Ankesa për normat e larta të interesit, Sejko: Në 2022 vendosim tavanin për kredinë konsumatore! Ekonomia rritet me 5.3% këtë vit

Të gjithë qytetarët që nga nevoja marrin kredi me norma të larta interesi deri në abuzive, do të kenë mundësinë të mbrohen, dhe kjo përmes një rregulloreje të Bankës së Shqipërisë. Brenda vitit që vjen Banka e Shqipërisë do të vendos një tavan për normat e interesit për kreditë konsumatore. I pyetur nga gazetarja e Report Tv, Eliza Gjediku, Sejko tha se brenda 2021 do të përmbyllet analiza dhe konsultimi me bankat dhe institucionet financiare jo-banka dhe në 2022 do të hyj në fuqi tavani për interesat për kredinë konsumatore.

“Si pasojë e shumë ankesave që kanë ardhur nga subjektet qoftë qytetar qoftë biznese të ndryshme kundrejt normave të larta të interesit. Këto norma kanë një limit dhe për ta rregulluar tregun për të mos pasur tejkalime të normave të interesit, Banka e Shqipërisë po përgatit rregullore për të bërë një rregullim në treg. Puna analizuese do mbyllet brenda këtij viti dhe rregullorja do hyj në fuqi në vitin që vjen", tha Sejko.

Si do përcaktohet tavani i kredisë konsumatore? Ky nivel interesi do të vendoset duke u bazuar në mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit për kredinë konsumatore rritur me një të tretën e saj. Për shembull nëse mesatarja e normave për një tremujor është 12%, tavani maksimal do të jetë 16%, duke i shtuar 1/3 e mesatares. Për të përcaktuar tavanin Banka e Shqipërisë, do të marrë në konsideratë të gjitha kreditë e disbursuara gjatë tremujorit të mëparshëm, të cilat janë akorduar vetëm për individët, nuk janë të siguruara me anë të hipotekës dhe shuma e disbursuar nuk tejkalon kufirin prej 10 milionë lekë.

Norma maksimale do të ndahet sipas 3 shumave të kredive konsumatore. Pra për kreditë deri në 200 mijë lekë do të ketë një tavan, për ato mbi 200 deri në 2 milionë do të ketë një normë tjetër dhe për kreditë mbi 2 milionë lekë deri në 10 milionë lekë do të ketë një tjetër tavan norme interesi.

Edhe pse në rregullore thuhet që ky vendim do të aplikohet edhe për bankat, dhe jo vetëm për institucione financiare, (të tilla si Kredo.al, IuteCredit etj), njohësit e këtij sektori thonë se abuzimet më të mëdha me normat e interesit janë konstatuar tek shoqëritë jo-banka. Institucionet jo banka janë më të pritura drejt normave më të larta për shkak edhe se ata ndjekin procedura të shpejta për të dhënë kredinë, dhe nuk kryejnë analiza risku si bankat tregtare, dhe marrin një risk të lartë për kthimin e kredisë. Në këtë mënyrë për të marrë fitimin e tyre ata aplikojnë norma të larta interesi.

Nga ana tjetër guvernatori Gent Sejko foli në konferencë edhe për situatën ekonomike aktuale, duke ka një rikuperim të ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar por që ende nuk është reflektuar në punësim.

“Përmirësimi i aktivitetit ekonomik nuk është pasqyruar ende plotësisht në tregun e punës. Këto tregues sugjerojnë se ekonomia shqiptare është ende larg normalizimit të plotë të aktivitetit të saj dhe se ky proces duhet të vijojë të mbështet nga politika stimuluese”, pohoi guvernatori.

Guvernatori tha se rikuperimi ekonomik në vijim do të mbështetet nga disa elementë kryesor, por që rimëkëmbja varet tërësisht nga pandemia. Parashikimi i Bankës qendrore është për një rritje ekonomike prej 5.3% këtë vit.

“Rritja ekonomike do të mbështetet nga përmirësimi i ambientit të huaj, nga reduktimi i pasigurisë, nga një miks stimulues politikash monetare dhe fiskale, si dhe nga përmirësimi i bilanceve të sektorit privat. Në çdo rast, këto projeksione bazohen në supozimin e shmangies së kufizimeve serioze mbi aktivitetin ekonomik, si pasojë e goditjeve të mëtejshme të pandemisë. Ne presim që këtë vit ekonomia të rritet me 5.3%”, pohoi Sejko.

Ndërsa duke u ndalur tek stabiliteti financiar guvernatori u shpreh se bankat e kanë përballuar mirë pandeminë dhe nuk ka pasur rritje të kredisë së keqe e cila në 2020 ra në nivelin e 8.11%. Por teksa kredia me probleme në banka u ul, tek institucionet jo banka ajo është rritur me rreth 1.5%, duke shkuar në 11.5%. I pyetur për këtë rritje Sejko përgjigjet duke thënë se në këto institucione kthimi i kredisë është i vështirë.

“Për nga pikëpamja e riskut të stabilitetit financiar, kanë risk më të ulët krahasuar me bankat pasi nuk cenojnë drejtpërdrejt depozitat e qytetarëve. Këto institucione jo banka kreditojnë dhe financojnë zona më të vështira që janë edhe zona rurale, ose segmente popullate më pak formale sesa segmente të tjera, dhe duke qenë se këto institucione punojnë me këto rajone dhe segmente dhe raporti me shlyerjen e kredisë është pak më i vështirë”, tha guvernatori.

 

I.K/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja