TIRANË- Para një vendimi të rëndësishëm që do të përcaktojë fatin e numrit dy të qeverisë së tij, Edi Rama do t’i mbledhë të tijtë, jo vetëm deputetë por edhe ministra, në Pallatin e Brigadave.

Edhe pse kryefjala e mbledhjes pritet të jetë vendimmarrja nëse do t’ia dorëzojnë apo jo drejtësisë zv/kryeministren Belinda Balluku, axhenda që u është bërë me dije socialistëve ka një karakter më teknik. Mbledhja do të nisë me fjalën publike të kryeministrit Rama, për të vijuar me raportimet e 10 ministrave për diskasteret që ata drejtojnë, punët dhe projektet në zbatim. Në fund, mbledhjen e mbyll kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.

Por e gjithë vëmendja do të jetë te qëndrimi që socialisët do të kenë për Ballukun. 3 prokurorët e SPAK që dy ditë më parë, për 5 orë parashtruan në Këshillin e imunitetit fakte e argumenta shtesë se përse duhet ta arrestojnë numrin dy të qeverisë, nuk arritën t’i bindnin socialistët, që qëndrimin thanë se do ta marrin në grup.

Edhe pse Taulant Balla indiciet e para i dha, se për mazhorancën, pezullimi nga detyra mund të jetë mjaftueshëm.

Fatin e Belinda Ballukut do ta vendosë kuvendi me shumicë socialiste, i cili do të duhet të zgjedhë mes dy raporteve, atij të opozitës për lejimin e arrestimit të Ballukut, apo një qëndrimi të socialistëve që i qartë do të mësohet vetëm të enjten. Vendimin pro apo kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, Kuvendi pritet ta marrë në një prej 2 seancave të ardhshme plenare, 5 ose 12 mars.

Kliko këtu për të lexuar axhendën e plotë