Media belge La Libre ka raportuar seancën e 29 janarit në Bruksel për vrasjen e Ardit Spahiut. Gruaja e Franc Çopjas, i cili është i akuzuari kryesor për vrasjen e 27 nëntorit në Molenbeek, ka dhënë dëshminë e saj për një videotelefonate pasi ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ajo e përshkroi si burrë besnik, “jo agresiv”, që “kurrë nuk e ngrinte zërin.” Gjithashtu theksoi se nuk ishte në dijeni të asnjë aktiviteti kriminal nga i akuzuari dhe tha se burri i saj është i pafajshëm.
Përmes videokonferencës, dëshmoi edhe një tjetër shqiptar rreth të 30-ave, nga Elbasani që është vendlindja e viktimës. Ai tha se i njihte të dyja familjet, Alibej dhe Çopja, të cilat kanë pasur një luftë mes tyre, të nisur të paktën prej dhjetorit 2018. Gjykatësja e pyeti dëshmitarin për një sherr të vitit 2017 të ndodhur në vitin 2017 ku përfshihej Franc Çopja.
Dëshmitari tha se ishte veç një “mosmarrëveshje e vogël” dhe një “zënkë e thjeshtë” që përshkallëzoi. Gjykatësja nënvizoi se zënka ishte raportuar në mediat shqiptare ku thuhej se ishin përdorur armët. Dëshmitari tha se një pjesë e dëshmisë së dhënë ditën e hënë nga vëllai i gruas së vëllait të viktimës që është anëtar i familjes Alibej, është e gënjeshtërt.
Sipas dëshmisë së një eksperti ADN-je të dhënë në të njëjtën seancë, gjatë mëngjesit, në vendngjarje nuk është gjetur asnjë material gjenetik përveç atij të Ardit Spahiut dhe shoferit të automjetit.
Franc Çopja akuzohet si organizatori dhe porositësi i vrasjes, si dhe udhëheqës i një grupi të strukturuar kriminal. Sipas prokurorisë belge, ka kontrolluar trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave.
Më 30 dhjetor 2023, ai u ekstradua nga Dubai në Belgjikë dhe prej atij momenti ndodhen në burgun e Haren. Që nga 3 shtatori 2024 ndaj tij ekziston një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet shqiptare.
Komente










