(Vijon nga dje…)
Enver Hoxha vjen në Berat
Në 9 prill 1968 ai do të mbante fjalimin “Kontrolli i klasës punëtore”, në 17 maj “Le të shpërthejë e fuqishme stuhia e revolucionit”, në 16 tetor, në 60-vjetorin e lindjes së tij do të hidhte drejt popullit të vet të tejngarkuar me politizim 14 biseda të kryera gjatë asaj dite, që të gjitha drejtime të revolucionit të tij kulturor. Mes tyre binte në sy edhe “Letërsia dhe arti ynë ecin gjithnjë përpara”.
Në Berat, Hoxha erdhi në 26 shkurt 1969. Pasi mbajti një fjalim në një mbledhje me punëtorë, kooperativistë dhe kuadro të rrethit, shkoi tek pionierët gurskalitës të Beratit. Në sheshin para shkollës “7 Nëntori”, ku ishte rreshtuar me vështrimin nga Mangalemi e tërë shkolla, ai hyri nga porta që vinte prej rrugës nacionale. Sapo e pa, e tërë masa e nxënësve, pesëqind pionierë, si një trup i vetëm, u kthyen nga ai.
E dalloi menjëherë xha Vasilin që po rrinte tek dera e shkollës, ia bëri me dorë t’i afrohej dhe pasi i përshëndeti të gjithë nisi të fliste. Në çfarë tha para pionierëve nismëtarë të gurgdhendjes Enver Hoxha mëshoi shumë tek roli i partisë, por gjithsesi formuloi edhe fraza mjaft të çlirëta nga politizimi: “Punimi i gurit, siç ju kam shkruar në letrën që ju kam dërguar, ka rëndësi të madhe, se me gurë shtëpi banimi, ngrihen institucione shoqërore, kulturore dhe ekonomike, ndërtohen rrugë e ura, bëhen statuja të mëdha e sa e sa vepra të tjera që jetojnë për qindra e mijëra vjet dhe që janë të vlefshme për njerëzimin.
Edhe në gur mund të pasqyrohen mendimet më përparimtare dhe shijet estetike të popullit, të shprehen frymëzimi më i pastër dhe dëshirat më të zjarrta të atyre që dinë të punojnë me ta”. Pastaj Hoxha vuri në dukje: “Kur morëm vesh se ju filluat të bënit kalldrëmet, këtë e vlerësuarn si një iniciativë shumë të mirë. Unë dhe shokë të tjerë udhëheqës thamë atëherë për ju: “Këto vajzat e djemtë e Beratit qenkan jo vetëm shumë të zgjuar, por edhe shumë të lidhur me popuIlin, me shkollën, me mësuesit dhe me punën”.
Pas fjalimit bashkë me xha Vasilin dhe të tjerë shkuan të shihnin kalldrëmet. Kur u rikthye Enver Hoxha bëri një vizitë në shtëpinë e Karakashëve, ku ende mbahet mend fjalia e tij “Po vij në një familje që i ka dhënë luftës djalin e saj”. Ndërkohë Sulo Gradeci nuk mungoi t’i fotografonte këto çaste, të cilat tashmë familja nuk i ka më, sepse u shtrënguan t’i digjnin kur antikomunistët pas vitit 1992 erdhën në pushtet dhe disa krerë të tyre lëshuan kërcënime.
Vdekja e dhunshme e xha Vasilit
Periudha e pas vizitës së Enver Hoxhës, ndërkohë që nisma e pionierëve gurskalitës të Beratit nuk pati hyrë vetëm në kronikat e ditës, por po trokiste edhe në dyert e historisë, shënoi një gjallërim të fortë e pas kësaj, si të ishte tashmë tepër e lodhur nga vëmendja kombëtare, nisi të zbehet. Këtë kohë u luajt edhe opereta. Dha vetëm një shfaqje në sallën e pallatit të kulturës. Në rolin artistik të Gaqit, nipit të xha Vasilit, luante vetë personazhi real, por emrin e tij thurrësi i tekstit, poeti Sulejman Mato, e kish letrarizuar në Genci.
