Guvernatori Gent Sejko: Banka e Shqipërisë do të blejë sërish euro në tregun valutor

TIRANE-Gent Sejko deklaroi se Banka e Shqipërisë do të vijojë që të blejë sërish euro në tregun valutor për të penguar zhvleftësimin e mëtejshëm të monedhës evropiane. Guvernatori i BSH, Sejko në konferencën për mediat theksoi se Këshilli Mbikëqyrës vendosi që të vijojë blerja e euros për shkak të prurjeve nga turizmi. Ai tha se masat e fundit të politikës monetare dhe ndërhyrja në tregun e brendshëm valutor kanë rezultuar efektive, por oferta për valutë vijon të jetë e lartë tani edhe për shkak të faktorëve sezonalë.

Pas mbiçmimit të shpejtë të regjistruar në muajt prill-maj, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë arriti të qetësojë funksionimin e tregut të brendshëm valutor dhe të frenojë mbiçmimin e kursit të këmbimit. Megjithatë, analizat tona sugjerojnë se raporti i kërkesës dhe ofertës në tregun valutor mbetet i zhbalancuar, pjesërisht dhe si pasojë e prurjeve të larta sezonale, dhe se mbiçmimi i shpejtë dhe i mëtejshëm i kursit të këmbimit do të dëmtonte kthimin e inflacionit në objektiv në afatin e mesëm. Duke gjykuar mbi sa më sipër, Banka e Shqipërisë vendosi të vijojë programin e blerjeve në tregun valutor, me synim frenimin e mbiçmimit të shpejtë të kursit të këmbimit.

Guvernatori i BSH, Gent Sejko

Deklarata e plotë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë
Ekonomia shqiptare vijoi të ndjekë një trend pozitiv zhvillimi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Aktiviteti ekonomik ka ardhur në rritje, duke mundësuar zgjerimin e punësimit, rritjen e pagave, përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve dhe forcimin gradual të presioneve inflacioniste.

Këto zhvillime janë mbështetur nga përmirësimi i ambientit të huaj, nga përmirësimi i besimit në ekonomi, nga kushtet e favorshme financiare, të diktuara nga politika jonë monetare lehtësuese, si dhe nga goditje pozitive të ofertës.

Pritjet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Megjithatë, materializimi i tyre kërkon ruajtjen e kahut lehtësues të politikës monetare, ndërsa balanca e rreziqeve mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm.

Inflacioni mesatar i tremujorit të dytë regjistroi vlerën 2.2%, duke ardhur në rritje nga norma mesatare prej 1.9% e tremujorit të parë. Në veçanti, inflacioni shënoi vlerën 2.4% në muajin qershor. Balanca e presioneve inflacioniste vazhdon të formohet nga një trend gradual forcimi të presioneve të brendshme dhe nga luhatje afatshkurtra të çmimeve të artikujve specifikë të shportës së konsumit.

Rritja e inflacionit në tremujorin e dytë pasqyroi efektin rezultant të dy goditjeve të kahut të kundërt. Nga njëra anë, rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare solli rritjen e kostove të prodhimit dhe ushtroi një ndikim rritës në inflacion. Nga ana tjetër, forcimi i kursit të këmbimit frenoi përcjelljen e presioneve të huaja inflacioniste në tregun vendas. Faktori i parë ka pasur një intensitet më të fortë veprimi në tremujorin e dytë, por efekti i tij vlerësohet të jetë më i shkurtër në kohë.

Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2020. Ky parashikim faktorizon dinamikën pozitive të rritjes ekonomike dhe pritjet tona për kthimin e ekonomisë në ekuilibër në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm. Gjithashtu, ai mbështetet në vlerësimin se presionet dezinflacioniste të ardhura nga mbiçmimi i kursit të këmbimit do të mbeten kalimtare.

Këto gjykime gjejnë mbështetje nga të dhënat ekonomike e monetare të gjashtëmujorit të parë.

