Grupi LYNX: “Fat, të kesh fans
Adi Krastën dhe Enkel Demin!”

Grupi LYNX: “Fat, të kesh fans<br />Adi Krastën dhe Enkel Demin!”
Të shpërblehesh për punën që bën, sidomos në art, kohët e sotme konsiderohet arritje e madhe…Për një arsye apo tjetër, del diçka apo dikush, në rolin e “maces së zezë” që të pret rrugën! Kujtoj jo pa qëllim shprehjen e të madhit Gëte: “Guximin ke humbur? Gjithçka ke humbur!”, në formë vlerësimi dhe komplimeti për të rinjtë, që punojnë fort deri në përmbushjen e qëllimeve të tyre. Dihet që muzika rrok është e pavdekshme, balada të pafundme na transmetojnë emocione të forta, sa herë i dëgjojmë, pavarësisht kohës, së cilës i përkasin. Kjo rrymë është lëvruar edhe në vendin tonë dhe misioni po vazhdon, me shumë sukses madje! Kam vendosur të zhvilloj një intervistë të sinqertë me një grup, tashmë të konsoliduar, që vetëm pak ditë më parë kanë publikuar albumin e tyre të parë. E ndërsa mora rrugën për t’i takuar, në mendje më vinin pyetje të shumëllojshme. Çfarë i dallon nga të tjerët? Si është e mundur të jenë kaq kompakt dhe të bashkuar? Pse nuk mërziten me organizatorët e kompeticioneve, edhe pse nuk janë vlerësuar aq sa duhej? Në këtë çast dëgjova larg melodinë “Rebel Yell” të Billy Idol  duke kuptuar se i kisha më afër, nga sa e mendoja…



Përshëndetje dhe punë e mbarë… Pse ende në prova, nuk duhet pak pushim, pas gjithë këtij suksesi?

Lynx: Provat janë pjesë e pandarë e ditës sonë, është njësoj sikur të kalojmë një ditë, pa pirë asnjë gotë uji. (buzëqeshin) Gjendemi përpara sezonit të verës dhe volumi i punës rritet. Kemi shumë data koncertesh, në të cilat përpiqemi të japim gjithnjë maksimumin.

Një prezantim të shkurtër për veten, thoni gjërat më të mira, që të bini në sy…

Vokalisti Endrik Beba : Dua veten dhe jetën, po nuk konceptoj asnjërën të shkëputura nga muzika…

Kitaristi Aurel Gjini : Iniciator i krijimit të këtij grupi, që është krenaria ime më e madhe…

Tastieristi Renato Rexha : Jam “backstage” i të qeshurave të grupit, i ushqej frymën optimiste.

Basisti Rei Sulejmani : Fjalëpak, punëshumë… Koordinoj me shikime, pa qenë “shefi”!

Brenda një kohe të shkurtër, keni gjetur mundësi për të qenë prezentë, në shumicën e aktiviteteve artistike! Si e menaxhoni?

Lynx: Duhet të pyesësh menaxherin, i cili luan një rol të jashtëzakonshëm (buzëqeshin). Të katërt ecim në të njëjtën rrugë, për të njëjtin qëllim. Kështu e kemi të thjeshtë të merremi vesh, duke mos harxhuar kohë me debate apo vogëlsira. Kemi prioritet muzikën, kemi lënë në hije qejfet dhe kënaqësitë e moshës.

Në promovimin e albumit tuaj të parë, me titull “Sa pak mjafton” ishin prezentë shumë artistë “rivalë”… Cilat ishin komentet e tyre?

Lynx : Obligohemi të kthejmë një përgjigje klishe, por kështu qëndron e vërteta: ruajmë raporte të mrekullueshme me të gjithë. Fakti që iu përgjigjën ftesës dhe ishin aty, tregon shumë. Përmendim këtu emra si : Ermal Mamaqi, Dr.Flori, Vedat Ademi, Burn, Elis Nova…dhe shumë të tjerë, të cilët i falenderojmë përzemërsisht.

Dhe jo vetëm kaq…Keni fansa personazhe me peshë në median shqiptare, si Adi Krasta dhe Enkel Demi. Si e komentoni këtë konstatim?

