Gurakuqi: Gjuha shqipe, e vobektë e si e
ngurtë, përkulet e përdoret me vështirësi

Gurakuqi: Gjuha shqipe, e vobektë e si e<br />ngurtë, përkulet e përdoret me vështirësi
Kam shumë uzdajë, e gati mundem me thanë se jam i sigurtë, qi të gjithë këndojtorët e të gjithë Shqiptarët bashkë, do t’a kenë zgjedhë , pritë e pëlqye me shumë gëzim artikullin e Drejtorit të kësaj fletore, me të cilin na thirrte e na ftote me u mbledhë e me u marrë vesht për me qitë bashkarisht themelin e nji gjuhës kombtare, të nji gjuhës së përbashkme shqipe.

            Sa e vlefshme të jetë kjo punë për né nuk kam pse t’a diftoj, pse të gjithë ata, qi kanë për zemër të rritunit e shkëlqimin e emnit shqiptar, e marrin vesht prej vedit. Nevoja e saj del e tfaqet sheshit prej arsyenave të thella, të lidhuna e të randa, qi n’at artikull siellte Drejtori i “Albanies” me at shije e me ato mënyrë të pëlqyeshme qi ai vetëm ka. E njimend, sikur drejtësisht vetë ai proe, gjuha asht batori ma i madh i kombsis, diftuesi ma i naltë e sheji ma i kjartë i njisis e i bashkimit të nji popullit.

Na, deri më sot, kena folë kot për nji gjuhë shqipe, pse kjo nuk ka rrnue njeti veç në mende të disa entuziastëve ; kena folë kot për nji komb shqiptar, pse ky nuk e ka diftue kurrë sheshit vedvedin me gjith’ato cilësi të nevojshme, qi i japin gjallim e fuqi ndîmjes kombtare. Deri më sot nuk jena kenë tjetër veç Toskë e Gegë të dámë politikisht e të dámë edhe me gjuhë, me idhnime e përçarje ndër vedi, të cilat shumë herë jena mundue me i ba edhè ma të mdhaja e të thershme tuj u këqyrë me sy të keq e tuj i u kundërshtue njeni tjetrit.

            Po tham edhè nji herë pra se me shumë gëzim do t’a kenë ndîj kët idé të gjithë shqiptarët ; nji idé, qi përpara ishte dukë si nji utopi, por qi sot mundet me shkue  në vend e me u vërtetsue për në kjoftë se asht njimend qi shkrimtarët t’onë e dishrojnë me të xehtë e e donë me gjithë zemër lulëzimin e gjuhës së vet.

Sikur kam pasë shpresë se kanë me ba shumë e shumë të tjerë, edhè un qysh tash po premtoj se, për sa të mundem, kam me marrë pjesë në të rrahun të kësaj çashtjes së re të cilës i ka hapë shtyllat fletorja “Albania” ; e kam shpresë edhè se ka për t’u rrahë me kujdes e me peshim, me dije e me pa pregjikime e pa anësi, por tuj ndjekë gjithmonë mësimet e urtis, tuj mbajtë gjith herë përpara qëllimin e naltë të lulëzimit të gjuhës s’onë e tuj këqyrë shpesh me ra në godi të shtyem vetëm prej atdhesis e prej dishirit të bashkimit !
*****
            Por ma parë se të nisi me e prekë drejtisht e me hy në zemër të saj, po më duket punë e mirë të them sot nja dy fjalë përmbi zhvillim e përparim të gjuhës, qi kanë me kenë si dera, sikur të hymit në të rrahun të kësaj çashtje.

            Sikur mund t’a dijn gjithkush, pse seicili mundet udòbisht me e vue oroe ket punë, gjuhët e foluna ndjekin edhè ato të shtredhunit e jetës së kombit, qi i flet, due me thanë, zhvillohen e ndrrojnë pa pra. E këtu për gjuhë të foluna merren ma fort vesht dialektet, qi gjinden në gojë të popullit, pse gjuhët e dekuna, si sanskritishtja, greqishtja e motshme e latinishtja, qi ndodhën ndër libra e xehen vetëm ndër shkolla, asht e dijtun se nuk mund të pësojnë ndrrime.

Fort pak mund të ndrrojnë edhe gjuhët e shkrueme e qi kanë nji letrëturë të themelueme ka herë, si me thanë italishtja, frangishtja e gjermanishtja, të cilat nuk munden me u thirrë gjuhë të popullit italian, frang a gjerman, por të njerzve të shkollës t’Italis, të Francës a të Gjermanis, mbasi ndër këto dhena nuk ka asnji vend ku të tilla gjuhë të fliten, por gjithkund e gjithmonë ndîhen në gojë të popullit dialekte të ndryshme, qi ndërrojnë e zhvillohen.

