Pas skandalit me implikimin dhe ortakërinë me disa tregtar armësh, në Regjistrin Kombëtar të Biznesit zbulohet dhe një tjetër kompani e krijuar rreth një
vit më parë nga Liljana Zyla, bashkëshortja e ish kreut të SHIU-t Ylli Zyla. Firma në fjalë quhet “Dardi Security shpk” dhe është themeluar me datën 8 shkurt 2011. Kompania e krijuar prej Zylës ka patur si objekt të aktivitetit të saj tregtar operimin në fushën e shërbimeve të sigurisë. “Kompania do të fokusohet në ruajtjen e objekteve dhe institucioneve publike dhe private ,sigurimin fizik mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të shtetasve vendas dhe të huaj instalimin dhe përdorimin e sinjalistikës së radioalarmit dhe paisjeve të tjera të vëzhgimit , prodhimin, mirëmbajten dhe tregtimin e paisjeve dhe lëndëve të shuarjes së zjarrit dhe shpëtimit", shkruhet në ekstraktin tregtar të kësaj kompanie. Ndërsa Zyla është pronare e 100 përqind të aksioneve të kësaj kompanie drejtues teknik I kompanisë është caktuar shtetasi Vladimit Dervishi. Ky i fundit rezulton të jetë një ish efektiv dhe ish ushtarak punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes. Në dokumentet zyrtare të kompanisë së sigurisë "Dardi Security" rezulton se në shkurt të vitit 2012 pronarja e kompanisë, ka paraqitur në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve një njoftim për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit. Pra kompania është regjistruar në shkurt të vitit 2011 dhe ka pezulluar aktivitetin e saj në shkurt të vitit 2012 fiks një vit pas themelimit.

APARATURAT
Koha kur është krijuar kompania e sigurisë "Dardi shpk" përkon dhe me periudhën kur nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes janë porositur blerjet për disa aparatura të sigurisë mes të cilave dhe një kompjuter special i përgjimit në distancë të telefonatave. Për këtë të fundit disa deputetë të opozitës të cilët janë edhe antarë të komisionit të sigurisë kanë pretenduar se është përdorur për të bërë përgjime të paligjshme. Megjithatë deri më sot ende nuk është verifikuar procedura e blerjes së kësaj paisjeje dhe mënyra se si kjo paisje është përdorur. Nga ana e Komisionit të Sigurisë në parlament ëhstë kërkuar njohja me të gjithë dokumentacionin por ende nuk është kryer kontrolli i kërkuar nga deputetët. Paraprakisht Shqiptarja.com ka njoftuar se për blerjen e paisjes speciale të përgjimit ka qenë një kompani private shqiptare ajo e cila ka ndërmjetësuar blerjen e aparaturës që do përdorej nga SHIU. Kompania shqiptare mësohet se ka ofruar më pare aftësitë e saj për të siguruar në tregjet ndërkombëtare aparatura me përdorim të kufi zuar edhe për institucione të tjera shtetërore, si prokuroria apo policia. Megjithatë ende nuk ka të dhëna të konfirmuara nëse kompania e sigurisë "Dardi Security" të ketë qenë e lidhur me blerjet në fushën e teknologjisë së sigurisë të realizuara nga Ministria e Mbrojtjes. Burime nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë të ditur se ka qenë kompania shtetërore e import-eksportit të armatimeve "MEICO" ajo e cila ka bërë edhe negociatat, përzgjedhjen dhe transaksionin për blerjen e aparaturës së përgjimit. Të njëjtat burime shprehen se në zërin e shpenzimeve të "MEICO"-s blerja e kësaj aparature është përshkruar thjesht si "blerje paisje teknologjike telekomunikacioni për nevojat e Ushtrisë Shqiptare". Kompania shqiptare që ka ndërmjetësuar marrëveshjen me prodhuesin izraelit është thjesht një kompani që ka marrë përsipër kontaktimin e tregut ndërkombëtar. Kompania shqiptare nuk mund të ishte shitëse direkte apo me prokurë e aparaturës pasi tregtimi i kësaj aparature të interceptimit telefonik është një patentë që e kanë një grusht kompanish ndërkombëtare.

Zyla
Ish kreu i Shërbimit Informativ Ushtarak Ylli Zyla paraqiti dorëheqjen disa javë më parë pasi Shqiptarja.com vërtetoi lidhjet e biznesit të bashkëshortes së tij me disa tregtarë armësh që kishin eksportuar armatim në Nigeri. Këtë armatim ortakët e Zylës e kishin porositur dhe blerë në Ministrinë e Mbrojtjes. Por nga të dhënat e fundit të hedhura në sistemin e Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se bashkëshortja e Zylës përveç kompanive të zbuluara më parë ka themeluar edhe kompaninë "Dardi Security" e gjitha në pronësi të saj dhe e fokusuar kryesisht në import-eksportin e paisjeve të sigurisë por edhe në ofrimin e shërbimeve për përdorimin e paisjeve të sigurisë dhe sistemeve të ngjashme.