Edhe pse shtrimi i kalldrëmeve prej pionierëve vijonte, tashmë me vrull më të paktë, mësuesit e tetëvjeçareve të qytetit prej nismëtarëve, tashmë gjimnazistë, filluan të shfaqnin një kërkesë dhe interesim tjetër: u luteshin që të vinin në shkollat e tyre dhe të tregonin para pionierëve për mbresat që ruanin kur bënë veprën e tyre të rrëfyer nga gazetat, filmat dokumentarë dhe nga vetë Enver Hoxha.
Pikërisht këtë kohë ndodhi më e padëshiruara: figura më e dashur e gurskalitësve beratas, simboli i tyre, gjyshi aq i urtë dhe i pafjalë, që kur fliste vetëm buzëqeshte, ai trupimët që u duklej si një gjigand, humbi jetën në mënyrën më tronditëse dhe njëkohësisht më banale: u shtyp nga një kamion.
Në shkurt e pati takuar dhe dalë fotografi me të Enver Hoxha, në fillim korrik ngjau gjëma.
Xha Vasili kishte shkuar në tregtoren e madhe të qytetit (merkato i thoshin vendasit), e cila ndodhej pranë banesës së tij dhe shkollës nismëtare “7 Nëntori”, madje ishte duke iu afruar Portës së Pashait, hyrjes lindore, kur një makinë riportabël, e cila pati ndaluar prapa shkollës dhe nuk të linte përshtypjen se hë për hë do të lëvizte nga vendi, befas ndezi vrullshëm motorrin dhe bëri praptazi. Plaku që nuk pushonte kurrë së bëri një punë të dobishme, me trastë në dorë me bukën e zarzavatet e blera, ndodhej ato çaste pikërisht prapa masës së hekurt dhe të rëndë të karrocerisë së makinës.
Ishte ajo periudhë e vitit 1969, kur nipi i tij Gaqi dhe tërë pionierët gurskalitës së klasës së tetë sapo kishin përfunduar provimet.
Për ngushëllime në shtëpinë e Karakashëve erdhën drejtuesit e partisë dhe të pushtetit ekzekutiv lokal. Prej tyre iu bë edhe një letër Enver Hoxhë. E njoftonin çfarë fatkeqësie pati ngjarë, por prej tij dhe as prej Komitetit Qendror nuk erdhi ndonjë përgigje. E vetmja nismë revolucionare e komunizmit që mbijetoi në pluralizëm
E mbajti të gjallë koha, sepse ishte pjesë e saj, e traditës kombëtare. Nuk ishte shpikje politike dhe as krijesë ideologjike ajo nismë për të gurgdhendur kalldrëmet e qytetit tend të lindjes dhe bërë atë më të bukur. Në 7 tetor 2008 gazetat shqiptare do të publikonin lajmin se “Berat- Rikthehet tradita e gurit në qytetin e një mbi një dritareve. Pas një kohe të gjatë të lëna në harresë e të dëmtuara në mënyrë të konsiderueshme, rrugicat e kalldrëmta të qytetit të Beratit po i nënshtrohen restaurimit. Që prej disa ditësh punonjësit e Degës së Monumenteve të Kulturës janë vendosur në lagjet “10 korriku”, “Mangalem” e “Kala”, ku po punojnë për restaurimin e gurit të bardhë”.
Pak muaj më vonë, çfarë vijoi edhe nëpër vitet e tjerë, të pajisur me mjete pune shumë të përshtatshme, u shfaqën edhe fotot e gurskalitëve beratas të vitit dymijë. Ishin të rinj fytyrëbukur dhe të qeshur, si të mbushur me diell. Me siguri tërë qyteti, duke i parë, risolli në përfytyrim portretet e pionierëve gurgdhendës të viteve 1966-1970, duke kujtuar emrat e tyre: Ilir Ikonomi, Jeta Myzeqari, Jorgji Zallëmi, Petraq Semani, Vangjel Bojaxhiu, Vladimir Pipiria, Nasho Vruho, Llazar Ziu, Diana Rehovica, Nirvana Nika, Xhoxhi Ziu, Donika Jaubelli, Ëngjëllushe Tomorri, Bukuroshe Durra, Hermelina Nushi, Elda Vera, Andrea Plaku, Marjeta Shqina, Thoma Mio, Fatri Bejko, Xhuljeta Shyti, Kujtim Drini, Fatbardha Hysi....
Lista e tyre nuk mbaron. Janë me qindra. Tashmë gjyshër dhe gjyshe.
Ylli Polovina
Tiranë, më 21 dhjetor 2017
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com