            Ndër ndrrime e ndër  zhvillime të tyne, gjuhët marrin mbrapa kanunet e rregullat e veta kur mos të jenë të trazueme prej ndonji shkaku të përjashtëm, si me thanë prej të përziemit me popuj të nji gjuhe të tjetër gjinijet, qi disa herë mundet me i u ndrrue rrjedhën. Këto ligjë e këto rregulla janë me themel, e harmonija e vërtetësija e tyne mund të vehen oroe, jo vetëm ndërmjet të ndryshimeve të dialekteve të nji gjuhës, por edhè tuj përkrahë zhvillimet e shumë gjuhve të rrjedhuna prej nji kronit.

            Të tilla oroe e kërkime, kur të jenë të livrueme e të ndjekuna me dije e kujdes, me hollim e me masë, mund të dalin shumë të frytshme e të dobishme e mund t’i u apin mjaft dritë atyne qi punojnë rreth Historisë së motshme të njerzve e të gjuhëve.

Por veç këto vendime, për aq sa janë të bukura e të vlefshme, për aq mund të jenë edhè të damshme e të rrezikshme kur mos të livrohen e mos të merren mbrapa me metoda të drejta e me parime të shëndosha ; atëherë, në vend të kërkimeve të thella e të zbulimeve të fitimshme, kena për të pasë vetëm lojë fjalësh e prralla mitologjijet, e, në vend të gjuhtarëve të ndershëm, çarlatana e andrratarë, sikur, mjerisht, kanë kenë disa ndër né !

            Gjuhësia e sotshme ka ba përparime të mdhaja ; tuj përkrahë gjuhët njena me tjetrën, kanë pasë mënyrë të dijshmit me zbulue e me kufizue krojet e degët e tyne e gjinìt e vllaznìt e popujve qi i flasin ; tuj përkrahë e tuj vue oroe dialektet e nji gjuhës, kanë mujtë me e rritë dijen e me thellue këndimin e asaj gjuhe.

            Këto këndime e këto kërkime do t’ishin shumë të fitimshme edhè për né e për qëllimin t’onë, mbasi gjuha e përbashkme, për të cilën duem me punue, do të rrjedhi prej dialekteve ma të mëdhaj të Shqipnisë e nuk do jetë tjetër veç t’afriturit bashkë e të derdhunit e tyne në nji. Në vend pra qi me marrë mbrapa disa nesh, që gjykojnë pa drejtësi e pa peshim e damtojnë kot fjalët e njenit e të tjetrit dialekt, vetëm pse nuk i ngjasin të folmes së katundit të tyne, na do të këqyrim e do të kena kujdes me i livrue e me i vue oroe mirë dialektet e para të gjuhës s’onë, e me i afritë e me i përkrahë shoq me shoq për me dijtë me zgjedhë.
*****
            Un, edhe se nuk jam filolog, jam mundue, me ate t’emen, me ba ndonji vremje këso doret, e këtu, me pak tregime, due t’i u ap këndojtorëve nji provë të fjalve qi thashë deri tash. Të marrim në trajtë shkodrane, dy fjalët : gjuhë  e kjaj e të shofim  si i i shqiptojnë ndër vise tjera të Shqipnis ; oh sa ndryshime kena për me gjetun! Po a thue gabojnë ata qi i thonë ndryshe prej nesh ? Jo me të vërtetë, por ata ndryshime na diftojnë se gjuha diku asht zhvillue ma shpejt, diku ma kadalë. Qe këtu shkallët e para, qi ato dy fjalë kanë , përmendi tjerat, si me thanë : guhë për gjuhë; gatë për gjatë; shká për shkjá;  koftë për kjoftë; kenë, çenë, kanë e kjanë për kjenë e qenë etj. etj.

            Fjala giuhë i përgjigjet greqishtes ....... , pra do t’ish nji herë :  gluhë, sikur thonë sot ndër Kolonje t’ona të Siçilies; mandej u ba: gljuhë, sikur ndihet në Kalabri, në Koloniet t’ona të Greqis e edhè në Shqipni të poshtme; ma vonë u ba giuhë, sikur thohet në Shkodër, por vetëm ndër të kërshtenë; së mbramit u ba: gjuhë, sikur thonë musulmanët e Shkodrës e ma e shuma e toskëve.

