Një tjetër operacion i Krimit Ekonomik ka zbuluar rast mashtrimi ku i dyshuar kryesor është Florian Gjergji. I riu nga Shkodra, që dyshohet se aktualisht ndodhet në Gjermani, ka arritur të mashtrojë një kambist në Durrës.
Sipas hetimeve, Gjergji i është prezantuar kambistit përmes mesazheve si kushëri i një biznesmeni të njohur. Duke përfituar nga fakti se kambisti kishte njohje me familjarin e biznesmenit, ai ka fituar besimin e tij dhe i ka kërkuar 60 mijë euro. Më pas, kambistit i është dhënë udhëzimi që shumën ta dorëzonte te një person pranë qendrës tregtare TEG në Tiranë.
Pasi ka marrë paratë, ky person është larguar drejt Elbasanit, ku është takuar me një tjetër person që kishte mbërritur me taksi nga një zonë rurale. Pas dorëzimit të shumës, personi i dytë është larguar menjëherë. Dy personat e përfshirë në skemën e tërheqjes së parave janë identifikuar dhe arrestuar nga policia. Gjatë dëshmive të tyre, ata kanë deklaruar fillimisht se janë kontaktuar dhe orientuar nga Florian Gjergji.
Mashtrimi është zbuluar falë reagimit të vetë kambistit. Pasi dorëzoi 60 mijë eurot, ai kontaktoi mikun e tij për t'i konfirmuar se kishte kryer porosinë. Vetëm në atë moment ka mësuar se personi në fjalë nuk i kishte kërkuar asnjë shumë parash, duke kuptuar se kishte rënë pre e një skeme mashtrimi.
Florian Gjergji prej kohësh është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ndërsa dyshohet se fshihet në Gjermani. Skema me të cilën operon grupi i tij, është përdorimi i identiteteve të personazheve publikë, kryesisht figura të politikës, për t’i kërkuar para palëve të treta.
Përveç rastit të fundit ku është përdorur emri i kryebashkiakut të Malësisë së Madhe Tonin Marinaj, ky grup ka mashtruar dhe në emër të Taulant Ballës duke i marrë 100 mijë euro një biznesmeni si dhe në emër të Erion Veliajt. Ky rast dështoi, pasi biznesmeni e kishte kuptuar që bëhej fjalë për mashtrim.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