Ekonomia shqiptare shënoi një rritje prej 4.45% në tremujorin e parë, dhe të dhënat e tërthorta flasin për ritme pozitive rritjeje edhe në tremujorin e dytë. Përshpejtimi i ritmit të rritjes ekonomike në tremujorin e parë të vitit pasqyroi rritjen e shpejtë të prodhimit të energjisë elektrike, në përgjigje të kushteve të mira hidrike. Në terma më afatgjatë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik u bazua te rritja e konsumit dhe e investimeve private, ndërkohë që deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë u rrit dhe politika fiskale vijoi të mbetet në kahun konsolidues. Të dhënat e tërthorta sugjerojnë se këto tendenca zhvillimi janë mbartur edhe në tremujorin e dytë.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është shoqëruar me rritjen e punësimit dhe rënien në 12.5% të normës së papunësisë. Kjo normë përbën nivelin më të ulët historik të papunësisë të regjistruar në Shqipëri dhe sugjeron një përdorim gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese në vend. Në përgjigje të saj, Instat-i raporton se paga mesatare reale u rrit me 2.3% në tremujorin e parë, çka përbën një premisë pozitive për forcimin gradual të presioneve të brendshme inflacioniste.

Tregu i brendshëm financiar vazhdon të shfaqet i qetë dhe likuid, por presionet mbiçmuese të lekut vijojnë të jenë të pranishme në segmentin e tij valutor. Masat e fundit të politikës monetare – ulja në nivelin 1.0% e normës bazë të interesit dhe ndërhyrja në tregun e brendshëm valutor, me objektiv frenimin e mbiçmimit të shpejtë të kursit të këmbimit – kanë rezultuar efektive.

Normat e interesit të lekut kanë ardhur në rënie në tremujorin e dytë. Normat e interesit të kredive, depozitave dhe letrave me vlerë në lekë shfaqen në nivele minimale. Kredia për sektorin privat regjistroi një rritje mesatare me 5% në tremujorin e dytë të vitit, me një kontribut më të balancuar në rritje midis kredisë në lekë dhe kredisë në valutë.

Në përgjithësi, rritja e kredisë është në linjë me përmirësimin e moderuar të kërkesës për të. Megjithatë, vrojtimi i aktivitetit kreditues sugjeron se standardet dhe kushtet e kreditimit të aplikuara nga sektori bankar vijojnë të mbeten konservatore. Banka e Shqipërisë konstaton se rënia e rrezikut të kredisë dhe përmirësimi i vazhdueshëm i bilanceve, sikundër ilustrohet nga rënia në nivelin 13.27% e raportit të kredive me probleme, duhet të gjejnë një pasqyrim më të mirë në politikat e kreditimit të sektorit bankar.

Pas mbiçmimit të shpejtë të regjistruar në muajt prill-maj, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë arriti të qetësojë funksionimin e tregut të brendshëm valutor dhe të frenojë mbiçmimin e kursit të këmbimit. Megjithatë, analizat tona sugjerojnë se raporti i kërkesës dhe ofertës në tregun valutor mbetet i zhbalancuar, pjesërisht dhe si pasojë e prurjeve të larta sezonale, dhe se mbiçmimi i shpejtë dhe i mëtejshëm i kursit të këmbimit do të dëmtonte kthimin e inflacionit në objektiv në afatin e mesëm.

Duke gjykuar mbi sa më sipër, Banka e Shqipërisë vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

-        të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%;

-        të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 1.9%;

-        të vijojë programin e blerjeve në tregun valutor, me synim frenimin e mbiçmimit të shpejtë të kursit të këmbimit.

Ruajtja e kahut stimulues të politikës monetare në afatin e mesëm do ti shërbejë nxitjes së kërkesës agregate, duke ndihmuar rritjen e punësimit, të pagave dhe të presioneve të brendshme inflacioniste. Stimuli monetar është konsistent me kahun konsolidues të politikës fiskale dhe mbetet një parakusht i nevojshëm për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2020.

Në përputhje me parashikimet e skenarit bazë, si dhe në bazë të informacionit të disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i normave të interesit në tregun e brendshëm financiar nuk do të fillojë përpara tremujorit të dytë të vitit 2019.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 02/08/2018 11:20

    Z.Guvernator kam nje pyetje te thjesht? Sa te ka kushtuar ora qe ke ne krahun e majte?Se duke te degjuar ora shkelqente shume,dhe spo e kisha me mendjen ke ty por ke ora.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar