'Grushti i shtetit' në Moskë, a ishte Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik vazhduese e Carit?

'Grushti i shtetit' në Moskë, a ishte Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik vazhduese e Carit?

(Vijon nga numri i kaluar)

Duke parë evolucionin e situatës sovjetike në vitet e fundit, burokracia partiake, shtetërore dhe ushtarake kishte krijuar bindjen se në Moskë kishte dy pushtete: a) pushteti i Komitetit të Jashtëzakonshëm dhe b) pushteti i Presidentit Jelcin dhe i pasuesve të tij në Federatën Ruse. Mungesa e M. Gorbaçovit gjoja për arsye shëndetësore, i dha pësore, i dha përparësi mendimit për të vepruar me prudencë. Manifestimet e mëdha në Moskë, Leningrad etj., përcaktuan që burokracia konservatore t’i jepte fund manovrave autoritare. Në fakt, fundi i Bashkimit Sovjetik mund të siglohej qysh në momentin kur Jelcini ndaloi veprimtarinë e Partisë Komuniste.

Aparati gjigant i partisë 90-vjeçare u gjend i befasuar dhe nuk ndërmori asgjë konkrete për të vënë në vend dinjitetin e mohuar. Me sa tregoi koha, në atë periudhë kishte tre grupe anëtarësh të partisë tradicionale komuniste.

     a) Në grupin e parë përfshiheshin funksionarë të lartë të partisë në qendër e në republika që ishin të interesuar pas privilegjeve politike e sociale dhe pak apo aspak interesoheshin për teoritë dhe projektet reformiste.

     b) Në grupin e dytë përfshiheshin funksionarë të rangut të mesëm, të cilët prireshin pas karrierës administrative dhe gjykonin perestrojkën e glasnostin vetëm sipas interesave të karrierës.

     c) Grupi i tretë, ku përfshiheshin anëtarët e thjeshtë të partisë që vetëm votonin dhe besonin verbërisht në idealin komunist. Kjo parti kishte dalë jashtë loje, ishte burokratizuar dhe nuk kishte sensin e kohës.

     Përderisa partia ishte shteti, mohimi i këtij parimi vetvetiu çonte në rënien e modelit shtetëror sovjetik. Në rastin e gushtit të vitit 1991 nuk ka një grusht klasik shteti si ato që njeh historia botërore dhe kur një grup politik zëvendëson nje grup tjetër. Në kohët moderne është vështirë të mendohet që në një grusht të përfshihet zëvendëspresidenti, kryeministri, ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm, kryetari i KGB-së etj., dhe aksioni ushtarak të mos ketë sukses. Ndoshta është më i saktë prof. Riazanovsky kur i cilëson ato si manovër autoritare. Kjo manovër e burokracisë konservatore nuk mundi të frenonte një nga ndryshimet më të mëdha gjeopolitike të shek. XX, shpërbërjen e perandorisë sovjetike. Deri tani, sikurse vë në dukje H. Kissinger-i, “kurrë ndonjë fuqi tjetër botërore nuk është shpërbërë kaq tërësisht dhe kaq shpejt, pa humbur në luftë”.

     Një analizë logjike i bën ngjarjeve të gushtit të vitit 1991 Eric Hobsbawm. Ndër të tjera, në traktatin “Epoka e ekstremeve”, ai e cilëson grushtin e shtetit si “një dramë e luajtur nga një grusht i vogël aktorësh mbi kryet e popullit të shumëvuajtur”, se 48% e popullsisë dhe 70% e komiteteve të partisë dhe se shumë qeveri të huaja mbështetën grushtin e shtetit. Një grusht simbolik shteti mund të dështonte edhe nga një rezistencë simbolike, sepse gjëja e fundit për të cilën qenë të përgatitur apo që dëshironin komplotuesit ishte një luftë civile. Në të vërtetë ata synonin të ndalonin atë që kishin frikë shumica e njerëzve, zhytjen e vendit në një konflikt të thellë. Perestrojka e kishte ndryshuar shoqërinë sovjetike dhe në mënyrë të veçantë i kishte dhënë fund autoritetit shtetëror. Institucionet e mjegullta federale ranë në dorën e komplotistëve, kurse institucionet jo aq të mjegullta të republikës ruse mbetën nën ndikimin e presidentit B. Jelcin. Këtë konjunkturë e shfrytëzoi Jelcini, mobilizoi pasuesit e tij në Moskë, paralizoi lëvizjen e trupave dhe i detyroi puçistët që të tërhiqeshin.

