Ditën kur nga selia e BE-së arriti në Prishtinë Joost Korte dhe solli lajmin e mirë për fillimin e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, në përpjekje për t’iu shmangur bezdisë së fushatës zgjedhore nga televizori, falë teknologjisë së shekullit XXI, ika larg e larg. Së paku në histori.
Së pari duhet ta sqaroj qëndrimin për zgjedhjet. Nuk është se jam indiferent ndaj tyre, përkundrazi, ka kohë qëkur e di saktësisht se cila do të jetë zgjedhja ime më 3 nëntor.
Por, është tepër frustruese ta dëgjosh një djalë atje, sado i veshur me shije dhe i arsimuar të duket, se si paska një vizion për qeverisje, deri sa është po aq e sigurt se ai vizion i tij do të bëhet copë e grimë, sapo bosi i tij partiak të ketë ndonjë ambicie tjetërfare nga një tender i madh.
Të mos flasim për ata që, kur i sheh në afishet e rrugës, të duken si fytyra nga fletarrestet e Interpolit. Apo për deputetët, të cilët paskan vendosur të kandidojnë për kryetarë komunash, ndonëse në poste të tilla – siç vërejti me ironi të mprehtë kryeparlamentari Krasniqi – i kanë pagat më të vogla! Thuani të flijojnë paksa nga mirëqenia e tyre për të mirën e popullit?!
Tash për historinë. Dokumentari “Greqia e Lashtë: Revolucioni i demokracisë” (History Channel) është një tregim i mrekullueshëm dhe i bindshëm se si njerëzimi e zbuloi demokracinë. E bënë këtë grekët e lashtë, të cilët, deri para dy mijë e pesëqind vjetësh, kultivonin kultin e heroit.
Trimëria deri atëherë kishte një kuptim të vetëm: merre pushtetin kurdo e si do që të mundësh. I vetmi rregull është që të jesh i gatshëm të luftosh për atë që e dëshiron dhe të dëshmosh se mund të fitosh. Atëherë ndodhi një ndryshim i madh.
Gjithçka ka shkakun dhe pasojën, si dhe një njeri i cili ishte mjaft i mençur që ta lexonte mirë situatën dhe të merrte vendime të duhura: Klisteni.
Në rini ai e kishte parë se si mund të ngrihet dhe të lulëzojë një qytet nga njeriu, i cili së pari herë për të ardhur në pushtet e kishte kërkuar ndihmën e popullit; pastaj kishte përjetuar një diktator paranojak si të kohës sonë, i cili nuk zgjedh mjete për t’i hequr qafesh kundërshtarët, kishte bërë komplot kundër tij, pastaj edhe vetë ishte rrëzuar në të njëjtën mënyrë nga një tjetër me ndihmën edhe të spartanëve, dhe ishte dënuar me syrgjyn. Atëherë përsëri ndodh diçka e paparë deri atëherë: populli i paorganizuar bën kryengritje dhe ia del ta mposhtë tiranin e t’i përzërë spartanët. Pas fitores e vërejnë se u mungon dikush: një prijës. E thërrasin Klistenin nga syrgjyni.
Klisten tash e dinte se populli i Athinës ndjehej zot i fatit të tij. Ishin edhe Lojërat Olimpike ato që, këtu e dyqind vjet të shkuara, i bënin të ndjeheshin njësoj heronj edhe të pasurit, edhe të varfrit, meqë kishin të drejtë të garonin krah njëri-tjetrit dhe të shijonin njësoj lavdinë e fitores.
Aristokracia më s’mund të kthehej në pushtet, kohërat e heronjve kishin përfunduar. Duhej të gjente diçka që njëherë e mirë të mbyllej qarku i dhunës së paarsyeshme. Klisten e bën zbulimin e parë të asaj që do ta bëjë civilizimin grek rrezatues për epokat e mëvonshme, e të cilin Evropa do ta rizbulojë shekuj më vonë: zgjedhjen e prijësit me votën e popullit, atëherë me gurët e zinj si votë “kundër” dhe gurët e bardhë si votë “për”, të hedhur në kutinë e votimit.
Ndoshta ky tregim s’do ta kishte vendin të tregohet këtu, sikur po atë ditë të mos jepej lajmi, i cili të bënte të kuptosh se ne ende jetojmë në një kohë heronjsh: lajmi për grindjen mes Azem Sylës dhe Gani Gecit. Dhe, se si ky pushtet, duke mos ndërmarrë asgjë në këtë konflikt të ngrirë, vetëm sa dëshiron që ta ruajë gjendjen, në të cilën heroi i merr të gjitha.
Dhe se si, pos me bisedimet me Serbinë, me asgjë nuk ka kontribuuar që të vijë ai njeriu nga Evropa, duke na e treguar rrugën e vetme për përfundimin e epokës heroike. Dhe, e fundit: në qoftë se megjithatë nuk do të dini ku t’i vëni gurët e bardhë të dielën, atëherë së paku do të dini ku t’i vëni të zinjtë.
/Shqiptarja.com