            Këto shkallë i gjejmë edhè në fjalën kjaj, qi i përket greqishtes .... ; së parit do t’ishte pra klaj, mandej kljaj, ma vonë kjaj, e në fund qaj, ndryshime shqiptimit qi ndîhen të gjitha edhe sot. Kështu kena edhè glatë, gljat, giatë e gjatë; zgleth, zgljeth, zgieth e zgjeth ; glas, gljas, gias e gjas; klumshtë, kjumshtë, e qumshtë; klishë, kljishë, kjishë(kishë) e qishë; kloftë, kljoftë, kjoftë e qoftë, etj.etj. E këto ndrrime nuk ndodhën vetëm në shqipe, por edhè në gjuhë të tjera. Prej latinishtes glans-dis erdhi frangishtja : glande, italishtja : ghianda, e shqipja : giandër e gjandër; prej latinishtes clarus erdh frangishtja clair, italishtja chiaro, e shqipja i kjartë, e i qartë.

            Prap prej fjalve latinishte : glacies (akull), glarea (zallë), cingula (rryp), strigilis (kashagi), claudo (mbylli), clamo (thërras), macula (lèqe), oculus (sy), erdhën fjalët italishte : ghiaccio, ghiaia, cinghia, stregghia a strigia e striglia, chiudo, chiamo, macchia, occhio. Mandej edhè prej latinishtes : filia erdh italishtja : figlia, frangishtja : fille (fije), shqipja : bilja, bijë e bië; sikur prej italishtes: gola erdh shqipja golja e goja; sikur prej sllavishtes : globa erdh shqipja : gljoba, gioba e gjoba; sikur në gjuhë shqipe : biir qi ban në numër shumuer : bilj, bij e bi ; popull, grumbull, akull, qi bajnë : popuj, grumbuj, akuj; lepur a ljepur, qi bajnë : lepura e ljepura e lepuj a ljepuj; mullii, kuffi, drangue, qi bajnë:mullinj, mullij a mulli ; kufinj, kufij a kufi ; drangonja, drangoj ; etj. etj.

– Në mjedis të këtyne ndryshimeve kushdo mund të na pyesin : Po cila pra asht trajta e vërtetë, cilën do  të zgjedhim na e do të përdorojmë tuj shkrue në gjuhë shqipe ? – Tash për tash asht e vështirë me dhanë nji përgjegje të shkurtë : po them vetëm se, tuj rrahë çashtjen e gjuhës së përbashkme, kena me pa se cila trajtë do të pëlqehet. E për me ba këtë un kujtoj se do të jenë mirë të zgjidhen e të përdorohen njato trajta, qi i përkasin asaj shkalle në të cilën gjindet zhvillimi i shumicës së fjalve të gjuhës s’onë.
*****
            Të gjitha këto pra janë punë të vlefshme, prej të gjithë atyne kërkimeve e këndimeve, qi përmenda për sypri, xjerret fryt e dobi e madhe ; por a thue se me kaq e kena zgjidhë problemin e gjuhës, a nuk na lypset ma tjetër qi shqipja të mund të thirret gjuhë e livrueme e e pasun, të mund të njehet gjuhë e dijshme e letrare, të mund të rrijë nji më nji me të tjerat ? Jo! Asht kot qi të rrehen, asht kot qi të mundohena me qindrue pa arsye e t’i bajmë me pa vetvedit shka nuk asht!

Për me ba qi shqipja t’arrijë n’at shtet ku ndodhen shoqet e saja lypset tjetër ; duhet me e punue e me e livrue, por me mend, me zellë e me kujdes ; duhet me i shtue fjalët e me i kufizue skajet, por me dije e me urti e tuj vue oroe e tuj marrë mbrapa ligjët e rregullat e zhvillimit e të natyrës e të kenies së saj ; duhet me i shumue frazat e me i dhanë trajtë të bukur e themel përmbledhjes së saj por me masë, me peshim e me shije ; në nji fjalë, duhet me e rritë e me e ba me përparue në mënyrë qi me këtë gjuhë të munden me u rrahë e me u diftue të gjitha kërkimet e dijes e të gjitha çashtjet e shoqnis së sotshme, a, ma mirë me thanë, qi të mjaftojnë për të gjitha nevojët e të shdredhunit të jetës së nji kombit gjithsesi e me të vërtetë të përparuem e në lulëzim.