     Perandoria sovjetike ka qenë vazhduese e perandorisë cariste. Midis tyre ka ngjashmëri në përmbajtje dhe në synimet që ndiqnin grupet politike shoviniste rusomëdha, që drejtonin administratën, ushtrinë, policinë (ohranën), Dumën në Petrograd apo në Moskë.

Në krye të piramidës shtetërore dhe e klikës së bojarëve e të tregtarëve ishte Cari, i trashëguar nga dinastia e Romanovëve. Cari i fundit, Nikolla II, u përmbys nga revolucioni demokratik i shkurtit të 1917-s. Për Rusinë filloi etapa e re historike dhe u krijuan mundësi që edhe ky vend të zhvillohej në rrugën e demokracisë dhe të fitonte kohën e humbur nga zhvillimet e mëparshme. Revolucioni, duke demokratizuar vendin dhe duke synuar të zgjidhë çështje të tilla si ato të tokës, të lirisë dhe të paqes, do ta afronte Rusinë me Perëndimin. Kuadri i ashpër i luftës politike, kushtet e Luftës së Parë Botërore dhe paqartësitë apo frika e liderëve politikë, krijuan kushte që Partia Bolshevike të sigurojë primatin politik dhe të përgatisë e të drejtojë revolucionin socialist në tetor të vitit 1917.

     Produkt i revolucionit ishte krijimi i shtetit totalitar sovjetik dhe mohimi i rrugës demokratike. Idetë për një botë të re mbetën vetëm një iluzion. Shteti bolshevik trashëgoi dhe mbrojti frymën e vjetër nacionaliste e shoviniste rusomadhe dhe goditi ashpër çdo prirje për liri e pavarësi. Natyrisht që modeli ekonomik shoqëror sovjetik kishte format specfiket të tij, por në thelb perandoria mbeti perandori. Moska për formë ndryshoi emërtimet, veç kahu politik ishte i njëjtë. Kështu në vend të Carit doli sekretari i përgjithshëm i komunistëve, në vend të Dumës Sovjeti Suprem, në vend të kryetarit të Dumës presidenti i Sovjetit Suprem, në vend të Këshillit Perandorak Komiteti Qendror i Partisë Komuniste, në vend të gubernave rajkomet, në vend të ohranës (policisë sekrete) CEKA-KGB, në vend të internimeve në Siberi lindën Gulagët etj.

     Edhe sovjetologët më të kualifikuar, në prag të viteve ’90 të shek. XX, nuk flisnin veç për dobësitë e shtetit sovjetik. Askush nuk parashikoi fundin e superfuqisë, që për pesë dekada ishte protagoniste kryesore në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe posaçërisht në Luftën e Ftohtë. Shpërbërja ishte pasojë e dështimit të modelit socialist totalitar që ekzistoi për _5 vite dhe që ishte paraqitur si e ardhmja e bottës. Ky model i kishtte shteruar të gjitha mundësitë për zhvillim dhe u përfshi nga një krizë e thellë politike e ideologjike, ekonomike e sociale. Logjikisht, në dallim me dështimet dhe me shpërbërjen e perandorive që lidheshin me luftërat botërore apo rajonale, në rastin sovjetik rol përcaktues luajtën faktorët e brendshëm.

     Në garën midis dy sistemeve socializmi dështoi përballë kapitalizmit, ekonomia e planifikuar socialiste dështoi përballë ekonomisë së lirë liberale, centralizmi dështoi përballë iniciativës së lirë. Përmbysja u arrit nga aksionet e pandërprera politike të punonjësve. Në fakt Moska u gjend e çoroditur përballë lëvizjeve antikomuniste si në Evropën Lindore, ashtu edhe brenda Bashkimit Sovjetik. Për më tepër revolucioni demokratik në shoqërinë sovjetike çoi në shpërbërjen e shtetit shumëkombësh dhe shndërrimin e çdo republike në shtet të pavarur.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

 Përgatiti për botim Dhurata Hamzai

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë