imtësi të gjitha tregjet ku të investojnë kapitalet e tyre të lira. Në Shqipëri duhet të hyjnë kompanitë e mëdha të hidrokarbureve, që nuk e kanë për gjë të investojnë në Greqi, por tek ne vijnë vetëm si bashkëkontraktuese, si në rastin e SHELL-it, etj.

Në Shqipëri duhet të krijohen kushtet për investime të konsiderueshme nga jashtë në agrobiznes, në një vend me klimë tejet të favorshme, por tmerrësisht të parcelizuar nga pikëpamja e pronësisë, madje me probleme serioze lidhur me të drejtën mbi këtë pronësi. Duhet të vijnë kompanitë e mëdha për ndërtime hekurudhash, portesh, aeroportesh, HEC-esh e centralesh me energji alternative, rrugësh e resortesh. Duhet të vijnë kompanitë e mëdha të teknologjisë së informacionit, të shërbimeve të ndryshme, që kanë pushtuar tigrat e Azisë, zonat rurale të Kinës, ish-republikat sovjetike, edhe Maqedoninë fqinje, por tregohen dyshuese të vijnë në Shqipëri.
Pas një viti qeverisjeje, kur disa nga drejtimet e punëve të shtetit janë vënë gradualisht në binarët, nga kishin dalë totalisht, tanimë pritet që të krijohet një atmosferë si asnjëherë tjetër drejt investitorëve potencialë. Kjo nuk mund të arrihet vetëm me prishje të objekteve pa leje apo bllokimin e Lazaratit.

Investimi i huaj kërkon së pari rregullimin përfundimtar të çështjes së pronësisë, që duket ende një problem shumë i vështirë për t’u zgjidhur. Po kështu, kërkon një garanci shumë më të madhe se politika nuk ndërhyn me ndryshime të shpeshta ligjore, sa herë që ndryshojnë qeveritë. Po kështu, garancia e jetës dhe siguria e investimit janë çështje kyçe, që kërkojnë angazhimin nga segmente të ndryshëm të administratës shtetërore, duke krijuar një mjedis krejt të kundërt nga ai që ka mbisunduar deri tani.

Dhënia e statusit kandidat nga BE është oguri më i mirë i mundshëm në këtë drejtim dhe jo më kot përmendet si faktor plus në të gjitha analizat periodike që Moody’s, Standard&Poors, e kompani të tjerë vlerësuese kanë bërë e bëjnë për Shqipërinë. Por, të mos harrohet se vende të tjera madje janë pranuar në BE dhe më pas janë zhvlerësuar prej tyre. Statusi nuk është gjithshka. Ai duhet justifikuar.

Gropat e Ajdin Sejdisë kanë marrë fund. Bashkë me investimet që mbetën në zyrat e Kryeministrisë, për të shpëtuar të cilat shpikeshin varjante si “të çojmë ujë në vendet arabe, në shkëmbim të gazit të lëngshëm”, e pallavra të tilla që detyronin t’i besonim. Po nuk ka më kohë për të humbur.

Ndoshta edhe duke shkundur ambasadat shqiptare nëpër botë apo duke lëvizur emisarët e shumtë, miq të Shqipërisë. Ajo që pritet tani është krijimi i besimit se Shqipëria është një vend ku investimi është i sigurtë dhe shumë fitimprurës, jo një republikë hashashi; ku njerëzve u hanë duart për punë e jo për të fituar nga krimi e shkelja e ligjit, duke ndenjur gjithë ditën kafeneve e kazinove. Ky është një front i ri, që u ka rënë “çunave” për pjesë dhe nga fitorja në të varet e ardhmja e brezave.       


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Ironia e Spahiut: A do vazhdojë protesta nesër, apo deputetët do ikin me pushime?

Ironia e Spahiut: A do vazhdojë protesta nesër, apo deputetët do ikin me pushime?