TIRANË- Një baba në kërkim të vajzës. Ismet Kalemaj vjen në emisionin ''Pa gjurmë'', jo vetëm për të rrëfyer këtë histori të jetës, por në kerkesë për t'i mundësuar një takim të munguar prej 10 vitesh me K.K, vajzën 16-vjeçare. Pasi u nda në vitin 2009, ish-bashkëshortja u largua në Gjermani, bashkë me të bijën me prokurën që i dha i ati.
Me shpresën se një ditë do të takohej Ismeti i dha një prokurë me afat 6 mujor, pa e ditur se pas kësaj jeta e tij do të merrte tjetër drejtim.
Ismet Kalemaj emigroi drejt Greqisë që në vitin 1997. Tre vite më pas me kthimin e tij në atdhe u njoh me mblesëri me një vajzë me të cilin u fejua. S.G e merr në Greqi afro një viti e gjysmë pas, ndërsa nga kjo bashkëjetesë, në vitin 2003 erdhi në jetë dhe vajza e tyre K.K, për të cilën ai është sot në emisionin ''Pa gjurmë''.
"Ka ikur që në 2006. Ka qenë ditë e dielë. 26 maj. Jetonim në Greqi të tre. Hyra në banjë për t'u larë. Më erdhi tek dera për të më thënë se do shkoj të blej bukë. Iku dhe nuk erdhi më. Mori edhe vajzën e vogël Katerinën. Në atë kohë ka qenë 2 vjeç e gjysëm vajza. Ish-nusja jetonte në Greqi, ndërsa vajzën e solli në Shqipëri. Nuk kisha asnjë numër. Vajza erdhi nga Greqia me motrën dhe dhëndrin në 2010, por sesi iku nuk e di. Vajza iku në Greqi pa djeninë tonë" , tha Ismet Kalemaj, babai i 16 vjeçares.
"Nusja lidhi jetën me një shtetas grek. Ndërsa vajzën e sjell në Shqipëri. Marrim vesh, flasim në telefon me njerëzit e ish-nuses dhe ju thashë që dua të takoj vajzën. Sa ishte vajza në Shqipëri nuk ma mohuan. Gjykata vendosi që vajzën ta mbante nëna. Për babin u vendos që ta takonte të shtunën e parë dhe të shtunën e fundit të muajt. Gjatë gjithë muajit gusht dhe 10 ditë të dhjetorit. Ramë dakord me nusen që ta merrte vajzën. Ajo na tha se nuk donte nga Ismeti asgjë për vajzën. Ramë dakord. Vajzën e mori në Greqi. Ne nuk kërkojmë hesap as nga nusja as nga ish-krushku. Ju lutemi ju si avokat, si emision që të na krijoni një mundësi që të gjejmë vajzën. Në mos ta takojmë të paktëm një numer telefoni. Nuk kanë punën as ato me ne, as ne me ato. Ne s'kemi bërë kallzim pasi jemi munduar të merremi si njerëz. Ne siç e filluam miqësinë u munduam që ta vazhdojmë sepse na bashkon një fëmijë", u shpreh Alush Kalemaj, gyshi i vajzës.
"Edhe ditëlindjen ia festoj sikur e kam në shtëpi. Edhe i vdekur të jem do thonë vajza e Ismetit. Nuk e mbaj dot veten sepse nuk i thonë pak 10 vjet", tha babi i vajzës.
Nuk arriti ta marr në krahë qysh prej fillimit, pasi në momentin kur vajza u lind Ismeti kishte pësuar një goditje në kokë dhe ndodhej në spital.Ai iu nënshtrua një operacioni, goditje nga e cila vuan ende sot pasojat.
Jetuan bashkë deri në vitin 2006, kur papritur bashkëshortja u largua nga banesa e tyre në Greqi pa i thënë asgjë babait të vajzës.
Ajo u kthye në Shqipëri dhe la të bijën e mitur tek prindërit e saj, për 2 vite e gysëm, për ta rimar në Greqi. Në vitin 2009 ndodhi divorci. Ndërsa me prokurën që i mori ish-bashkëshortit u largua ilegalisht në Gjermani, me të bijën dhe bashkëjetuesin grek me të cilin kishte sjellë në jetë edhe një djalë.
Sot i mbetur vetëm, pas sakrificave si emigrant në tokën helene për të mundësuar një jetë më të mirë për të dhe familjen e tij, Ismetit iu shemb para syve gjithçka kishte ndërtuar, sikur një kështjellë prej rëre. Shpresa iu ringjall në vitin 2019, kur vëllai i ish-bashkëshortes, E.G i kërkoi të atit një tjetër prokurë, me pretendimin se i nevojitej për të sjellë mbesën në Shqipëri që të mund të takohej me të atin, por kjo gjë nuk ndodhi kurrë. I zhgënjyer nga jeta dhe i mashtruar nga ish-bashkëshortja, Ismet Kalemaj ndodhet në studion e emisionit “Pa Gjurmë” në kërkim të së bijës, sot një 16-vjecare, me të cilën u nda padrejtësisht.