OFL zbarkon në Elbasan dhe kërkon burimin e pasurisë për 4 të dënuar për grup kriminal, trafik droge e trafik armësh. Mes tyre edhe Kelmend Dalipi pjesë e grupit kokaina nga laboratori i drogës në Xibrakë. 4 emrat në Elbasan, të cilët u bënë subjekt i OFL janë Kelmend Dalipi i njohur nga dosja 'Xibraka', Eduart Haxhi i dënuar dhe kapur për trafik droge, Xhiljano Xhoxhi i dënuar gjithashtu për drogë me 10 vite burg nga drejtësia italiane si dhe Agron Mehja i dënuar për trafikim të armëve dhe municioneve.
Kelmend Dalipi, 45 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Dalipi është një nga të arrestuarit e dosjes 'Xibraka' ku u zbulua laboratori i përpunimit të kokainës dhe u arrestuan 11 persona, mes tyre dhe nipi i Enver Hoxhës, Ermal Hoxha. Në laborator u gjet dhe sekuestrua sasia prej 19 kilogramë e 416.2 gr lëndë narkotike e dyshuar kokainë; 8 kg e dyshuar si përzierës i lëndës narkotike kokainë; 400 euro; 769.000 lekë të reja dhe 4150 dollarë amerikanë.
Eduart Haxhi, banues në Elbasan, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal'. Ai është arestuar në 2018 si pjesë e grupit të trafikimit të 580 kg kanabis në pikën e kalimit kufitar në Qafë-Thanë. Droga ishte fshehur në një fugon dhe po shkonte nga Elbasani drejt Korçës. Fugoni rezultonte në pronësi të një firme fasonerie në Fier.
Kelmend Dalipi dhe Eduart Haxhi
Xhiljano Xhoxhi, banues në Elbasan, i dënuar ne Itali për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Ai është arrestuar në nëntor të vitit të shkuar pasi kërkohej prej vitesh nga drejtësia italiane i akuzuar për grabitje dhe trafik droge. Xhoxhi është dënuar nga drejtësia italiane me 10 vite burg si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikun e lëndëve narkotike. Ai njihej edhe si krahu i djathtë i “kapobandës” së drogës që drejtohej nga Ilir Koçiaj. Të dy ngritën rrjetin e trafikimit të drogës, punë për të cilën përdornin korrierë nga 6 vende të ndryshme të botës.Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Agron Mehja banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”;
Këta persona kanë 48 orë kohë ëpr të plotësuar dhe dorëzuar formularin ku do të vetëdeklarojnë pasuritë e tyre. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.