Lynx : Përgjatë viteve kemi mësuar të njohim njerëzit me zemër të madhe, njerëzit e vërtetë që nuk kushtëzohen nga statuti i tyre. Vlerësimi që na kanë bërë është i jashtëzakonshëm, oguri më i mirë, për një karrierë, që pretendojnë të shkojë larg… Të ftuar në emisionet përkatëse, të dy moderatorëve të mëdhenj, na është ofruar komoditet, si asnjëherë tjetër. Enkel Demi ofron albumin tonë për gjithë të ftuarit, deri në fund të sezonit televiziv. Ndërsa Krasta është Krasta dhe fjalët për të, janë të tepërta! Faleminderit që na përkrahni!



I keni kënduar dashurisë dhe vajzat kanë të drejtë, t’ju admirojnë…Si silleni me fanset?

Lynx : Na inspirojnë zërat femërore, që tejkalojnë notat e larta të këngëve dhe vokalistit… (buzëqeshin). Vajzat janë përherë të mirëpritura në koncertet tona, ne luajmë çfarë ato duan!

Është dikush që meriton melodinë e “Si ty askush”?

Lynx : Kjo përgjigje nuk meriton të jepet në grup, ama do përpiqemi…(qeshin) Gjysma jonë më e mirë, momentalisht është muzika!

Pjesëmarrës në festivalet më prestigjioze shqiptare, prej të cilave nuk keni marrë vlerësimin e duhur, sipas publikut…Pse nuk jeni mërzitur kurrë me organizatorët?

Lynx : Sa pak mjafton…(qeshin) Nëse publiku ka këtë mendim, tregon se këngët dëgjohen dhe pëlqehen prej tyre. Ky është synimi ynë kryesor, të cilin e kemi përmbushur në shumicën e rasteve. Këndvështrimi mbi çmimet është relativ, organizatorët na kanë respektuar…Nuk meritojnë të mërzitemi me ta, sepse në fund të fundit nuk zgjidhim asgjë!

Kanë qarkulluar thashetheme se përpiqeni të imitoni grupe të famshëm, madje edhe kosovarët e “Elita 5”. Është e vërtetë?

Lynx : Kjo pyetje nuk vlen më, në këtë kohë! Tashmë në duart e gjithë adhurueve të muzikës sonë gjendet albumi, që përban plot dhjetë këngë. Secila prej tyre është punuar me shumë kujdes dhe profesionalizëm, përkushtim të rrallë. Duhet ta njohësh rrokun, për ta vlerësuar atë! Për njerëzit që kanë bërë këto komente, kemi rezerva nëse kanë informacion mbi këtë rrymë, apo jo?

Cili është sekreti juaj, që jeni kaq kompaktë dhe të bashkuar? Ka plot raste, kur grupe të mëdha janë ndarë, për arsye të ndryshme…Ndjeheni të rrezikuar?

Lynx : Ne jemi Lynx, kostant në vazhdimësi, lidhur me raportet, që kemi krijuar. Përpara se kolegë, jemi miq të mirë. Shpenzojmë bashkë pjesën më të madhe, të ditë-natës dhe ende nuk kemi patur asnjë krisje! Koha do e tregojë, le ta lëmë të flaës ajo me fakte! Nëse do zgjatemi në këtë pikë, merakosemi se mos na merrni më sysh! (qeshin)

Fitoni mirë?

Lynx: Sa për vete, nuk kemi borxhe për investimet tona…(qeshin)

Për cfarë nuk ju pyeta?

Lynx: Sesi t’u dukën përgjigjet?

E lëmë lexuesin ta gjykojë…Suksese djema!

Lynx :
Faleminderit për intervistën e clirët, larg “protokollit” gazetaresk!

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të suplementit “THASH&THEM” të gazetës “Shqiptarja.com”

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

1/2
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Berisha ekziston në politikë sepse i duhet Edi Ramës, si skemë për mandatin e 4 dhe 5

Spahiu: Berisha ekziston në politikë sepse i duhet Edi Ramës, si skemë për mandatin e 4 dhe 5