            Gjuhët, sikur popujt qi i flitëshin, në fillim të tyne ishin të reja e të vorfna; sikur pak e të vogla ishin nevojët, idenat, dishiret e mendimet e njerëzve të parë, ashtu edhè gjuhët e tyne kishin fjalë pak, pse ma tepër nuk i lypeshin, e për  ketë pra fjalët rrajëtore (radicales) ndër të gjitha gjuhët janë fort të paka. Por tuj u shtue njerzit, tuj u rritë e tuj u pjekë mendimet e idét e tyne, tuj lëshue degë e gema të rij dija, tuj dalë për ditë punë të reja e tuj u ba zbulime gjith-farësh, shkurt, tuj u shumue mendimet, idét, dija, qëllimet, dishiret e nevojët e popujve, këta, së mbramit, e vunë oroe se fjalët e para nuk u mjaftojshin ma, e u gjetën të shtrënguem me krijue fjalë të tjera tuj i nxjerrë prej të motshmëve, e kështu lenë fjalët e prejardhuna (derivées).

            Gjuha shqipe ndodhet gati si në shtet të përparshëm, asht e vobekë e si e ngurtë, përkulet e përdorohet me të vështirë e nuk e ka atë lehtësi e veçori shqiptimit qi duhet. Do shtue pra e do rritë e me punë i do dhanë shkas kah përparimi, pse vetëm tuj e livrue mund të përmirësohet e mund të rritet, vetëm tuj e punue kena me i pa nevojët e saja e kështu kena me u mundue edhè me i qortue gabimet e me i mbushë mungesat.

E këtu po i përmendi prap fjalët qi pata shkrue nji herë tjetër për mbi shtim e shumim të skajeve, due me thanë, se disa ndër to kena me i nxjerrë prej gjuhëve të tjera e disa kena me i krijue ; por tuj ba këte, si në njenën si në tjetrën rasë, do të marrim mbrapa ligjët e metodat qi qeverisin të njeshunit (structure, conformation) e gjuhës s’onë.

Për tregim, skajet e përgjithshme të të gjitha degëve të dijes, qi janë, po thue, gjithnji ndër të tana gjuhët e qi ma të shumat erdhën prej greqishtes së vjetër, kena me i marrë edhè na, por, tuj i shti në gjuhë shqipe, do t’i u apin trajtën qi lypë natyra e kësaj, e, për këtë qëllim, mjafton të vemë oroe ndryshimet qi kanë pësue fjalë të tjera greqishte të përdorueme ka ditë prej nesh e të shqiptarsueme, fjalët e skajet e tjera kena me i trajtue vetë tuj i ba me rrjedhë prej rrajve shqipe, por edhè në trajtim të tyne, kena për të marrë mbrapa ato metoda mbas të cilave kjenë përba fjalët e prejardhuna qi ndodhen qysh tash në gjuhë t’onë.

E këtu kishte me m’u deshtë me folë për mbi ato pjesëza (particules), qi thirren parashtime (préfixes) e bishta (suffixes), të cilat hyjnë fort në të përbam të fjalëve të reja por këto lypin nji të rrahun të gjanë e të kujdesëshëm fort, e për këte po i la për nji herë tjetër.

            Së mbramit, për me e begatsue gjuhën e me i dhanë trajtë të bukur, të rrjedhët e të përkulun përmbledhjes së saj, duhet me e livrue fort e me kujdes, e me i dhanë shtërngim vedit qi t’ushtrohena (s’exercer) në gjithfarë shkrimesh. Por lypset, po them prap, qi të shkruejnë mirë e me oroe, e jo si bajnë disa qi shkruejnë shumë e keq.

Përpara mund të shkruhej sido, pse qëllimi i atëhershëm nuk ishte ky i yni, por sot lypset tjetër. Të gjithë ata pra qi duen me marrë pjesë në themelim të letrëtyrës, të kenë për kujdes me zgjedhë atë degë shkrimi qi u përket e të cilës munden me i a dalë ma mirë, e me nderë e me fitim.

Kush nuk ka lé për vjersha, të shkruejnë këmbërisht ; kush nuk asht thirrë për shtyllë të lartë e madhështuer të bisedës së zgidhun, të nepet mbas prozës shkencore, por mos të shtërngojnë vedin me ba shka s’mundet, ndryshe punët e tija kanë me kenë si ajo shtaza e çudëshme, qi prejshkruen në fillim të veprës, me emën Ars poetica, vjershtori latin Horaci.
LEK GRUDA


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kroacia e shpalli 'non-grata', zv.kryeministri i Malit të Zi: Vendimi është politik

Kroacia e shpalli 'non-grata', zv.kryeministri i Malit të Zi: Vendimi është politik