HIMARE - Në Këshillin bashkiak të Himarës ka pasur një debat për një projekt për hapjen e një guroreje në fshatin Palasë. Vendimi është votuar kundër dhe ka pasur një konflikt me grushte mes kryeplakut të fshatit Odisea Dhimolea dhe investitorit Fiorentino Beli.

Kreu i bashkisë së Himarës Jorgo Goro në një prononcim telefonik për tv A1 Report sqaron konfliktin e ndodhur jashtë mbledhjes së djeshme në këshill bashkiak.

“Nuk ka pasur debat në këshill, thjesht ka vazhduar mbledhja pa probleme dhe projekti është votuar kundër. Edhe kryeplaku i fshatit ka votuar kundër. Aty në kafe mund të kenë shkëmbyer ndonjë fjalë dhe janë zënë.”- thotë Goro duke sqaruar se në konflikt nuk është përfshirë asnjë anëtar i këshillit bashkiak, por shoku i tij, biznesmen.

Kërkesa për hapjen e gurores në Palasë është bërë nga këshilltari i PBDNJ-së, Gjika Stramarko. Për dhënien e lejes është votuar 7 kundër dhe 4 pro.
Kryeplaku i Palasës, Odisea Dhimolea ka kërkuar në emër të banorëve që përfaqëson që të mos jepet kjo leje, sepse përveçse do shkaktonte një ndotje në ambient, ishte edhe kundër frymës turistike të zonës.

Këshilltarit Gjika Stramarko i është kërkuar mos të votonte, pasi ishte ortak në investim me biznesmenin Fiorentin Beli, pas përfundimit të mbledhjes jashtë ka nisur konflikti i cili u përshkallëzua në grushte. 

TË NDALEN GURORET
Goro shton se guroret duhet të pezullohen në Himarë dhe shpreh shqetësimin se për ngritjen e tyre nuk përmbahen kriteret.

“Ata duhet të pezullohen sepse prishin imazhin dhe bukurinë. Kriteret në përgjithësi janë por nuk përmbahen. Nuk e di mënyrën si jepen. Ka projekte që prishin atë zonë”

(sg/shqiptarja.com)